Aksidentet e trafikut në rajon: Më shumë viktima në Bullgari dhe Rumani
- Në Maqedoninë e Veriut, vitet e fundit është rritur numri i aksidenteve në trafik. Në vitin 2024 janë regjistruar 8.457 aksidente trafiku, ku jetën e kanë humbur 142 persona (68 për një milion banorë). Numri i viktimave vitet e fundit është në rritje: në vitin 2021 jetën e kanë humbur 116 persona, në vitin 2022 – 124, ndërsa në vitin 2023 – 127.

Sofje, 17 shkurt 2025 (MIA) - Sipas të dhënave të Institutit për siguri në komunikacion, në Bullgari në vitin 2024 kanë ndodhur gjithsej 7.159 aksidente trafiku ku jetën e kanë humbur 479 persona, ndërsa janë lënduar 9.046. Duke pasur parasysh popullsinë prej rreth 6.44 milionë banorë, kjo do të thotë se në një milion banorë jetën e kanë humbur 74 persona, shkruan BTA, duke iu referuar situatës në vendet fqinje.
Rumani
Në Rumani, numri i aksidenteve u ul me 5,7 për qind, ndërsa numri i të viktimave për 3,9 për qind në periudhën janar-nëntor 2024 krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të policisë rumune, në ato 11 muaj kanë ndodhur 3.862 aksidente të rënda trafiku, ku jetën e kanë humbur 1.333 persona, ndërsa 2.980 janë lënduar rëndë. Rumania në vitin 2023 u rendit e dyta për nga numri i vdekjeve në komunikacion në rajon me 81 viktima për një milion banorë.
Serbi
Në Serbi numri i aksidenteve të trafikut në vitin 2024 ka rënë lehtë, por numri i viktimave ka mbetur pothuajse i njëjtë - 501 persona ose 75 viktima për një milion banorë. Gjithsej kanë ndodhur 31.922 aksidente me 18.807 të lënduar. Shkaqet më të shpeshta të aksidenteve me fatalitet ka qenë shpejtësia (44 për qind), humbja e kontrollit të automjetit (14 për qind) dhe drejtimi nën ndikimin e alkoolit (14 për qind).
Në muajin shkurt në Serbi ka hyrë në fuqi masa për konfiskimin e përkohshëm të automjeteve të shoferëve që bëjnë shkelje më të rënda, ku deri më tani janë sekuestruar 348 automjete.
Maqedoni e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, vitet e fundit është rritur numri i aksidenteve në trafik. Në vitin 2024 janë regjistruar 8.457 aksidente trafiku, ku jetën e kanë humbur 142 persona (68 për një milion banorë). Numri i viktimave vitet e fundit është në rritje: në vitin 2021 jetën e kanë humbur 116 persona, në vitin 2022 – 124, ndërsa në vitin 2023 – 127.
Shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve janë shpejtësia, marrja e përparësisë, kthesat e parregullta, vozitja nën ndikimin e alkoolit dhe vozitje pa patentë shoferi. Vitin e kaluar janë zbuluar 19.000 persona që kanë vozitur pa patentë shoferi. Aksidentet më të shumtë kanë qenë në Shkup.
Greqi
Në Greqi, numri i aksidenteve të komunikacionit u rrit për 3.9 për qind në vitin 2024, duke arritur në 11.293 aksidente. Numri i viktimave u rrit për 6.2 për qind, me 654 viktima në 615 aksidente. Greqia është ndër vendet e BE-së me numrin më të madh të viktimave në trafik – 61 viktima për një milion banorë, që është për 33 për qind mbi mesataren e BE-së.
Turqi
Në Turqi në vitin 2024 kanë ndodhur 623.148 aksidente trafiku, ku 2.289 kanë qenë me pasojë fatale. Gjithsej kanë humbur jetën 2.713 persona (32 në një milion banorë), kurse 388.644 janë lënduar. Shkaktarët kryesorë të aksidenteve kanë qenë shpejtësia (105.783 raste), mosdhënia e përparësisë (45.045) dhe lëvizja joadekuate nëpër korsitë e komunikacionit (25.218).
Krahasuar me vitin 2023, numri i viktimave në Turqi është ulur – atëherë ka pasur 2.424 aksidente me pasoja fatale ku jetën e kanë humbur 2.984 persona.
Foto: arkivi