Shtëpia e Bardhë: Rreth 70 vende kërkojnë bisedime tregtare me SHBA-në
- – Rreth 70 vende kërkuan nga administrata e presidentit amerikan Donald Tramp të fillojnë bisedime tregtare, njoftoi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit.
- Post By Fitore Curri
- 21:47, 8 prill, 2025

Uashington, 8 prill 2025 (MIA) – Rreth 70 vende kërkuan nga administrata e presidentit amerikan Donald Tramp të fillojnë bisedime tregtare, njoftoi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit.
Sipas saj, “Dita e çlirimit” javën e kaluar, të cilën e shënoi Trampi, ka treguar se “epoka e leksioneve ekonomike amerikane ka përfunduar".
“Këto vende kanë respekt të madh ndaj presidentit”, tha ajo, duke shtuar se marrëveshjet tregtare do të lidhen vetëm nëse kjo është në interes të punëtorëve amerikanë.
Ajo e lavdëroi Izraelin për “qasjen proaktive” dhe tha se ai duhet të jetë model për gjithë botën.
“Vendet po konkurrojnë për të reformuar praktikat e padrejta tregtare. Pse? Sepse ata kanë respekt për SHBA-në dhe fuqinë e tregut amerikan”, shtoi Levit, duke theksuar se administrata synon "të forcojë ndjeshëm industrinë amerikane".
Levit theksoi edhe se Trampi tashmë e përmbush angazhimin e tij për “epokë të artë për Amerikën”, dhe se nuk do të lejojë më që kompanitë amerikane të dëmtohen nga “praktika të paarsyeshme tregtare”.
"Presidenti ka një shtyllë prej çeliku dhe nuk do të lëshojë nën presion, duke përfshirë kundërmasat tarifore si ato nga Kina," shtoi ajo.
Lidhur me kërcënimin e Trampit që të vendosë dogana shtesë prej 50 për qind ndaj Kinës, me çka taksa e përgjithshme me të cilën përballet Pekini do të arrinte 104 për qind, ajo konfirmoi përshkallëzim të dukshëm mes dy superfuqive.
“Kjo do të hyjë në fuqi në orën 00:01 të mbrëmjes së sotme. Pra, praktikisht nesër (në orën 21.01 me orën e Maqedonisë)". E pyetur nëse Trampi do të konsideronte një marrëveshje me Si Xhinping, presidentin kinez, ajo tha se presidenti "beson se Kina dëshiron të lidhë marrëveshje me SHBA-në. “Kina duhet të bëjë marrëveshje me SHBA-në.
"Ishte një gabim për Kinën të hakmerret. Kur Amerika goditet, ajo hakmerret më fort," theksoi zëdhënësja.
Lidhur me pyetjen e mediave për atë se po ndryshon politika e Shtëpisë së Bardhë – nga refuzimi i bisedimeve deri në thirrje për marrëveshje të reja – Levit tha se që të dyja deklaratat mund të jenë të sakta njëkohësisht. Sipas saj, SHBA-ja është përballur me “krizë ekonomike dhe të sigurisë” për shkak të kushteve të padrejta tregtare.
Në pyetjen për rrezikun nga recesioni, Levit nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë, por përsëriti se administrata ka “optimizëm ekonomik”, paralajmëroi ulje më të madhe tatimore në historinë e SHBA-së dhe theksoi se “për çdo ditë po hiqet burokracia e shtrenjtë”. fc/
Foto: Arkivi i EPA-s