• понеделник, 03 март 2025

Andonovski: Institucionet ad-hok po mbrohen nga sulmet kibernetike

Andonovski: Institucionet ad-hok po mbrohen nga sulmet kibernetike

Shkup, 2 mars 2025 (MIA) - Nëse një institucion vendos të mbrohet, e bën këtë. Por ne ende nuk kemi obligim që të gjitha institucionet ta bëjnë këtë, prandaj e kemi këtë pabarazi dhe institucione të caktuara shumë shpesh janë cak i sulmeve kibernetike, tha ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

"Fatkeqësisht, ne jemi një vend pa ligj për sigurinë kibernetike, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës kanë miratuar ligje të tilla 13 vite më parë. Ne po bëjmë përpjekje që ta miratojmë ligjin tani, me shumë mundësi deri në qershor. Ai ligj do të jetë udhërrëfyesi ynë se ku duhet të lëvizim në sigurinë kibernetike. Tani mbrojtja që ne ofrojmë në hapësirën kibernetike është ad-hok. Nëse një institucion vendos të mbrojë veten, ai e bën këtë. Mirëpo, ne ende nuk kemi obligim që të gjitha institucionet ta bëjnë këtë dhe për këtë po na ndodh kjo pabarazi dhe shumë shpesh institucione të caktuara janë cak i sulmeve kibernetike", tha Andonovski.

Në pyetjen se shteti deri më tani ka shpenzuar miliona euro për mbrojtje, por cili është epilogu i kësaj, Andonovski u përgjigj se një numër i madh i institucioneve funksionojnë me licenca të skaduara, por edhe se ligji për sigurinë kibernetike nuk parasheh dispozita kundërvajtëse.

"Ashtu është, një fakt interesant është se mbi 20 institucione kanë blerë antiviruse ruse. Dhjetëra institucione e rritën apo përmirësonin para kohe mbrojtjen e tyre dhe funksiononin me licenca të skaduara. Një numër i madh institucionesh ruajnë të dhënat e qytetarëve në serverë që më vonë nuk u intereson nëse janë të mbrojtura sa duhet apo ku ruhen", sqaroi ministri, duke shtuar se në ligjin e ri Ministria e Transformimit Dixhital do të kontrollojë procesin.

Ai theksoi se këto janë çështje që të gjitha institucionet i kanë zgjidhur në baza ad hok.

"Për dallim nga të gjitha ligjet tjera, në ligjet që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike, nuk kemi pasur dispozita kundërvajtëse dhe mbikëqyrje inspektuese për të siguruar që ato dispozita të ligjeve janë respektuar. Në ndryshimet që i kemi miratuar tani dhe Ligjin e ri për sigurinë kibernetike, Ministria e Transformimit Digjital do ta kontrollojë këtë dhe potencialisht do të ndëshkojë aty ku shohim se institucionet nuk veprojnë", theksoi Andonovski në intervistë. sa/

Foto: Printskrin

Остани поврзан