Rute: Në planin afatgjatë, shpenzimet prej "dy për qind" nga BPV-ja nuk do të jenë të mjaftueshme për mbrojtjen e NATO-s
- Nëse duam të ruajmë aftësinë aktuale për përgjigje të NATO-s në afat të gjatë, ndarjet aktuale për mbrojtje në nivelin e të paktën dy për qind të BPV-së, nuk do të jenë të mjaftueshme, potencoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të vendeve anëtare të Paktit në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 14:58, 4 dhjetor, 2024
Bruksel, 4 dhjetor 2024 (MIA) - Nëse duam të ruajmë aftësinë aktuale për përgjigje të NATO-s në afat të gjatë, ndarjet aktuale për mbrojtje në nivelin e të paktën dy për qind të BPV-së, nuk do të jenë të mjaftueshme, potencoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të vendeve anëtare të Paktit në Bruksel.
"Unë besoj fuqishëm dhe e di se shumë aleatë besojnë fuqimisht se 'dy për qind' nuk mjaftojnë nëse duam të ruajmë aftësinë tonë për t'u përgjigjur në nivelin që është tani në afat të gjatë. Tani kjo është në rregull, tani mund të mbrohemi nëse dikush na sulmon, por duam që të qëndrojë kështu për katër ose pesë vite", tha Rute në përgjigje të pyetjes në lidhje me qëndrimin e tij në lidhje me paralajmërimin e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp se ai do të kërkonte rritje të mjeteve të ndara për mbrojtje të anëtarëve të NATO-s dhe ato të jenë të paktën tre për qind të BPV-së kombëtare.
Rute potencoi se pikërisht Tramp ishte ai që gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA-së inicioi një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen dhe falë përpjekjeve të tij, sot numri më i madh i anëtarëve të NATO-s ndajnë të paktën dy për qind të BPV-së së tyre për nevojat e mbrojtjes.
Megjithatë, sipas Rutes, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nuk duhet të rezultojë vetëm me rritjen e të ardhurave të industrisë në mbrojtje, por nevojitet të zgjerohet baza mbrojtëse, përshpejtimi i dorëzimit të teknikës dhe pajisjeve dhe të rritet prodhimi i tyre. Për këtë qëllim, siç theksoi, nevojitet të forcohet dhe të bashkëpunohet me industritë e mbrojtjes kudo në NATO, nga Turqia, përmes Bashkimit Evropian, e deri në SHBA.
Rute shtoi se çështja për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes është diçka që do të duhet të diskutohet në periudhën e ardhshme, por nëse të gjithë dakordohen se "dy për qind" për mbrojtje nuk mjaftojnë në planin afatgjatë, atëherë do të duhet të arrihet një marrëveshje për atë.
"Nuk është patjetër të shpenzojmë dhjetëra për qind, duhet të shpenzojmë ndonjë përqindje më shumë se dy për qind. Vetëm nëse shikojmë shpenzimet e mëdha të pensioneve, sistemin për mbrojtje sociale, shëndetësinë..., vetëm një pjesë e vogël e këtyre shpenzimeve duhet të devijohet në shpenzimet e mbrojtjes dhe ne do të jemi në gjendje të ruajmë aftësinë tonë për t'u përgjigjur në afat të gjatë", tha Rute.
Sipas tij, këtë vendim përfundimtar duhet ta marrin politikanët, detyra e të cilëve është të sigurojnë vende të mjaftueshme të punës, të mundësojnë funksionimin e mirë të ekonomisë dhe të garantojnë sigurinë e vendit të tyre.
"Këtu bëhet fjalë për garantimin e sigurisë së shtetit dhe të sigurisë së 32 anëtarëve të Aleancës", shtoi Rute.
Ai potencoi se do të nevojitet t'u shpjegohet votuesve pse nevojiten shpenzime më të larta për mbrojtje, por rritja e tyre është e nevojshme nëse NATO dëshiron të ruajë rolin e saj si aleancë mbrojtëse, e bazuar në demokraci dhe vlera, e cila do të garantojë sigurinë e një miliardë njerëzve. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s