Begaj: Zgjerimi i i BE-së nuk mund të përmbushet pa njohjen e Kosovës
- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare dhe për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

Tiranë, 15 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare dhe për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Ai ka shprehur mirënjohje dhe nderim ndaj liderëve politikë, luftëtarëve të UÇK-së dhe gjithë shqiptarëve që bënë realitet ëndrrën për liri dhe pavarësi, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë dhe NATO.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Begaj vlerësoi se pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajon dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane.
Presidenti i Shqipërisë apeloi Bashkimin Evropian për të lehtësuar raportet me Kosovën, si dhe vendet anëtare, të cilët ende nuk e kanë njohur, të rishikojnë vendimet e tyre.
"Në aspektin strategjik, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të reja dhe roli i tij në sigurimin e paqes, zhvillimit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin nuk mund të përmbushet nëse ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin më pro tij, Kosovën", vlerësoi ai.
Begaj, gjithashtu përgëzoi autoritetet e Kosovës për arritjet gjatë këtyre 17 viteve në funksion të qytetarëve dhe demokracisë, duke përshëndetur edhe procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.
Begaj tha se “Shqipëria e Kosova janë dy shtete të një kombi, kombit shqiptar”.
"Dëshiroj të nxis bashkëpunimin më aktiv dhe konkret, sidomos në fushën ekonomike midis dy qeverive dhe institucioneve tona, bashkëpunim që duhet të tejkalojë politikat e ditës dhe pengesat burokratike dhe që sjell më shumë shkëmbime dhe përfitime për qytetarët e dy vendeve tona. Ne duhet të fitojmë kohën e humbur në të mirë të interesit të qytetarëve tanë dhe objektivave tona të përbashkëta për integrim, stabilitet e mirëqenie”, tha Begaj ndër të tjera, njoftoi ATSH-ja. bsh/
Foto: Kabineti i presidentit Begaj