• e premte, 05 dhjetor 2025

"Koriere dela Sera: Takimi midis Fon der Lajenit dhe Trampit është rezultat i punës intensive të Melonit

Bruksel, 28 prill 2025 (MIA) – Takimi i parë i drejtpërdrejtë midis kryetares së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe Presidentit amerikan, Donald Tramp gjatë funeralit të Papa Françeskut në Romë të shtunën ishte kryesisht për shkak të përpjekjeve të kryeministres italiane Xhorxha Meloni, pohojnë burime nga partia e saj e krahut të djathtë "Vëllezërit e Italisë". (FDI).

Sipas burimeve të partisë, siç thekson gazeta italiane "Koriere dela Sera", Meloni ka punuar intensivisht ditët e fundit për të arritur këtë "kontakt fillestar, të cilin ajo e konsideron shumë të rëndësishëm".

Një zëdhënës i Komisionit Evropian informoi se Fon der Lajen dhe Tramp të shtunën në Romë "biseduan shkurtë", ku ranë dakord të takohen për një takim zyrtar dypalësh në të ardhmen e afërt. Megjithatë, zëdhënësi nuk pranoi të thoshte nëse ishte bërë një ftesë zyrtare.

Kjo ishte biseda e parë ballë për ballë midis Fon der Lajen dhe Trampit që kur ai mori detyrën si president i SHBA-së në janar. Sipas burimeve diplomatike, "zyrtarë të lartë të Komisionit" janë përpjekur prej muajsh të organizojnë një takim dypalësh midis Fon der Lajen dhe Trampit, por përpjekjet e tilla deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.

Burime në FDI theksojnë se Meloni është “meritore” edhe për takimin e Trampit në Bazilikën "Shën Pjetri" në Romë me Presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, me çka, sipas tyre, kryeministrja italiane pozicionohet si “ndërmjetëse brenda Perëndimit”.

Në një postim në rrjetet sociale, partia theksoi se Meloni kishte një rol në “promovimin e zgjidhjeve për çështjet më delikate shqetësuese në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

FDI vlerësoi gjithashtu përpjekjet diplomatike të lideres së saj, të cilat ishin "të endura me kujdes dhe diskrete, pa kërkuar vëmendje, në një kohë kur sytë e botës janë të drejtuar drejt Romës - kryeqyteti i Krishterimit dhe, falë Kryeministres sonë, te diplomacia globale".

Meloni gjatë vizitës së saj të fundit në Uashington, propozoi mbajtjen e një Samiti BE-SHBA, për të cilin ajo shprehu shpresën se do të zhvillohej para Samitit të NATO-s në Hagë, i planifikuar për në fund të qershorit.

Ndërkohë, Komisioni Evropian tha se gjatë fundjavës, pas funeralit të Papës, Fon der Lajen foli në telefon me Melonin rreth "mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, kuadrit të sigurisë përpara Samitit të NATO-s dhe negociatave të ndjeshme mbi tarifat tregtare" me administratën e Trampit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR