• e hënë, 10 mars 2025

Sonte votohet në Parlamentin grek për mosbesimin ndaj Qeverisë –  janë caktuar një sërë protestash në tërë Greqinë

Sonte votohet në Parlamentin grek për mosbesimin ndaj Qeverisë –  janë caktuar një sërë protestash në tërë Greqinë

Athinë, 7 mars 2025 (MIA) - Deputetët e Kuvendit të Greqisë, sonte do të vendosin për kërkesën e katër partive opozitare për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë për shkak të aksidentit hekurudhor në afërsi të Tempit, ndërsa protesta të reja janë caktuar mbarë Greqinë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Votimi vjen në fund të një debati treditor, që filloi të mërkurën, ndërsa për momentin, nuk pritet propozimi të votohet, duke marrë parasysh se grupi parlamentar i Demokracisë së Re ka shumicë prej 156 deputetësh, nga  gjithsej 300 në Parlament.

Nisma është e PASOK-ut, me mbështetjen e SYRIZA-s, të Majtës së Re dhe Kursit të Lirisë, ndërsa kërkesa e firmosur nga 85 deputetë, përqëndrohet në fatkeqësinë hekurudhore në Tempi dhe sigurinë e transportit, por gjithashtu përqëndrohet në sundimin e ligjit, skandalin e përgjimeve dhe rritjen e çmimeve.

Votimit, i cili pritet të zhvillohet rreth orës 21, do t'i paraprijnë fjalimet e liderëve të të gjitha partive politike, si dhe të kryeministrit grek.

Paralelisht me debatin, janë caktuar edhe një sërë protestash.

Në mesditë, nxënësit dhe studentët do të zhvillojnë protesta në Athinë dhe qytete tjera greke, ndërsa sonte do të ketë edhe demonstrata, në të njëjtën kohë me votimin.

Në orën 19 para Parlamentit në qendër të Athinës, organizata të ndryshme, shoqata, qendra punëtorësh, sindikata, shoqata studentore etj, do të zhvillojnë protestë të re, paralelisht me debatin e deputetëve dhe votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Protesta ka pasur edhe ditën e mërkurë, në ditën e parë të debatit në Kuvend, ndërsa pas përfundimit të pjesës zyrtare, kanë ndodhur incidente të rënda mes grupeve të personave të maskuar dhe policisë.

Qytetarët, përmes protestave synojnë të dërgojnë edhe një herë mesazhin se kërkojnë drejtësi për aksidentin e trenit dhe të ndëshkohen përgjegjësit.

Aksidenti i trenit në Tempi ndodhi më 28 shkurt të vitit 2023, në një përplasje të drejtpërdrejtë mes një treni pasagjerësh dhe një treni transportues, me ç'rast humbën jetën 57 persona. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR