"Aty ku zemra është në shtëpi" - fillimi i rikonstruksionit të Shtëpisë së kulturës "11 Tetori" në Çento
- Ministria e Vetëqeverisjes Lokale vazhdon me vizitat në terren nëpër komuna me titullin "Aty ku zemra është në shtëpi" me qëllim që përmes takimeve të drejtpërdrejta, shkëmbimit të përvojave, ideve dhe sugjerimeve me të cilat ballafaqohen komunat dhe së bashku të gjinden zgjidhjet për tejkalimin e tyre drejt përparimit më të madh.

Shkup, 23 shkurt 2025 (MIA) - Ministria e Vetëqeverisjes Lokale vazhdon me vizitat në terren nëpër komuna me titullin "Aty ku zemra është në shtëpi" me qëllim që përmes takimeve të drejtpërdrejta, shkëmbimit të përvojave, ideve dhe sugjerimeve me të cilat ballafaqohen komunat dhe së bashku të gjinden zgjidhjet për tejkalimin e tyre drejt përparimit më të madh.
Në kuadër të vizitave në terren nëpër komuna, sot kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i vetëqeverisjes lokale Zllatko Perinski, ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, si dhe kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, do të shënojnë fillimin e rindërtimit të Shtëpisë së Kulturës "11 Tetori" në Çento.
Kjo, siç njofton Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, është një nga katër projektet e Komunës së Gazi Babës që janë duke u realizuar me mjete nga buxheti i shtetit pas thirrjes së parë publike për mbështetje financiare për komunat.
Paraprakisht, në kuadër të vizitave në terren "Aty ku zemra është në shtëpi", ministri Perinski vizitoi komunat e Shkupit, Aerodrom, Gazi Babë dhe Gjorçe Petrov.
Në një konferencë për media të mbajtur në fillim të këtij muaji, Perinski njoftoi se në periudhën e ardhshme do të vizitojnë të gjitha komunat e Shkupit, do të kenë takime me kryetarët e komunave, anëtarët e këshillave komunale, organizatat joqeveritare, sektorin e biznesit, punëtorët e kulturës dhe sportit dhe në përgjithësi të gjithë qytetarët e interesuar, si dhe do të inspektojnë projektet e financuara nga buxheti qendror.
Sipas ministrit Perinski, janë planifikuar vizita njëditore edhe në Koçan, Ohër, Manastir, Tetovë, Strumicë, Kavadar, Veles, Kumanovë, Shtip dhe Prilep, ku do të jenë edhe përfaqësues nga komunat e rajonit. mb/
Foto: Fejsbuku i Zllatko Perinskit