Ageler: Me kujdes jemi duke i ndjekur ngjarjet në sistemin e drejtësisë dhe dëshirojmë të shohim respektimin e ligjit
- Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler sot deklaroi se SHBA-ja me kujdes është duke i ndjekur ngjarjet në sistemin e drejtësisë, konkretisht propozimin qeveritar për shkarkimin e prokurorit publik të Republikës, Ljupço Kocevski, por edhe interpelancat e parashtruara nga grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM deri në Kuvend për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të cilët janë zgjedhur nga dhoma ligjvënëse dhe theksoi se atë që duan të shohin, është që në të gjitha proceset të respektohet ligji.

Shkup, 19 shkurt 2025 (MIA) - Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler sot deklaroi se SHBA-ja me kujdes është duke i ndjekur ngjarjet në sistemin e drejtësisë, konkretisht propozimin qeveritar për shkarkimin e prokurorit publik të Republikës, Ljupço Kocevski, por edhe interpelancat e parashtruara nga grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM deri në Kuvend për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të cilët janë zgjedhur nga dhoma ligjvënëse dhe theksoi se atë që duan të shohin, është që në të gjitha proceset të respektohet ligji.
Ageler sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për të komentuar propozimin e qeverisë për shkarkimin e Kocevskit, shkurt u përgjigj se nuk ka koment, por se po e ndjekin nga afër procesin.
"Nuk kam koment, jam e njoftuar dhe jemi duke e ndjekur procesin, sipas njohurive të mia, procesi është në vijim sipas procedurave ligjore dhe ne jemi duke e monitoruar nga afër", u përgjigj shkurt Ageler, pas dorëzimit të automjetit operativ mobil për Kryqin e Kuq.
Lidhur me ngjarjet në Këshillin Gjyqësor, gjithashtu nuk ka hyrë në hollësira dhe vetëm shkurt u përgjigj se nga afër janë duke e ndjekur edhe atë proces.
Qeveria në seancën e djeshme, ka shqyrtuar mendimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe pas diskutimeve serioze, ka urdhëruar Ministrinë adekuate të parashtrojë propozimin për shkarkimin e prokurorit publik të Republikës para skadimit të mandatit të tij, i cili pastaj, siç tha dje në konferencën për media, zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva, do t'i dorëzohet Këshillit të prokurorëve publikë.
"Duke vepruar sipas konkluzionit të miratuar në seancën e kaluar të Qeverisë, me të cilin kemi ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë të ndërmarrë aktivitete lidhur me fillimin e procedurës për shkarkimin e prokurorit publik, Ministria e Drejtësisë ka parashtruar një opinion në të cilin janë shënuar këto kushte: së pari, dëmtimi i reputacionit të institucionit që drejtohet nga prokurori publik, sepse ruajtja e reputacionit të institucionit është detyrë që buron nga Ligji për Prokurorinë Publike, konkretisht neni 4, paragrafi 1. Më tutje, i gjithë publiku në periudhën e kaluar ka qenë dëshmitar i një sërë skandalesh, funksionalitet i dëmtuar i Prokurorisë Publike, veprime të paligjshme dhe korrupsion, joefikasitet dhe shkelje të parimeve dhe pavarësisë në kryerjen e funksioneve të prokurorëve", tha Miteva.
Prokurori republikan, Ljupço Kocevski dje deklaroi se për propozimin për shkarkimin e tij do të prononcohet pasi Qeveria ta dorëzojë atë në Këshillin e prokurorëve publik. Sa i përket kërkesës së kryeministrit Hristijan Mickoski për ta braktisur funksionin, Kocevski tha se do të përgjigjet pasi t'i ketë parë bazat e parapara në Ligjin për prokurorinë publike. Nëse konfirmohet se ka vërtetë shkelje të rëndë disiplinore, ai tha se do të japë dorëheqje vetë.
Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM në Kuvend kanë ngritur interpelanca individuale për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Cërvenkovska dhe Selim Ademi. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sipas Rregullores, duhet t'ua dorëzojë dhe në afat prej dhjetë ditësh të marrë përgjigje se a do t'i përgjigjen pretendimeve të përfshira në të.
Madje pasi të kalojë ky afat, pavarësisht nëse anëtarët e Këshillit të cilët i zgjedh Kuvendi, duan të flasin apo jo, Gashi do të mund ta caktojë seancën, në të cilën do të debatohet për këto interpelanca. Në përputhje me këto afate, pritjet janë që seancë për diskutimin e interpelancave të mbahet brenda ose në fillim të marsit. qa/bsh/