• четврток, 26 март 2026

Raporti vjetor për punën e gjykatave në vitin 2025: Janë përditësuar 16 gjykata, 18 të papërditësuara

Raporti vjetor për punën e gjykatave në vitin 2025: Janë përditësuar 16 gjykata, 18 të papërditësuara

Shkup, 25 mars 2026 (MIA) - Gjashtëmbëdhjetë gjykata u përditësuan në vitin 2025, nga të cilat 14 ishin themelore dhe dy gjykata të apelit në Shtip dhe Gostivar. Të papërditësuara në punën kanë qenë 18: Gjykata Supreme, Gjykata e Lartë Administrative, Gjykata Administrative, gjykatat e apelit në Shkup dhe Manastir dhe 13 gjykata themelore, që do të thotë se shumica e gjykatave në vend vitin e kaluar kanë pranuar më shumë lëndë, sesa kanë zgjidhur dhe në këtë mënyrë e kanë rritur numrin e lëndëve të pazgjidhura.

Këtë e dëshmojnë të dhënat statistikore të përfshira në Raportin vjetor për punën e gjykatave për vitin 2025, i cili ishte në rendin e ditës së seancës së sotme të Këshillit Gjyqësor dhe i cili u miratua unanimisht nga anëtarët e tij.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska, duke nxjerrë të dhënat nga Raporti, deklaroi se në nivel shtetëror në janar të vitit 2025 gjykatat filluan punën e tyre me 134.729 lëndë, në punë kanë pranuar 540.122 lëndë të reja, kanë pasur gjithsej 674.851 lëndë në punë. Nga ky fond lëndësh janë zgjidhur 540.241 lëndë, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur 134.610 lëndë. Gjatë vitit 2025 janë keqevidentuar 217 lëndë.

Sipas të dhënave të deklaruara në nivel shteti, gjykatat në vitin 2025 arritën të kapërcejnë fluksin e lëndëve, kanë ulur ngecjen për 119 lëndë, prandaj vlerësimi i përgjithshëm është se ato janë të përditësuara.

Dimovska tha se edhe ata që kanë punuat në mënyrë të përditësuar deri më tani, ashtu edhe ata që e përfunduan vitin me hyrje të shtuar të lëndëve, sepse, siç thotë ajo, ata punojnë në kushte të vështira, me një numër të pamjaftueshëm të gjykatësve, por edhe administratë gjyqësore, e në disa nga gjykatat, siç përmendi, policia gjyqësore, për shkak të mungesës së stafit, kryen të gjitha detyrat që janë në kompetencë të administratës.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor Xheneta Bektoviq bëri të ditur se në janar të vitit 2025 Gjykata Supreme filloi punën e saj me 648 lëndë të pazgjidhura, në punë ka marrë 4.273 lëndë të reja, në punë ka pasur gjithsej 4.921 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 4.189 lëndë, kanë mbetur të pazgjidhura 732 lëndë, një lëndë është evidentuar gabimisht. Gjykata Supreme nuk e ka kapërcyer fluksin dhe e ka shtuar për 84 çështje të prapambetura dhe është e papërditësuar, ndryshe nga viti i kaluar kur është vlerësuar si e përditësuar.

Janarin e vitit 2025, Gjykata e Lartë Administrative e filloi me 2091 lëndë, ka pranuar në punë 3550 lëndë të reja, në punë ka pasur gjithsej 5.641 lëndë, janë zgjidhur 2.982, ndërsa 2.659 kanë mbetur të pazgjidhura. 10 raste janë evidentuar gabimisht. Kjo Gjykatë nuk e ka tejkaluar fluksin e lëndëve dhe e ka rritur ngecjen në 568 lëndë dhe vlerësohet si e papërditësuar.

Janarin e vitit 2025, Gjykata Administrative e ka filluar punën e saj me 3759 lëndë të pazgjidhura, ka pranuar 8071 lëndë të reja, ka pasur në punë gjithsej 11 830 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 6.702 lëndë, kanë mbetur të pazgjidhura 5.128 lëndë, janë evidentuar gabimisht 23 lëndë. Gjykata nuk e ka tejkaluar prurjen dhe e ka rritur ngecjen për 1369 lëndë dhe gjithashtu, bëhet e ditur, është e papërditësuar.

Gjykata e Apelit Shkup filloi punën e saj në janar të vitit 2025 me 7.585 lëndë të pazgjidhura, mori në punë 13.614 lëndë të reja, kishte gjithsej në punë 21.199 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 13.496 lëndë, kanë mbetur 7.703 lëndë, janë evidentuar gabimisht 11 lëndë. Gjykata nuk e ka tejkaluar prurjen dhe e ka rritur ngecjen për 118 lëndë dhe është vlerësuar si e papërditësuar.

Gjashtë gjykata themelore të këtij rrethi të apelit vlerësohen si të përditësuara - në Veles, Gjevgjeli, Kratovë, Kumanovë, Negotinë dhe Gjykata Themelore Penale – Shkup, ndërsa tre si të papërditësuara - Kavadar, Kriva Pallankë dhe Gjykata Themelore Civile Shkup.

Janarin e vitit 2025, Gjykata Penale në Shkup e filloi punën e saj me 20.917 lëndë të pazgjidhura, ka marrë 104.766 lëndë të reja dhe ka pasur gjithsej 125.683 lëndë. Nga ky fond, janë zgjidhur 108.331 lëndë, 17.352 lëndë kanë mbetur të zgjidhura dhe shtatë lëndë janë evidentuar gabimisht. Ka tejkaluar fluksin e lëndëve dhe ka reduktuar ngecjen për 3565 lëndë dhe vlerësohet si e përditësuar.

Gjykata Themelore Civile – Shkup në janar të vitit 2025 filloi punën e saj me 21.410 lëndë të pazgjidhura, mori në punë 31.962 lëndë të reja, kishte gjithsej në punë 53.372 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 30.629 lëndë, kanë mbetur të pazgjidhura 22.743 lëndë, 45 lëndë janë evidentuar gabimisht. Kjo Gjykatë nuk e ka tejkaluar fluksin dhe e ka rritur ngecjen për 1333 lëndë dhe vlerësohet si e papërditësuar.

Gjykata e Apelit në Manastir në janar të vitit 2025 filloi punën e saj me 2120 lëndë të pazgjidhura, në punë ka marrë 5385 lëndë të reja, ka pasur në punë gjithsej 7505 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 4.820 lëndë, kanë mbetur të pazgjidhura 2.685 lëndë dhe janë evidentuar gabimisht dy lëndë. Kjo Gjykatë nuk e ka tejkaluar fluksin e lëndëve dhe e ka rritur ngecjen për 565 lëndë dhe është e papërditësuar.

Në këtë fushë të apelit, Gjykata Themelore në Resnjë u vlerësua si e përditësuar, ndërsa gjykatat themelore në Manastir, Krushevë, Ohër, Prilep dhe Strugë u vlerësuan si të papërditësuara.

Gjykata e Apelit në Shtip në janar të vitit 2025 ka filluar punën me 2009 lëndë të pazgjidhura, në punë ka marrë 4009 lëndë të reja, në punë ka pasur gjithsej 6018 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 4.124 lëndë, kanë mbetur të pazgjidhura 1.894 lëndë dhe nuk ka lëndë të evidentuara gabimisht. Ajo ka tejkaluar prurjen dhe ka zvogëluar ngecjen për 115 lëndë dhe është e përditësuar.

Nga kjo zonë e apelit, gjykatat themelore në Vinicë, Koçan, Radovish, Shën Nikollë, Strumicë dhe Shtip u vlerësuan si të përditësuara në punën e vitit të kaluar, ndërsa si të papërditësuara në Berovë dhe Dellçevë.

Gjykata e Apelit në Gostivar në janar të vitit 2025 filloi punën me 1.087 lëndë të pazgjidhura, në punë mori 4570 lëndë të reja, ka pasur gjithsej 5657 lëndë. Nga ky fond janë zgjidhur 5110 lëndë, të pazgjidhura kanë mbetur 547 lëndë, nuk ka lëndë të evidentuara gabimisht. Ka tejkaluar fluksin dhe ka zvogëluar ngecjen për 540 lëndë dhe është e përditësuar.

Në këtë fushë të apelit, Gjykata Themelore në Gostivar u vlerësua si e përditësuar, ndërsa Gjykatat Themelore në Dibër, Kërçovë dhe Tetovë u vlerësuan si të papërditësuara.

Bektoviqi theksoi se çdo gjykatës duhet të ketë ekip për të zgjidhur lëndët në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë dhe shfaqi shpresën se mungesa e stafit në administratën gjyqësore do të zgjidhet këtë vit dhe do të arrihen rezultate më të mira. ls/

Foto: MIA arkivi/printskrin

Остани поврзан