Debat publik në Kuvend: Kandidatët për Këshillin Gjyqësor prezantuan vizionet dhe prioritetet e tyre
- Në Kuvend sot u mbajt debat publik për prezantimin e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet sipas Shpalljes për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, që zgjidhet nga Kuvendi. Debati u organizua nga Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, dhe kandidatët prezantuan biografitë e tyre profesionale, përvojën dhe vizionet për punën e Këshillit.
Shkup, 19 maj 2026 (MIA) - Në Kuvend sot u mbajt debat publik për prezantimin e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet sipas Shpalljes për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, që zgjidhet nga Kuvendi. Debati u organizua nga Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, dhe kandidatët prezantuan biografitë e tyre profesionale, përvojën dhe vizionet për punën e Këshillit.
Vendi i zbrazur vjen pas skadimit të mandatit të dytë në dhjetor të vitit të kaluar të anëtarit të Këshillit Gjyqësor Selim Ademi.
Kandidati Sabedin Dauti para anëtarëve të Komisionit potencoi se ka më shumë se tre dekada përvojë në sistemin gjyqësor dhe të sigurisë, duke përfshirë angazhime në policinë kriminale, funksionoe udhëheqëse në SPB Gostivar, shërbimin gjyqësor dhe aktivitetin noterial. Ai theksoi se Këshilli Gjyqësor ka një rol kyç kushtetues në sigurimin e një gjyqësori të pavarur dhe të përgjegjshëm.
"Vetëm përmes zbatimit të vazhdueshëm të kritereve të bazuara në njohuri, integritet dhe rezultate mund të sigurohet një gjyqësor cilësor dhe i pavarur", theksoi Dauti, duke shtuar se do të avokojë për transparencë, një sistem merite dhe përforcimin e besimit publik.
Kandidatja Shpresa Dauti tha se për gati njëzet vjet ka punuar në administratën gjyqësore, duke avancuar në pozicionin e këshilltares gjyqësore në Gjykatën Themelore në Tetovë. Ajo vlerësoi se sistemi i drejtësisë përballet me sfida serioze, siç janë mungesa e gjyqtarëve, mbingarkesa me lëndë dhe nivelet e ulëta të besimit.

Si zgjidhje të mundshme, sugjeroi rritjen e numrit të gjyqtarëve përmes Akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë dhe përfshirjen e nënpunësve të gjykatave me përvojë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve.
Avokati Elvir Iseini, i cili që nga viti 2009 ushtron profesionin e avokatit në Tetovë, theksoi se përvoja e tij shumëvjeçare është bazë për të kontribuar në Këshill. Ai potencoi se është i përkushtuar ndaj parimeve të pavarësisë, paanshmërisë dhe sundimit të ligjit, me qëllim rritjen e besimit në gjyqësor.
Kandidati Artim Islami, në paraqitjen e tij iu referua perceptimit publik të ndikimit politik në Këshillin Gjyqësor, duke theksuar se do të avokojë për vendimmarrje të bazuar në fakte dhe standarde profesionale.
"Shpjegimet e qarta dhe të plota të vendimeve janë thelbësore për të shmangur dyshimet publike", theksoi Islami, duke potencuar detyrimin ligjor për transparencë.
Avokati Fatmir Emrullahu, i cili më shumë se 15 vite punon në sektorin ligjor, theksoi se monitoron vazhdimisht situatën në sistemin gjyqësor. Sipas tij, transparenca e Këshillit Gjyqësor është në një nivel më të lartë krahasuar me Këshillin e Prokurorëve Publikë.

Kandidati Fadil Xhelili, i cili ka përvojë si gjyqtar, nëpunës civil dhe avokat, theksoi se besimi i qytetarëve në gjyqësor ka rënë ndjeshëm.
"Na duhen juristë me integritet dhe autoritet të cilët do të kontribuojnë në rritjen e besimit në gjyqësor", tha Xhelili, duke potencuar se ky është edhe një segment i rëndësishëm i reformave që lidhen me integrimin evropian.
Kandidati Feuzi Xhaferi, avokat nga Gostivari me shumë vite praktikë, informoi se kjo është hera e tretë që aplikon në shpallje, duke siguruar se përvoja e tij e bën të gatshëm të kontribuojë në Këshill.

Në paraqitjen e tij, ai theksoi se Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor përforcon transparencën dhe pavarësinë e institucionit, duke shtuar se si anëtar, do të avokonte për rivendosjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Ai potencoi se besimi në gjyqësor është në një nivel historikisht të ulët, gjë që konfirmohet nga analizat e organizatave ndërkombëtare, dhe se Këshilli Gjyqësor duhet të reagojë publikisht dhe konkretisht në rastet e mangësive midis gjyqtarëve dhe menaxhimit të gjykatës.
Shpallja për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor, i cili zgjidhet nga radhët e profesorëve të drejtësisë universitare, avokatëve, ish-gjyqtarëve kushtetues ose ndërkombëtarë dhe juristëve të tjerë të shquar, përcakton që kandidatët duhet të kenë të paktën 15 vjet përvojë në profesionin ligjor, të gëzojnë reputacion dhe integritet, të kenë kontribut të rëndësishëm profesional ose shkencor në fushën e drejtësisë dhe të dorëzojnë rekomandime. rq/
Foto: MIA