• e premte, 02 janar 2026

Tragjedi në Kran-Montana: Të paktën 40 të vdekur dhe 115 të lënduar, Evropa mobilizohet për të ndihmuar të pësuarit

Tragjedi në Kran-Montana: Të paktën 40 të vdekur dhe 115 të lënduar, Evropa mobilizohet për të ndihmuar të pësuarit

Kran-Montana, 2 janar 2026 (MIA) - Autoritetet zvicerane dhe shërbimet evropiane të shpëtimit po punojnë nën presion të lartë pas zjarrit shkatërrues që shpërtheu gjatë një feste të Vitit të Ri në barin "Konstelejshn" (Le Constellation) në vendpushimin alpin Kran-Montana. Sipas të dhënave të fundit zyrtare, numri i viktimave është tragjik: rreth 40 të vdekur dhe 115 të lënduar, shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Konfuzion rreth numrit të viktimave dhe gjendja e rëndë e të lënduarve

Zyrtari zviceran Stefan Ganzer, në deklaratë për median franceze RTL, mohoi informacionet fillestare jozyrtare të cilat cituan burime italiane për 47 të vdekur, duke theksuar se numri i konfirmuar aktualisht është rreth 40 persona. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata po ndryshon vazhdimisht.

Ganzer theksoi se midis 80 dhe 100 persona u lënduan rëndë dhe kishin nevojë për kujdes urgjent mjekësor. Pacientët me djegie të shkallës së tretë që mbulojnë më shumë se 15 përqind të trupit të tyre janë në rrezik të veçantë, për shkak të rrezikut të lartë të septicemisë dhe vdekjes në orët dhe ditët në vijim.

"Film i tmerrit": Viktimat janë kryesisht adoleshentë

Një nga aspektet më tronditëse të kësaj tragjedie është mosha e viktimave. Mjekët konfirmojnë se pacientët janë "shumë të rinj", midis moshës 15 dhe 25 vjeç. Meqenëse mosha ligjore për të pirë alkool në Zvicër është 16 vjeç, bari ishte plot me turistë të rinj dhe banorë vendas.

Dëshmitë e të mbijetuarve janë rrënqethëse. Ilan Ashur (26), i cili ndihmoi në shpëtim, e përshkroi skenën si një "film i tmerrit". "Të gjithë u dogjën, të gjithë bërtisnin. Humba shoqen time më të mirë, ajo vdiq në krahët e mi ndërsa po përpiqeshim ta ringjallnim", deklaroi ai për Rojters.

Më shumë se një ditë pas zjarrit, prindërit e dëshpëruar ende po kërkojnë fëmijët e tyre. Midis të zhdukurve eshtë edhe një shtetas nga Maqedonia. Gjithashtu, të zhdukur rezultojnë edhe gjashtë adoleshentë nga Italia, përfshirë Xhovani Tamburi nga Xhenova, nëna e të cilit bëri thirrje publike për ndihmë në rrjetet sociale pasi nuk arriti ta gjente atë në asnjë spital.

Hetimi dhe provat: Fotot konfirmojnë momentin e ndezjes

Hetimi është duke vazhduar, ndërsa kordoni i policisë rreth lokalit u lirua pjesërisht sot, duke zbuluar tenda të bardha mjeko-ligjore në hyrjet.

Megjithëse autoritetet refuzojnë të spekulojnë për shkaqet, shërbimi i verifikimit të fakteve i Bi-Bi-Si-së  (BBC Verify) e konfirmoi vërtetësinë e dy fotografive nga nata fatale. Në to shihen shishe shampanje me qirinj piroteknikë të ndezur (spërkatës) dhe flakë që tashmë arrinin tavanin.

Hetimi duhet të përcaktojë nëse janë respektuar standardet e sigurisë, veçanërisht në lidhje me daljet në rast zjarri dhe shkallët e ngushta që dëshmitarët i tregojnë si pengesë për evakuim.

Solidariteti ndërkombëtar dhe transporti i të lënduarve

Agjencia Evropiane e Mbrojtjes Civile ka aktivizuar një mekanizëm për transferimin e të mbijetuarve në spitale në të gjithë Evropën për të lehtësuar barrën mbi sistemin zviceran shëndetësor. 24 persona janë planifikuar të transferohen sot, përfshirë pesë italianë që do të dërgohen në qendra të specializuara për djegie në atdheun e tyre.

Kryeministri polak Donald Tusk shprehu ngushëllimet e tij dhe ofroi kujdes të specializuar mjekësor për 14 të lënduarit në spitalet polake. "Zvicra dhe kantoni Vale mund të mbështeten në solidaritetin polak", tha Tusk. Presidenti zviceran Gi Parmelin deklaroi se ky zjarr ishte "një nga tragjeditë më të këqija që vendi ka përjetuar ndonjëherë".

Ndërsa forenzikët punojnë nëndritat e forta të reflektorëve brenda barit, në afërsi të tij ndizen qindra qirinj dhe lihen lule aty pranë në një heshtje që paraqet një paradoks të çuditshëm të jetës së përditshme në vendpushimin, ku skiatorët vazhdojnë edhe më tej të kalojnë pranë vendit të aksidentit, kurse sezoni turistik vazhdon. ls/

Foto: EPA/ Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR