• e premte, 05 dhjetor 2025

BE në gatishmëri për ofensivën hibride të Rusisë ndaj demokracive evropiane

BE në gatishmëri për ofensivën hibride të Rusisë ndaj demokracive evropiane

ENR - Bruksel

28 prill 2025

Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i shqetësuar për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në bllok përmes fushatës më të gjerë hibride të Moskës për të dobësuar Perëndimin.

Duke mbajtur një fjalimiu drejtuar në takimin e Komitetit të Posaçëm të Parlamentit Evropian të martën ku u diskutua Mburoja Evropiane për Demokracinë, gazetari investigativ bullgar Hristo Grozev tha se lufta hibride e Rusisë shkon përtej spiunazhit dhe përfshin gjithashtu sabotimin, sulmet kibernetike, dezinformimin dhe kaosin e orkestruar.

Grozev – i cili ka shkruar për në botimin elektronik të gazetarisë investigative “Bellingket” dhe tani shkruan për revistën gjermane “Shpigel” dhe median e pavarur të fokusuar në Rusi, “Insajder” – thotë se fushatat ruse janë të dizajnuara për të shkaktuar kaos dhe konfuzion dhe për të përhapur frikë.

Lufta në Ukrainë mbetet një qëllim kyç për Rusinë, por ajo është përqendruar edhe në ngjarje të tilla si Lojërat Olimpike të Parisit dhe zgjedhjet në Rumani, Gjermani, Moldavi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian të vitit të kaluar në BE.

Krytearja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, gjatë fushatës së saj zgjedhore të vitit të kaluar, premtoi të krijonte Mburoja Evropiane për Demokracinë për t'iu kundërvënë kërcënimeve. Komisioneri Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Majkëll Mekgrat, është tani përgjegjës për zhvillimin e iniciativës. Komisioni ende nuk ka publikuar zyrtarisht udhëzime të draftit për të adresuar problemin.

Mes frikës në rritje për ndërhyrje keqdashëse në proceset demokratike të BE-së, Parlamenti Evropian votoi në dhjetor për të krijuar një komitet të posaçëm të ngarkuar me propozimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të forcuar rezistencën e bllokut ndaj kërcënimeve hibride.

Grozev ishte optimist se kërcënimet hibride ruse mund të mposhteshin. "Grupet e ekspozuara, rrjetet e hartëzuara dhe spiunët e dënuar tregojnë se këto operacione mund të mposhten. Suksesi është rezultat i bashkëpunimit - bashkëpunimit midis gazetarëve dhe midis vendeve", vuri në dukje ai.

Çfarë janë kërcënimet hibride?

Kërcënimet hibride përfaqësojnë sulme jo tradicionale, siç janë sulmet kibernetike ose dezinformimi. Në një kuptim të përgjithshëm të sigurisë, termi i referohet veprimeve që aktorë të caktuar shtetërorë ose jo-shtetërorë ndërmarrin për të dëmtuar vendet e tjera pa u shpallur hapur luftë atyre. Si rregull, është e vështirë, nëse jo e pamundur, t'i atribuohen ato një autori specifik.

Në muajt e fundit, shumë vende në Evropë kanë raportuar infrastrukturë të dëmtuar, siç janë kabllot nënujore të të dhënave në Detin Baltik, si dhe vënie të qëllimshme të zjarreve dhe operacione të dyshimta me "flamur të rremë". Hetuesit besojnë se Rusia qëndron pas shumë prej këtyre sulmeve.

“Kërcënimet hibride janë si mijëra goditje të ndara dhe mezi të dukshme që, të marra në tërësi, janë një goditje brutale për demokracinë dhe infrastrukturën tonë në Evropë”, tha Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbok.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, tha në raportin e saj vjetor muajin e kaluar se "manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e tilla të jashtme janë një kërcënim i madh për sigurinë

e BE-së". Raporti thotë se vitin e kaluar, u regjistruan sulme dezinformuese kundër më shumë se 80 vendeve dhe 200 organizatave.

Përpara një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel në dhjetor, Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavski tha se në vitin 2024 kishte pasur 500 incidente të dyshimta në Evropë dhe se pothuajse 100 prej tyre mund t'i atribuohen Rusisë.

Shefi i NATO-s, Mark Rute, tha në takim se Kina, Irani dhe Koreja e Veriut ishin gjithashtu të përfshira në mënyrë aktive në sulme kibernetike.

Serverë të prishur… dhe zgjedhje

Sulmet kibernetike më të zakonshme janë të ashtuquajturat. sulme të shpërndara për pamundësinë e marrjes së shërbimit, të cilat vërshojnë një server me qarkullim interneti në mënyrë që ta bëjnë atë të paaksesueshëm.

Vitin e kaluar, grupi i hakerëve pro-rus Nounejm057(16) nisi një sulm të tillë kundër disa institucioneve publike dhe sektorëve strategjikë në Spanjë dhe shtete të tjera anëtare të NATO-s që mbështesin Ukrainën. Edhe pse disa nga faqet e saj të internetit u bllokuan përkohësisht, Spanja e ndaloi sulmin dhe nuk raportoi vjedhje të të dhënave apo programe keqdashëse.

Grupi hakerik u shfaq kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës dhe kërcënoi se do t'u përgjigjej veprimeve "anti-ruse" nga vendet perëndimore. Në korrik, Garda Civile Spanjolle arrestoi tre persona për përfshirje të dyshuar në sulme.

Sipas shërbimeve të inteligjencës, Rusia shpesh ndërhyn në proceset demokratike në Evropë duke u përpjekur të minojë zgjedhjet e tyre.

Në raportin e saj vjetor të vitit 2024, shërbimi holandez i inteligjencës dhe sigurisë ushtarake zbuloi së fundmi se hakerat rusë kryen sulme kibernetike ndaj kompanive të transportit publik dhe faqeve të internetit të partive politike në një përpjekje për të minuar zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Holandë, duke ua vështirësuar qytetarëve të votojnë.

Sipas oficerit të inteligjencës, Zëvendës Admiral Peter Resink, hakerat u përpoqën gjithashtu të depërtonin në infrastrukturën kritike në Holandë me qëllim ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën.

Në Gjermani, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare në shkurt, Ministria e Brendshme paralajmëroi se Rusia po i shënjestronte votuesit me një fushatë dezinformimi në favor të partisë të së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë për të “shkatërruar besimin në demokraci”.

Sipas fushatës, Alternativa për Gjermaninë, e cila anon nga Rusia, u trajtua padrejtësisht. Alternativa për Gjermaninë akuzohet se është e lidhur me Moskën dhe partia i ka kërkuar Gjermanisë të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Sipas kreut të Rrjetit Akademik të Evropës Lindore, Filip Shmadeke, shërbimet ruse të inteligjencës po synojnë gjithnjë e më shumë organizatat akademike gjermane të përqendruara në Evropën Lindore. Rrjeti Akademik i Evropës Lindore, i cili ka ndihmuar 1,200 njerëz nga Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina gjatë katër viteve të fundit, ofron ndihmë për studiuesit e detyruar të largohen për shkak të shtypjes, persekutimit, ndalimeve të punësimit dhe luftërave.

“Qëllimi i këtyre operacioneve të ndikimit të huaj është të shkatërrojë besimin në demokraci, të vërë në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor”, tha Maksimilian Kal, zëdhënës i Ministrit të Brendshëm gjerman dhe kreu i departamentit të marrëdhënieve me publikun.

Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi zgjedhjet presidenciale të vendit për shkak të shqetësimeve rreth ndërhyrjes ruse në votime, në të cilat e djathta ekstreme - dhe e mbështetur nga Moska - Kalin Georgesku fitoi papritur në raundin e parë.

Sipas Këshillit Suprem për Mbrojtjen Kombëtare, Rumania ishte shënjestër e "sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shteti" ndaj teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që mbështeste procesin zgjedhor.

Pas anulimit, Indeksi i Demokracisë 2024, i publikuar nga Njësia e Inteligjencës Ekonomist, e uli Rumaninë nga një "demokraci me të meta" në një "regjim hibrid", duke e ulur atë me 12 vende, në të 72-tin në botë. Sipas “Ekonomist”, anulimi i zgjedhjeve pati gjithashtu një ndikim negativ në rezultatin e pluralizmit të vendit.

Zgjedhjet presidenciale në Rumani janë planifikuar tani për 4 maj (raundi i parë) dhe 18 maj (raundi i dytë).

Ndikim edhe tek fqinjët e BE-së

Teoritë e dezinformimit dhe konspiracionit vazhdojnë të përmbytin edhe fqinjët e BE-së - për shembull, Moldavinë, e cila kufizohet me Rusinë, dhe Maqedoninë e Veriut, e cila aspiron anëtarësimin në BE.

Moldavia, një nga vendet më të varfra në Evropë, mbetet kryesisht e varur nga gazi rus. Ish-republika sovjetike është thellësisht e ndarë midis fraksioneve pro-evropiane dhe pro-ruse. Presidentja pro-perëndimore, Maja Sandu, fitoi një mandat të dytë në tetor dhe BE-ja akuzoi Rusinë për ndërhyrje "të pashembullt" në votim në favor të kandidatit pro-rus, Aleksandar Stojanoglou.

Në Maqedoninë e Veriut, aktivistët pro-rusë në mediat sociale po shfrytëzojnë zhgënjimin, skepticizmin dhe dyshimin, sipas raportit "Ndikimi i huaj në Maqedoninë e Veriut" të publikuar nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, paralajmëroi se besueshmëria e BE-së është në pikëpyetje dhe se zgjerimi i BE-së është thelbësor për të parandaluar përdorimin e propagandës ruse si armë. Në mënyrë specifike, ai paralajmëroi për “aktorë keqdashës” që po shfrytëzojnë zhgënjimin e Maqedonisë së Veriut të shkaktuar nga kushtet që ndryshojnë vazhdimisht për anëtarësim në BE.

Një total prej nëntë vendesh kanë statusin e kandidatit për në BE dhe BE-ja po monitoron nga afër vende si Serbia dhe Gjeorgjia, qeveritë e të cilave duket se po i afrohen Rusisë.

KONTROLLI I FAKTEVE: Faqe e pavërtetë e parë në gazetë, rreth luftës në Ukrainë

Dezinformimi rreth luftës së Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të përhapet – jo vetëm në të dy vendet, por edhe në Evropën Lindore fqinje dhe në të gjithë kontinentin.

Muajin e kaluar, blogeri i së djathtës ekstreme Jan Majls Çeong përhapi një postim të rremë në mediat sociale duke sugjeruar se gazeta britanike “Hal Dejli Meil” kishte raportuar dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas të vdekur në rajonin Kursk të Rusisë dhe fajësoi presidentin Volodimir Zelenski për viktimat.

Ekipi i verifikimit të fakteve i Agjencisë Frans-pres i hodhi poshtë këto pretendime. Sipas zëdhënësit të Riç Pi-el-si, kompanisë mëmë të Hall Dejli Mejl, faqja e parë e gazetës ishte e pavërtetë. Lexoni verifikimin e plotë të fakteve këtu.

Foto: ENR/DPA

QËNDRONI TË LIDHUR