• петок, 13 март 2026

Mickoski: Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, kemi mekanizma për të reaguar nëse kriza vazhdon

Mickoski: Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, kemi mekanizma për të reaguar nëse kriza vazhdon

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Ne kemi furnizim të qëndrueshëm me naftë dhe derivate të naftës në treg. Po e monitorojmë situatën. Kemi mekanizma për të reaguar nëse kriza vazhdon, siguron kryeministri Hristijan Mickoski.

Në intervistë për televizionin Ora24, kryeministri tha se të hënën u regjistrua në vend kulmi historikisht më i lartë i konsumit të naftës dhe derivateve të naftës, gjë që i detyrohet rritjes së konsumit të naftës në stacionet e benyin;s në zonat kufitare të vendit. Mickoski tha se qytetarët e RMV-së kanë çmimet më të ulëta për burime të energjisë nga të gjitha vendet në rajon.

"Që do të thotë se nga fqinjët, para së gjithash mendoj në kufijtë jugorë, perëndimorë dhe veriorë, qytetarët vijnë tek ne për t'u furnizuar me karburant. Dhe kur bëni analizën e çmimit të karburantit, atëherë arrini në përfundimin se ne si vend aktualisht kemi karburantin më të lirë në krahasim me të gjitha vendet e rajonit. Sot kur po e regjistrojmë këtë intervistë, nafta për litër në stacionet e benzinës në vendin tonë mbushet për 1,39 euro, ndërsa te fqinji ynë perëndimor Shqipëria është 1,79 euro për litër, te fqinji ynë verior Serbia është 1,73 euro për litër, e te fqinji ynë jugor Greqia është 1,59 euro për litër, ndërsa dizeli i thjeshtë tek fqinji ynë lindor Bullgaria është përsëri më i shtrenjtë se te ne, por jo aq shumë 1,41 euro për litër", theksoi Mickoski.

Ai tha se qeveria po ndjek një politikë stabiliteti, ndryshe nga më parë kur prisnim që të na dhuroheshin vaksinat.

"Kjo Qeveri, siç mund ta shihni, arrin të sigurojë sasi të mjaftueshme edhe për vendet fqinje. Dhe kjo është arsyeja pse janë regjistruar kulmet më të larta të konsumit të derivateve të naftës në histori që kur ekziston dhe që kur është matur në vend. Pra, ndryshe nga më parë, kur gjunjëzoheshim për një vaksinë dhe gëzoheshim dhe bënim skenë në kufi, kur na sollën 5.000 vaksina, kur qytetarët e RMV-së u vaksinuan në fqinjësi sepse autoritetet këtu nuk arritën të siguronin një lloj të tillë vaksine në kohë, kjo Qeveri po ndjek një politikë tjetër, duke gjeneruar stabilitet në rajon dhe duke ndihmuar fqinjët kur janë në vështirësi ose kur është e nevojshme. Por, sigurisht, prioriteti ynë kryesor janë qytetarët tanë. Dhe në këtë moment ata nuk duhet të shqetësohen", thotë Mickoski.

Nëse është e nevojshme, thotë kryeministri, Qeveria do të ndërhyjë, duke përdorur mekanizmat dhe mjetet që ka në dispozicion.

"Do t’i përdorim mjetet që kemi në dispozicion, që do të thotë ulje të taksës mbi vlerën e shtuar, në radhë të parë. Nëse vazhdon të rritet, mund të bëjmë një ulje tjetër. Kemi një normë prej 18, kështu që mund ta ulim në 10 për qind, dhe pastaj në 5 për qind. Nëse çmimi, sipas ligjit, shkon mbi 800 dollarë për ton, atëherë mund ta ulim akcizën nga 800 në 1.000 dollarë për ton me një denar, dhe nga 1.000 në 1.200 dollarë për ton me dy denarë. Mbi këtë, mund ta ulim akcizën edhe për katër denarë. Pra, kemi mekanizma që po i planifikojmë, nëse e gjithë kjo vazhdon, por shpresojmë se nuk do të vazhdojë", thotë Mickoski.

Lidhur me pagën minimale, Mickoski tha se është bërë harmonizimi ligjor, me të cilin paga minimale rritet pak mbi 1.600 denarë, gjegjësisht do të jetë pak mbi 26.000 denarë. Ai përsëriti qëndrimin e Qeverisë se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të bien dakord për një rritje shtesë, sepse, thotë, bëhet fjalë për një dialog dypartiak.

"Fakti që individët në njërën nga sindikatat janë të afërt me struktura të caktuara politike dhe kanë hyrë në ato këneta politike është tashmë një problem personal. Nuk mund të hyj në këtë, por strategjia është e qartë. Quhet strategjia midis kudhrës dhe çekiçit. Nga njëra anë, opozita do të kërkojë miratimin e masave populiste që do ta zbrazin buxhetin, dhe nga ana tjetër, përmes disa përfaqësuesve që janë pjesë e udhëheqjes së njërës prej sindikatave, do të kërkojë një rritje të shpenzimeve sociale. Në këtë mënyrë, ata mendojnë se do të ushtrojnë presion mbi Qeverinë dhe ajo do të humbasë tek qytetarët. Por unë nuk mendoj se kjo strategji është e saktë, sepse as njëra dhe as tjetra nuk kanë besueshmëri, sepse njëra ishte Qeveri për shtatë vjet dhe në ato shtatë vjet e vetmja gjë që dëgjuam për punën e tyre ishte krimi, korrupsioni dhe tradhtitë, kryesisht kombëtare. Dhe këta të tjerët nuk kanë besueshmëri për arsyen e thjeshtë se një ditë dalin në një konferencë për shtyp me mua dhe lavdërojnë se si kjo qeveri ka bërë hapa historikë, dhe pastaj të nesërmen i shohim duke protestuar kundër të njëjtës qeveri që lavdëruan në rrugë dhe bllokojnë komunikacionin. Kjo nuk ka funksionuar deri më tani dhe mendoj se nuk do të funksionojë edhe më tej", tha Mickoski në intervistë për tv Ora24. ls/

Foto: printskrin

 

Остани поврзан