Anëtari i ri i Këshillit Gjyqësor Sadulla Izairi do të japë deklaratë solemne
- Anëtari i ri i Këshillit Gjyqësor Sadulla Izairi sot do të japë deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Shkup, 12 shkurt 2026 (MIA) - Anëtari i ri i Këshillit Gjyqësor Sadulla Izairi sot do të japë deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Gjyqtari i Gjykatës në Tetovë Sadulla Izairi më 30 janar të këtij viti fitoi më së shumti vota në zgjedhje të drejtpërdrejtëa për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve pjesëtarë të bashkësive etnike që janë mbi 20 për qind në shtet. Për Izairin kanë votuar 179 gjyqtarë nga gjithsej 390 të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Sadulla Izairi për gjyqtar është zgjedhur para 18 viteve. Fakultetin juridik e ka kryer në Prishtinë, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka dhënë në Universitetin "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup në vitin 2004.
Gjatë karrierës së tij, sipas biografisë së tij të shkurtër të publikuar në ueb faqen e Gjykatës Themelore në Tetovë, ai ka punuar si menaxher në një firmë private, ishte sekretar në komunën e Bogovinjës, ndërsa nga viti 2005 deri në 2008 e ka kryer detyrën drejtor i përgjithshëm i "Postave të Maqedonisë". Në vitin 2008 me vendim të Këshillit Gjyqësor është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Themelore në Tetovë, ku punon në lëndë të fushës penale.
Në seksionin mbi veprat dhe aktivitetet, për Izairin shkruan se merr pjesë në seminare të organizuara nga Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik.
Zgjedhja për anëtar të Këshillit Gjyqësor vjen pas skadimit të mandatit gjashtëvjeçar të Hanif Zendeli nga Gjykata e Apelit e Gostivarit, i cili u zgjodh anëtar i Këshillit më 22 janar 2020. Më parë, Suzana Josevska-Atanasovska dhe Arlinda Kadri-Shahinoviç hynë në Këshill me propozim të presidentes së shtetit. sa/
Foto: Ueb faqja e Gjykatës Themelore në Tetovë