Belen Martinez Karbonel sekretare e re e përgjithshme e Shërbimit evropian për punë të jashtme
- Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka emëruar spanjollen Belen Martinez Karbonel si sekretare të re të përgjithshme të Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS).

Bruksel, 23 janar 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka emëruar spanjollen Belen Martinez Karbonel si sekretare të re të përgjithshme të Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS).
Martinez Karbonel e cila do të marrë detyrën më 1 shkurt, në këtë post do ta zëvendësojë Stefano Saninon.
Siç kumton EEAS, Martinez Karbonel ka përvojë të gjerë diplomatike në BE, si punonjëse e Shërbimit dhe në Komisionin Evropian. Për momentin ajo është drejtoreshë e Departamentit për agjendën globale dhe marrëdhëniet multilaterale në kuadër të EEAS, ndërsa më parë ka qenë drejtore për resurse njerëzore të Shërbimit.
Njëherësh, Kallas emëroi Ulof Skug si zëvendëssekretar të përgjithshëm të EEAS për Çështje politike.
Ai ka përvojë të gjerë pune në diplomacinë suedeze dhe evropiane, duke përfshirë edhe atë si Shef i delegacionit të BE-së në KB në Nju Jork. Për momentin Skug është përfaqësues special i BE-së për të drejtat e njeriut. Skug do të marrë detyrën më 1 mars.
Foto: X