• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ujvari: BE-ja nuk e la BeH-në e vetme të përballet me përmbytjet

Ujvari: BE-ja nuk e la BeH-në e vetme të përballet me përmbytjet

Bruksel, 7 tetor 2024 (MIA) - Gjithsej 12 vende, përmes Mekanizmit për mbrojtje civile të BE-së, kanë ofruar ndihmë emergjente për Bosnje e Hercegovinën të cilët janë prekur nga përmbytjet e mëdha ditët e fundit, kumtoi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për ndihmë humanitare dhe menaxhim me kriza, Balazh Ujvari.

"Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia janë tashmë në terren dhe mbështesin përpjekjet lokale për t'iu përgjigjur krizës", theksoi Ujvari, duke shtuar se në këto kushte BE-ja nuk e la BeH të qetë për t'u marrë me fatkeqësinë natyrore.

Këto ekipe, të cilat mbërritën në zonat e përmbytura gjatë fundjavës, janë në kërkim të personave të zhdukur dhe po pastrojnë mbeturinat me qëllim për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës vitale.

Ujvari informoi se Komisioni Evropian ka organizuar edhe shpërndarjen e tendave dhe objekteve të montuara nga Shqipëria, Hungaria, Mali i Zi, Rumania dhe Turqia për strehimin e banorëve shtëpitë e të cilëve janë prekur nga përmbytjet.

"Gjithashtu, po përdorim sistemin tonë satelitor Kopenikus për të ndihmuar autoritetet lokale të vlerësojnë situatën në terren. Kuptohet, mbetemi të gatshëm për të ofruar ndihmë shtesë në orët dhe ditët në vijim", shtoi Ujvari.

Në lidhje me përmbytjet në BeH edhe eurokomisari për menaxhim me kriza, Janez Lenarçiç potencoi se vendi nuk është lënë i vetëm të përballet me përmbytjet shkatërruese.

Duke shprehur mirënjohje për ekipet e emergjencës të cilët ndihmojnë përpjekjet lokale për t'iu përgjigjur krizës, Lenarçiç potencoi se kjo është "një shprehje e fuqishme e solidaritetit të BE-së në një kohë me nevojë të madhe.

Dje, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një publikim në Iks informoi se Unioni ka aktivizuar Mekanizmin e tij të mbrojtjes civile dhe dërgoi ekipe shpëtimi në zonat e përmbytura në BeH, që gjithashtu i vlerësoi si provë për "solidaritetin e BE-së në vepër".

"Zemrat dhe mendjet tona janë me personat në Bosnje e Hercegovinë të prekur nga përmbytjet shkatërruese", shtoi Fon der Lajen në publikim.

Më herët edhe shefi i delegacionit të BE në Bosnje e Hercegovinë, Luixhi Soreca, gjithashtu në Iks, publikoi se BeH aktivizoi Mekanizmin e mbrojtjes civile të BE të shtunën dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në terren në zonat e përmbytura.

"BE qëndron në krah të BeH-së! Në vendngjarje kanë arritur ekipet për intervenim. Bosnje e Hercegovina është anëtare e plotfuqishme e Mekanizmit që nga shtatori i vitit 2022. Ekipet nga Bosnje e Hercegovina morën pjesë në përpjekjet e shpëtimit në Slloveni dhe Turqi. Solidaritet në vepër", shprehet Soreca në publikim.

Në përmbytjet të cilat nga fillimi përfshiu pjesët e BeH, pas çka më rëndë janë goditur rajonet e Jabllanicës, Fojnicës, Kreshevës, Kisenjjak, Konjic dhe Visoko, sipas mediave lokale, jetën kanë humbur të paktën 26 persona, ndërsa rreth 40 rezultojnë si të zhdukur. rq/

Foto: arkivi i MIA-s/Iks

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR