Varheji: Pagesa e mjeteve të para nga Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor është e mundur para pushimeve verore
- - Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor përfshin një pako masash për të inkurajuar vendet e rajonit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në BE shumë më shpejt dhe një grup shtesë për të mbështetur ekonomitë dhe investimet e tyre dhe përderisa gjithçka shkon sipas planit, pagesa e parë e mjeteve, gjegjësisht paradhënies, mund të ndodhë para pushimeve verore, deklaroi komisari evropian për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë Oliver Varheji në intervistën për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
- Post By Fitore Curri
- 11:41, 6 prill, 2024
Bruksel, 6 prill 2024 (MIA) - Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor përfshin një pako masash për të inkurajuar vendet e rajonit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në BE shumë më shpejt dhe një grup shtesë për të mbështetur ekonomitë dhe investimet e tyre dhe përderisa gjithçka shkon sipas planit, pagesa e parë e mjeteve, gjegjësisht paradhënies, mund të ndodhë para pushimeve verore, deklaroi komisari evropian për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë Oliver Varheji në intervistën për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
"Këtu nuk është vetëm financimi, por edhe agjendat e hapura dhe mundësia për të ndjerë paraprakisht disa nga përfitimet e integrimit gradual", thekson Varheji në intervistën e dhënë me rastin e marrëveshjes së djeshme mes Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian për krijimin e Mekanizmit për rritje dhe reformë në Ballkanin Perëndimor që është instrument financiar i Planit të rritjes.
Sipas Varhejit, punët tani janë vendosur në mënyrë që deri në vitin 2027 kur dhe skadon Korniza aktuale shumëvjeçare financiare dhe skadon Plani i rritjes ne do të kishim gjithçka që nevojitet që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë gati për t'u anëtarësuar në Union.
"Shpresoj se është gjithashtu e qartë se kjo është një ankorë politike e procesit të zgjerimit dhe se nuk është e kthyeshme nëse vendi kandidat nuk vendos të largohet vetë nga procesi. Por, nga ana jonë ne tani po vendosim veten në mënyrë që zgjerimi të mund të zbatohet", theksoi eurokomisari.
Varheji theksoi se tani duhet të përfundojë procedura formale për miratimin e Rregullores për krijimin e Mekanizmit, si dhe zhvillimi i agjendave reformuese të secilit prej vendeve të rajonit.
"Shpresoj që javën e ardhshme do të miratohet nga Këshilli (i BE-së), dhe pastaj do të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian në plenumin e fundit në prill, që do të thotë se atëherë do të themelohet Mekanizmi. Tashmë jemi duke punuar me partnerët nga Ballkani Perëndimor për të marrë agjendat e tyre reformuese, në mënyrë që në kohën e krijimit të Mekanizmit, ne tashmë të fillojmë të punojmë në agjendat e reformave dhe t'i aprovojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur", tha Varheji për gazetarin e Tanjugut i cili intervistën e realizoi në emër të ENR-së.
Sipas eurokomisarit, vendet prej Ballkanit Perëndimor kanë shkuar mjaft larg në zhvillimin e agjendave të tyre reformuese dhe tashmë janë dorëzuar propozimet përfundimtare.
Në lidhje me atë se kur mund të priten disbursimet e para të fondeve nga Mekanizmi, Varheji tha se kjo do të varet edhe nga zbatimi i reformave në raportin e vitit të kaluar për ecurinë e vendeve të rajonit në rrugën drejt BE-së.
"Pra, gjithmonë do të ketë një lidhje mes asaj që duhet bërë në drejtim të procesit të zgjerimit dhe agjendave reformuese. Ndërsa pagesa e parë, shpresojmë se do të jetë menjëherë pas miratimit të agjendës reformuese. Ndoshta mund të bëhet para pushimeve verore. Kjo është ajo që ne synojmë", potencon Varheji.
Ai theksoi se me fondet e Mekanizmit, vendet nga Ballkanit Perëndimor do të mund të përshpejtojnë reformat, por edhe të ofrojnë investime për projekte nga mjedisi apo sektori energjetik, ndaj duke u bazuar në rregullat e vendosura dhe kërkesat ligjore.
Në lidhje me pjesën tjetër të masave që parashikon plani për integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE, Varheji tha se vitin e kaluar në nëntor ka përgatitur një listë të fushave ku mendon se procesi mund të avancohet.
"Për shembull, mendoj se masa më e dukshme dhe më domethënëse që mund të bëjmë këtë vit është pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), e cila do të çojë në uljen e shpenzimeve në transferat e parave midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas meje, kjo do të ishte arritja më e dukshme, theksoi komisari për zgjerim.
Rreth ndikimit të mundshëm të zgjedhjeve për anëtarë të Parlamentit Evropian në realizimin e Planit, por edhe aderimin e përgjithshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Varheji thekson se kur është fjala për zgjerimin ai proces i cili më së shumti zhvillohet në Këshillin e BE-së dhe nga shtetet anëtare- zgjedhjet evropiane kësisoj nuk do të kishin një ndikim të rëndësishëm në të.
"Kuptohet, rol në atë si ligjvënës ka dhe Parlamenti Evropian për shembull gjatë krijimit të Mekanizmit, por për sa i përket dinamikës së procesit politik, Këshilli është ai që është kyç", theksoi Varheji.
Ai shpreh shpresën se përbërja e ardhshme e Parlamentit Evropian do të ndihmojë në zbatimin më të shpejtë të Planit, sepse siç thotë ai, është në interes të Bashkimit Evropian që të arrijë këtë sukses, por edhe të ndihmojë në uljen e hendekut ekonomik dhe social mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
"Përgjigja e vërtetë pikërisht para zgjedhjeve, si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për qytetarët e BE-së, është se me këtë kemi garanci të qarta se ajo që duhet bërë me reformat do të bëhet, ndërsa në lidhje me Ballkanin Perëndimor se mundemi të sigurojmë përfitime më të mëdha nga inkuadrimi para anëtarësimit në Bashkimin Evropian", porositi Varheji në një intervistë për ENR.
Fotografia: Arkivi i MIA-s