Trampi: Irani duhet të heqë dorë nga armët bërthamore ose të përballet me përgjigje ushtarake
- Presidenti amerikan, Donald Tramp, sot deklaroi se Irani duhet të heqë dorë nga çdo aspirate të armëve bërthamore ose të përballet me një sulm të mundshëm ushtarak amerikan në objektet e tij bërthamore.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 21:03, 14 prill, 2025

Uashington, 14 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp, sot deklaroi se Irani duhet të heqë dorë nga çdo aspirate të armëve bërthamore ose të përballet me një sulm të mundshëm ushtarak amerikan në objektet e tij bërthamore.
Trampi u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai beson se Irani po e vonon qëllimisht marrëveshjen bërthamore dhe deklarata e tij erdhi pasi i dërguari i posaçëm amerikan Stiv Vitkof u takua me Ministrin iranian të Punëve të Jashtme Abas Araqçi të shtunën në Oman.
Edhe SHBA edhe Irani pas bisedimeve në Oman bënë të ditur se bisedimet ishin "pozitive" dhe "konstruktive".
"Irani duhet të heqë dorë nga koncepti i armëve bërthamore. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore", tha Trampi.
Lidhur me luftën në Ukrainë, Tramp deklaroi se në luftën në Ukrainë "miliona njerëz kanë vdekur për shkak të tre personave" - presidenti rus Vladimir Putin, ish-presidenti amerikan Xhozef Bajden, për të cilin ai tha se "nuk e kishte idenë" dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Pas takimit me liderin e El Salvadorit, Naxhib Bukele, Tramp u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se gjithçka që donte ishte "të ndalonte vrasjen" në Ukrainë, raportoi Skaj njuz.
"Bajdeni mund ta kishte ndaluar, Zelenski mund ta ndalonte, ndërsa Putini nuk duhet ta kishte filluar kurrë. Dhe gjithçka që mund të bëj është të përpiqem ta ndaloj, kjo është gjithçka që dua. Dua të ndaloj vrasjen. Dhe mendoj se po bëjmë një punë të mirë në këtë drejtim. Mendoj se do të keni propozime shumë të mira shumë shpejt", tha Trampi.
Ai e akuzoi Zelenskin se nuk është "kompetent".
Foto: EPA