Zelenski: Propozimi i Ukrainës për të mos sulmuar infrastrukturën civile mbetet në tryezë
- Propozimi i Ukrainës për ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës civile mbetet në tryezë, por kjo kërkon përkushtimin e vërtetë të Rusisë për të marrë pjesë në dialog, publikoi sot presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski në Telegram.
- Post By Fami Bajrami
- 18:15, 22 prill, 2025

Kiev, 22 prill 2025 (MIA) - Propozimi i Ukrainës për ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës civile mbetet në tryezë, por kjo kërkon përkushtimin e vërtetë të Rusisë për të marrë pjesë në dialog, publikoi sot presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski në Telegram.
"Propozimi jonë për ndërprerje të sulmeve kundër infrastrukturës civile mbetet gjithashtu në tryezë. Duhet përkushtim i vërtetë nga Rusia për të marrë pjesë në këtë dialog. Nuk ka dhe nuk do të ketë pengesa nga Ukraina", potencoi Zelenski.
Ai shtoi se Kievi propozoi zgjatjen e armëpushimit për Pashkët dhe shndërrimin e tij në një armëpushim të plotë.
Zelenski dje deklaroi se Ukraina është e gatshme për çdo formë diskutimi për t'i dhënë fund sulmeve ndaj objekteve civile.
Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov deklaroi se Rusia ishte e gatshme të shqyrtojë propozimin e presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës civile.
"Kur flasim për objektet e infrastrukturës civile, duhet të dallojmë qartë se në cilat rrethana këto objekte mund të jenë objektiv ushtarak, e në çfarë rrethanash nuk munden", potencoi Peskov, duke cituar deklaratën e Putinit se një objekt civil mund të jetë objektiv ushtarak nëse aty ka luftëtarë armiq.
Putini para Pashkëve shpalli armëpushim 30-orësh. Por, Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përsëritur të armëpushimit në Pashkë dhe për mosrespektim të një moratoriumi mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, të dakorduar me ndërmjetësimin e SHBA muajin e kaluar. rq/bsh/
Foto: EPA