• e premte, 23 janar 2026

Identifikohen 113 nga 119 të lënduarit në zjarrin në Kran-Montana

Identifikohen 113 nga 119 të lënduarit në zjarrin në Kran-Montana

Kran-Montana, 2 janar 2026 (MIA) – Autoritetet zvicerane kanë identifikuar 113 nga të lënduarit në zjarrin vdekjeprurës që shkatërroi një bar në vendpushimin zviceran Kran-Montana në natën e Vitit të Ri, kumtoi policia lokale.

Gjithsej janë lënduar 119 persona, gjashtë prej të cilëve ende nuk janë identifikuar. Midis 113 të lënduarve të identifikuar, 71 janë shtetas zviceranë, 14 janë shtetas francezë, 11 janë shtetas italianë, katër janë serbë, një person i lënduar është nga Bosnja, një nga Belgjika, një nga Luksemburgu dhe nga një nga Polonia dhe Portugalia", kumtoi policia.

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, i cili ndodhet në Kran-Montana, shprehu shpresën se tre nga të lënduarit ende të paidentifikuar mund të jenë italianë. Italia kumtoi se gjashtë persona rezultojnë të zhdukur pas zjarrit, transmetoi Ansa.

Pesëdhjetë persona të lënduar janë transferuar tashmë në vende të tjera në vend dhe së shpejti do të transferohen në vende të tjera evropiane, në qendra të specializuara për trajtimin e personave me djegie të rënda, deklaroi Matijas Rejnard, kreu i qeverisë së kantonit zviceran Vale, gjatë një konference për shtyp në Sion.

Polonia tashmë kumtoi se është gati të pranojë 14 persona të lënduar në klinikën në Shemjanovice Shlonske, në jug të vendit, e cila është e specializuar për mjekim të personave me djegie të rënda.

Një ekip mjekësh ushtarakë francezë është nisur tashmë për në Zvicër për të vlerësuar gjendjen e të lënduarve me qëllim evakuimin e tyre në klinikat në Francë, të cilat janë vënë në gatishmëri për të pranuar pacientë. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR