• e hënë, 28 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Reagime dhe parashikime nga ekspertët për tarifat doganore të vendosura nga Trampi

Reagime dhe parashikime nga ekspertët për tarifat doganore të vendosura nga Trampi

Uashington, 3 prill 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trampi dje shpalli tarifa prej 10 për qind për të gjitha importet në SHBA, plus tarifa më të larta për disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit. Ky njoftim përfaqëson një intensifikim të luftës tregtare që filloi pasi Trampi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, thonë ekspertët.

Këshilltarët e tij thonë se tarifat do të sjellin përsëri në Shtetet e Bashkuara kapacitetin e prodhimit të rëndësishëm strategjik. Ekonomistë të tjerë paralajmërojnë se tarifat mund të ngadalësojnë ekonominë globale, të rrisin rrezikun e recesionit dhe të rrisin koston e jetesës për një familje mesatare amerikane, me mijëra dollarë.

Esuar Prasad, profesor në Universitetin Kornel për “Sietël Tajms” tha se tarifat e Trampit ishin "fillimi i një epoke të re proteksionizmi që do të jehojë në mbarë botën”, duke i quajtur si një largim të madh nga parimet e globalizimit të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore.

Faisal Islam, redaktor i ekonomisë në Bi-Bi-Si, vuri në dukje se këto tarifa përfaqësojnë një kthesë monumentale në tregtinë globale, me të ardhurat nga tarifat e SHBA-së që arrijnë nivele që nuk janë parë në pothuajse një shekull. Ai paralajmëroi për ndërprerje të mundshme në rrugët e gjata tregtare dhe zinxhirët e furnizimit, veçanërisht në industri të tilla si ajo automobilistike dhe farmaceutike.

"Tarifat ndaj vendeve aziatike janë vërtet të jashtëzakonshme. Ato do të prishin modelet e biznesit të mijëra kompanive, fabrikave dhe ndoshta kombeve të tëra. Disa nga zinxhirët e furnizimit që kanë krijuar kompanitë më të mëdha në botë do të ndërpriten menjëherë. Efekti i pashmangshëm me siguri do të jetë shtyrja e tyre drejt Kinës", shkruan Islami.

Sipas analizave të institutit britanik “Çatam Hauz”, tarifat doganore të Trampit po kontribuojnë në rritjen e çmimeve dhe pritjeve për inflacionin, të cilat janë rritur në nivelet më të larta në tre dekada.

Ndërsa ata mund të mbështesin disa sektorë të tillë si prodhimi i çelikut, ato kërcënojnë gjithashtu vendet e punës në industri që varen nga lëndët e para të importuara. Midis tyre janë industritë që përdorin çelik. Alan Deardorf, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin e Miçiganit, paralajmëroi se konsumatorët do të paguajnë më shumë për një gamë të gjerë produktesh – nga elektronika te sendet ushqimore – për shkak të kostove më të larta të importit. Ai paralajmëroi gjithashtu kundërmasa të mundshme nga vendet e prekura nga tarifat doganore. “Në përgjithësi, ne mund të presim çmime më të larta dhe një recesion”, tha Deardorf për portalin universitar.

"Sa i përket pjesës tjetër të botës, ato vende që janë shumë të varura nga tregtia me Shtetet e Bashkuara, padyshim Kanadaja dhe Meksika, do të ndiejnë një goditje të madhe dhe bota ndoshta do të shkojë në recesion. Por unë pres që shumica e botës të rikuperohet nga kjo para nesh, sepse sado të mëdhenj që jemi ne, pjesa tjetër e botës është shumë më e madhe", thotë Deardorf.

“Tarifat e Trampit rrezikojnë të shembin sistemin global të tregtisë së lirë që Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Takahide Kiuçi, kryeekonomist në Institutin Kërkimor “Nomura”.

“Rojters” shkruan se në muajt e ardhshëm do të mbizotërojnë efektet konkrete të rritjes së çmimeve – dhe rrjedhimisht dobësimit të kërkesës – të shkaktuara nga detyrimet e reja për mijëra produkte që konsumatorët dhe kompanitë në mbarë botën blejnë dhe shesin çdo ditë.

"Unë e shoh këtë si një zhvendosje në SHBA dhe ekonominë globale drejt performancës më të dobët, pasigurisë më të madhe dhe një rrugë të mundshme drejt asaj që mund ta quajmë një recesion global," tha Antonio Fatas, një makroekonomist në shkollën e biznesit INSEAD në Francë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), raporti i të cilit raportohet nga “Xhej Morgan Risërç”, vlerësoi se një rritje universale e tarifave amerikane me 10% - së bashku me kundërmasat e njëkohshme nga partnerët tregtarë - mund të zvogëlojë PBB-në amerikane me 1% dhe atë globale me 0.5%, duke theksuar rreziqe më të gjera ekonomike”.

"Këshilli Atlantik thotë se tarifat doganore ka të ngjarë të përshpejtojnë përpjekjet e partnerëve tregtarë të SHBA-së për të diversifikuar rrugët e tyre të eksportit dhe për të reduktuar varësinë e tyre nga tregu i SHBA-së. BE, Britania dhe India tashmë po kërkojnë marrëveshje tregtare alternative për të mbrojtur veten nga paparashikueshmëria e SHBA-së.

Xhosh Lipski, drejtor i lartë i Qendrës së Këshillit Ndërkombëtar për “Këshillin Atlantik” dhe ish këshilltar I FMN-së, thotë se rëndësia hisotrike e ditës së djeshme është mëse e qartë.

“SHBA-ja tregoi se sistemi i tregtisë globale, për të cilin ne dhamë kontributin tone në krijimin e tij, nuk funksionon më”, konkludoi ai.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR