Deputeti nga Bundestagu: Gjermania është e gatshme dhe dëshiron të dërgojë trupa paqeruajtëse në Ukrainë
- Pasi kryeministri britanik Kir Starmer sot deklaroi se Britania e Madhe është e “përgatitur” të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë, deputeti i Partisë Demokristiane në Bundestagun gjerman, Jirgen Hart deklaroi se Gjermania me gjasë do të jetë pjesë e një plani të tillë.

Berlin, 17 shkurt 2025 (MIA) - Pasi kryeministri britanik Kir Starmer sot deklaroi se Britania e Madhe është e “përgatitur” të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë, deputeti i Partisë Demokristiane në Bundestagun gjerman, Jirgen Hart deklaroi se Gjermania me gjasë do të jetë pjesë e një plani të tillë.
"Nuk duam të futemi në atë luftë. Ekziston një bazë e qartë në të drejtën ndërkombëtare për një mision paqeruajtës në Ukrainë që do të sigurojë që armëpushimi dhe paqja të mbijetojnë. Nuk mund ta imagjinoj Gjermaninë të mos jetë pjesë e këtij koncepti”, ka thënë Hart për Bi-Bi-Si.
Është prononcuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Maria Malmer Stenergard e cila tha se Suedia nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë si pjesë e "një misioni paqeruajtës të pasluftës", bëri të ditur sot servisi publik suedez.
foto: arkivi i MIA-s