Albaneze: Plani i Trampit për Gazën është i paligjshëm, i pamoralshëm dhe tërësisht absurd
- Plani i presidentit amerikan, Donald Tramp për okupim të Rripit të Gazës dhe zhvendosje të popullatës së saj është "i paligjshëm dhe tërësisht absurd", deklaroi sot raportuesja e posaçme e KB-së për territoret palestineze, Françeska Albaneze.

Kopenhagë, 5 shkurt 2025 (MIA) - Plani i presidentit amerikan, Donald Tramp për okupim të Rripit të Gazës dhe zhvendosje të popullatës së saj është "i paligjshëm dhe tërësisht absurd", deklaroi sot raportuesja e posaçme e KB-së për territoret palestineze, Françeska Albaneze.
"Ajo që ai (Trampi) e propozon është tërësisht absurde", tha raportuesja gjatë vizitës në Kopenhagë.
Tramp dje tha se dëshiron ta marrë kontrollin ndaj Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta dhe përsëriti se banorët e saj mund të shkojnë të jetojnë në Jordani apo Egjipt, edhe përkundër kundërshtimit të atyre vendeve dhe vetë palestinezëve.
"Ajo është e paligjshme, e pamoralshme dhe pa përgjegjësi. Është tërësisht pa përgjegjësi sepse do ta përkeqësojë krizën rajonale", tha Albaneze, e cila i përsëriti akuzat për gjenocid izraelit në Gazë.
"Propozimi i Trampit është nxitje e zhvendosjes së detyrueshme, që është krim ndërkombëtar", tha ajo.
"Në kontekst të gjenocidit, ajo do ta rrisë pjesëmarrjen në krimet e kryera nga Izraeli në 15 muajt e fundit dhe më parë", tha raportuesja e KB-së për territoret palestineze.
Sipas saj, propozimi i Trampit mund të shkaktojë "panik në botë, sepse pasojat janë shumë të mëdha".
Komisari i lartë i KB-së për të drejta të njeriut, Volker Turk, sot në Gjenevë deklaroi se çfarëdo lloj dëbimi apo zhvendosje e dhunshme e popullatës nga territori i okupuar është rreptësisht i ndaluar.
"Çdo zhvendosje apo dëbim i detyrueshëm i personave nga territori i okupuar është i ndaluar rreptësisht", tha Turk dhe përkujtoi se "e drejta e vetëvendosjes është parim themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe ajo e drejtë duhet të mbrohet nga të gjitha shtetet". ab/
foto: МIА arkivi