Rubio: Fëmijët amerikanë nuk janë deportuar, janë larguar me nënat e tyre të cilat ndodheshin ilegalisht në vend
- Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio deklaroi se tre fëmijë të vegjël, të moshës 2, 4 dhe 7 vjeçarë, të gjithë shtetas amerikanë, të cilët e kanë lëshuar vendin në javët e fundit, nuk janë deportuar, por kishin shkuar me nënat e tyre në Honduras.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:38, 28 prill, 2025
Uashington, 28 prill 2025 (MIA) - Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio deklaroi se tre fëmijë të vegjël, të moshës 2, 4 dhe 7 vjeçarë, të gjithë shtetas amerikanë, të cilët e kanë lëshuar vendin në javët e fundit, nuk janë deportuar, por kishin shkuar me nënat e tyre në Honduras.
Fëmijët, nga dy familje të ndryshme, kanë hipur në një fluturim për këtë në Amerikën Qendrore me nënat e tyre më 25 prill, raportuan mediat amerikane.
Sipas "Uashington post", fëmiu katërvjeçar, i cili vuan nga kanceri në fazën e katërt, tani është pa qasje në ilaçe dhe pa kontakt me mjekët. Ai dhe fëmija shtatëvjeçar janë vëlla e motër.
Gazetarja e En-Bi-Si njuz, Kristen Uelker, e kujtoi rastin në një intervistë me Rubion më 27 prill. Rubio i hodhi poshtë akuzat, duke e quajtur titullin e "Uashington post" të gabuar.
"Tre qytetarë amerikanë, të moshës katër, shtatë dhe dy vjeçarë, nuk u deportuan. Nënat e tyre, të cilat ishin në vend ilegalisht, u deportuan. Fëmijët shkuan me ta", tha Rubio.
Ai shtoi se “këta fëmijë, nëse janë shtetas amerikanë, mund të kthehen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse babai i tyre ose dikush tjetër dëshiron të marrë kujdestarinë ndaj tyre”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, avokati i babait të vajzës dyvjeçare, i identifikuar me inicialet V.M.L., i ka kontaktuar autoritetet e migracionit në Luiziana për t'i informuar se fëmija është shtetas i SHBA-së. Nëna ishte arrestuar derisa caktonte një takim rutinë në zyrën e Shërbimit për rregulla të imigracionit dhe doganave (ICE) në Nju-Orleans.
Babai, i cili jeton në SHBA, kërkoi që vajza t'i dorëzohej një kujdestari, i cili është i gatshëm të kujdeset për të. Por, sipas dosjes gjyqësore, atij iu tha se do të arrestohej vetë nëse do të përpiqej ta merrte fëmijën.
Gjykatësi i qarkut të SHBA-së, Teri A. Douti, caktoi një seancë dëgjimore për 19 maj për të hedhur poshtë akuzat serioze se qeveria deportoi një shtetas amerikan pa një proces të rregullt ligjor.
"Është e paligjshme dhe jokushtetuese të deportosh, të ndalosh për deportim ose të rekomandosh deportimin e një shtetasi amerikan”, tha gjykatësi Douti.
Kur ishte pyetur nëse qytetarët kanë të drejtë për gjykim të drejtë, Rubio tha: "Po, sigurisht".
"Ligjet e imigracionit janë shumë specifike. Nëse ndodhesh ilegalisht në vend, nuk ke të drejtë të qëndrosh këtu dhe duhet të largohesh. Kështu thotë ligji. Gjatë 20 viteve të fundit, e kemi humbur plotësisht këtë ndjenjë", theksoi Rubio. qa/
Foto: EPA