• e premte, 05 dhjetor 2025

Zëvendës kryeministri i Kosovës Bislimi bisedoi me Sorensenin për fazat e ardhshme të dialogut me Serbinë

Zëvendës kryeministri i Kosovës Bislimi bisedoi me Sorensenin për fazat e ardhshme të dialogut me Serbinë

Prishtinë, 2 qershor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sot në Bruksel u takua me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit, takimi u përqëndrua në fazat e ardhshme të dialogut dhe në diskutimin e temave konkrete që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

"Diskutuam për temat që janë kyçe për ne dhe ku po shohim mungesë të madhe të angazhimit nga ana e Serbisë. Kemi kërkuar përgjigje nga Brukseli për shumë çështje të rëndësishme”, tha Bislimi pas takimit.

Ai përmendi pengesat e Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, veçanërisht në mungesën e infrastrukturës në tri pika kufitare, dhe mungesën e reagimit ndaj propozimeve të Kosovës për pika sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë.

Në fokus ishin edhe bllokimi i ndihmave për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ku Serbia ka bllokuar fondet në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Bislimi, siç njoftuan mediat e Kosovës, theksoi se është kërkuar zgjidhje e menjëhershme për këtë situatë.

Një tjetër temë me rëndësi, thuhet në më tek, ishte energjia. Bislimi tha se mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit me Serbinë po i shkakton humbje të mëdha Kosovës.

Ai akuzoi Serbinë se po vendos barriera artificiale dhe po refuzon zbatimin e obligimeve që i ka marrë në kuadër të marrëveshjes për energjinë.

Gjatë takimit u trajtua edhe fushata dezinformuese e Serbisë, për të cilën Bislimi tha se po synon të manipulojë opinionin ndërkombëtar dhe të mbajë qytetarët serbë në Kosovë nën presion të vazhdueshëm.

Takimi trilateral që ishte paraparë për sot nuk u zhvillua për shkak të mungesës së delegacionit serb, që sipas Bislimit nuk arriti në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë.

Në lidhje me ndikimin e situatës së brendshme politike në Kosovë mbi procesin e dialogut, Bislimi pranoi se “ka vështirësi, sidomos në mbajtjen e takimeve të nivelit të lartë”, por shtoi se Kosova duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për progres, pavarësisht vonesave në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve. bsh/

Foto: EPA 

QËNDRONI TË LIDHUR