• e premte, 23 janar 2026

Disa të lënduar nga zjarri në Zvicër transferohen për mjekim në klinikat gjermane

Disa të lënduar nga zjarri në Zvicër transferohen për mjekim në klinikat gjermane

Berlin, 2 janar 2026 (MIA) – Katër nga shumë viktimat me djegie nga zjarri në barin në qendrën zvicerane të skive Kran-Montana mjekohen në klinika të specializuara në Gjermaninë fqinje, ndërsa Zvicra po përballet me pasojat e tragjedisë së Vitit të Ri.

Një pacient u transferua me helikopter në "Marienhospital" në Shtutgart, ku personi po merr "kujdes intensiv mjekësor", transmetoi DPA.

Dy persona “të lënduar rëndë” u sollën në klinikën "BG" në Tibingen, e cila ndodhet rreth 30 kilometra në jug të Shtutgartit. Një zëdhënëse e spitalit shtoi se institucioni është i përgatitur të pranojë edhe pacientë të tjerë.

"Marienhospital" në Shtutgart është një qendër për viktima me djegie të rënda që nga viti 1983, ndërsa klinika në Tibingen gjithashtu posedon "ekspertizë të veçantë për trajtimin e djegieve të rënda", sipas zëdhënëses.

Rreth 40 persona e humbën jetën në zjarrin që shpërtheu gjatë festimit të Vitit të Ri në barin "Le Constellation" në qytetin alpin zviceran, i cili ndodhet rreth 100 kilometra në lindje të Gjenevës.

Janë lënduar rreth 115 persona, 80 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Shumica e të lënduarve rëndë janë midis moshës 16 dhe 26 vjeç. Hetimi për shkakun e zjarrit vazhdoi edhe sot, me ç'rast autoritetet supozojnë se bëhet fjalë për aksident.

Një grua po mjekohet në një spital në Ludvigshafen në Rajna, në jug të Frankfurtit. Klinika "BG" në Ludvigshafen është ofruar të pranojë deri në katër persona të plagosur nga zjarri, ndërsa pritet edhe një pacient tjetër mashkull të mbërrijë më vonë sot.

Presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmaer sot shprehu ngushëllime deri te presidenti zviceran Gi Parmelin, i cili mori detyrën pikërisht ditën e Vitit të Ri. Shtajnmaer shprehu tronditje nga ngjarjet në Kran-Montana, duke thënë se mendimet e tij janë me viktimat dhe familjet e tyre.

“Ndajmë trishtimin dhe dhimbjen në këto orë të vështira”, shkroi ai, duke u uruar të lënduarve shërim të shpejtë dhe të plotë dhe duke shprehur ngushëllime të sinqerta “të gjithë qytetarëve zviceranë edhe në emër të bashkatdhetarëve”. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR