Të paktën dy të vrarë gjatë sulmit rus në Kiev
- Të paktën dy persona u vranë në Kiev gjatë natës kur mbetjet e një droni goditën ndërtesa banimi, duke shkaktuar zjarre në disa zona, njoftoi sot agjencia e mbrojtjes civile dhe kryetari i bashkisë, Vitalij Kliçko.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:21, 7 maj, 2025
Kiev, 7 maj 2025 (MIA) - Të paktën dy persona u vranë në Kiev gjatë natës kur mbetjet e një droni goditën ndërtesa banimi, duke shkaktuar zjarre në disa zona, njoftoi sot agjencia e mbrojtjes civile dhe kryetari i bashkisë, Vitalij Kliçko.
Viktimat u gjetën ndërsa zjarrfikësit përpiqeshin të shuanin zjarret në ndërtesat që shpërthyen pasi pjesë të një droni ranë mbi një ndërtesë pesëkatëshe. Ndërkohë, sirenat e sulmeve ajrore vazhduan të binin në kryeqytet këtë mëngjes, ndërsa Kliçko u dha udhëzime banorëve të strehoheshin.
Kliçko deklaroi se tetë persona të tjerë u plagosën, përfshirë katër fëmijë. Shërbimet e mbrojtjes civile konfirmuan pesë të plagosur. Tejmur Tkaçenko, kreu i administratës ushtarake të qytetit, gjithashtu në Telegram njoftoi se ka pesë të plagosur.
Në një zonë u dëmtuan pjesë të një ndërtese banimi, informon Tkaçenko. Në një rast tjetër u përfshinë nga flakët banesa në katin e shtatë, tetë dhe nëntë të një ndërtese dhjetëkatëshe. Është goditur gjithashtu edhe një supermarket.
Mediat ukrainase raportuan se u dëgjuan shpërthime gjatë alarmit për sulme ajrore në qytet.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në Fejsbuk njoftoi se gjatë natës, rusët lëshuan katër raketa balistike dhe 142 dronë, gjysma e të cilëve "Shahedi". Sipas tij, dhjetëra dronë të tjerë janë ende në qiellin e Ukrainës.
Zelenski njoftoi se Kievi u godit dy herë - së pari nga raketat balistike dhe pastaj këtë mëngjes edhe nga dronë. Të gjitha shërbimet e emergjencës janë aktualisht në vendngjarje dhe po ndihmojnë njerëzit. Deri më tani, ka pasur raportime për shtatë persona të plagosur, përfshirë katër fëmijë.
Ai informoi se që nga mbrëmë ka pasur sulme të shumta në rajonet Zaporizhia, Donjeck, Zhitomir, Herson dhe Dnjepër. Shërbimet e emergjencës u dërguan në të gjitha ato vende. Pas sulmit rus me raketa balistike në Çerneçinan e Madh në rajonin Sumi, rusët gjithashtu filluan të hedhin bomba ajrore dhe të bombardojnë zonën - pikërisht kur operacionet e shpëtimit ishin duke u zhvilluar, shtoi ai.
Në Moskë, prefekti Sergej Sobjanin në Telegram njoftoi se mbrojtja ajrore ruse gjatë natës kishte kapur nëntë dronë ukrainas. Deri më tani nuk ka raportime për dëme apo viktima. qa/
Foto: Zelenski në Fejsbuk