Transportuesit nga Maqedonia sonte në orën 20 tërhiqen nga bllokadat në vendkalimet kufitare
- Transportuesit nga Maqedonia sonte në ora 20 do të tërhiqen nga bllokadat në pjesën e transportit të mallrave nga vendkalimet kufitare, vendosi këtë pasdite në takim Asociacioni “Makam-Trans”, pasi Komisioni Evropian miratoi një vendim për një strategji të re për vizat, e cila do të zgjidhë problemin me të cilin u përballën shoferët profesionalë për qëndrimin 90 brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.
Shkup, 29 janar 2026 (MIA) – Transportuesit nga Maqedonia sonte në ora 20 do të tërhiqen nga bllokadat në pjesën e transportit të mallrave nga vendkalimet kufitare, vendosi këtë pasdite në takim Asociacioni “Makam-Trans”, pasi Komisioni Evropian miratoi një vendim për një strategji të re për vizat, e cila do të zgjidhë problemin me të cilin u përballën shoferët profesionalë për qëndrimin 90 brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.
Me këtë, pas pothuajse katër ditësh ndërprerjeje, qarkullimi i transportit të mallrave në pikat kufitare “Deve Bair”, “Dellçevë”, “Novo Sellë”, “Dojran”, “Bogorodicë”, “Mexhitlia”, “Qafë Thanë, “Bllacë”, “Blato” dhe “Stenjë” për hyrje dhe dalje nga vendi do të normalizohet.
“Makam-Trans” në një njoftim në Fejsbuk theksoi se po tërhiqen nga bllokadat, sepse me vendimin e BE-së është marrë konfirmimi që ata prisnin për ndryshime, dhe falënderoi të gjithë ata që, siç thonë, pa lodhje gjatë ditëve të fundit dhanë mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me bllokadën në vendkalimet kufitare.
"Bashkimi dhe këmbëngulja juaj dhanë rezultate. Sipas njoftimit zyrtar nga ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, Komisioni Evropian ka vendosur të miratojë një strategji të re për vizat, e cila do të zgjidhë problemin me të cilin u përballën shoferët profesionistë për qëndrimin 90 brenda një periudhe 180-ditore. Pasi është marrë konfirmimi që prisnim për ndryshime, ju njoftojmë se protesta e organizuar nga Asociacioni “Makam-Trans” në vendkalimet kufitare Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitlia, Qafë Thanë, Bllacë, Blato dhe Stenjë do të NDËRPRITET sonte, më 29.01.2026, në orën 20:00 për hyrje dhe dalje nga vendi. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj të gjitha mediave dhe portaleve që e bënë të dukshme luftën tonë për gjithë ECropën. Së bashku jemi më të fortë!”, thonë nga “Makam-Trans”.
Transportuesit nga vendi, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nisën bllokadën në fillim të javës, duke kërkuar të përjashtohen nga sistemi i ri i kontrollit të hyrjes dhe daljes në BE, për shkak të cilit thonë se po përballen me dëme ekonomike dhe deportime.

Paraprakisht, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski njoftoi se Brukseli do të miratojë një Strategji të re për vizat e cila do të zgjidhë problemin e transportuesve të cilët për katër ditë kanë bllokuar vendkalimet kufitare drejt zonës Shengen.
"Sapo mora lajme të shkëlqyera nga Brukseli në lidhje me problemin e madh të transportuesve nga Maqedonia! Qëndrimet tona janë pranuar. Shoferët janë pranuar si profesionistë. Kjo është ajo që kërkonim. Pas protestave dhe ofensivës së fortë në periudhën e kaluar, Brukseli do të miratojë një Strategji të re për vizat që do të thotë zgjidhje e problemit me të cilin përballen shoferët profesionistë", shkruan Nikolloski në një postim në Fejsbuk, duke ndarë një pjesë të risive.
Zëvendëskryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, Hena Virkunen, gjatë prezantimit të Strategjisë së BE-së për vizat, strategji evropiane për azilin dhe menaxhimin e migracionit të miratuara në seancën e sotme të Kolegjit të komisarëve, tha se me strategjinë propozojnë të shqyrtojnë fleksibilitet më të madh transportuesit, sigurisht pa rrezikuar sigurinë dhe në të njëjtën kohë pa ndryshuar rregullat, madje as kur bëhet fjalë për udhëtimin pa viza.
Ajo thekson se kur bëhet fjalë për punëtorët ndërkufitarë, të cilët kalojnë kufirin çdo ditë në të njëjtën vendkalim, ka përjashtime dhe fleksibilitet, por kjo nuk vlen për disa profesione të tjera, ku janë identifikuar edhe sfida, siç janë shoferët e kamionëve, sportistët dhe artistët.
"Por, ne po e shqyrtojmë këtë dhe në këtë strategji për vizat tani i rikthehemi këtij problemi", shtoi Virkuneni, pa dhënë masa konkrete.
Ajo theksoi se me Sistemin e ri të hyrje/daljes (EES) nuk janë vendosur rregulla të reja kur bëhet fjalë për kohëzgjatjen e një qëndrimi të shkurtër në zonën Shengen pa viza dhe mbetet mundësia e një qëndrimi deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. ls/
Foto: MIA