Rama dekorohet me Medaljen presidenciale për nder në Izrael
- – Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili është për vizitë në Izrael, presidenti Isak Hercog, i ndau “Medaljen presidenciale të nderit në Izrael”, për përkushtimin e tij “në luftën kundër antisemitizmit dhe për përpjekjet e Shqipërisë për përforcimin e marrëdhënieve me Izraelin”.
- Post By Fitore Curri
- 15:56, 7 prill, 2025

Tiranë, 7 prill 2025 (MIA) – Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili është për vizitë në Izrael, presidenti Isak Hercog, i ndau “Medaljen presidenciale të nderit në Izrael”, për përkushtimin e tij “në luftën kundër antisemitizmit dhe për përpjekjet e Shqipërisë për përforcimin e marrëdhënieve me Izraelin”.
Duke e falënderuar për “nderin e jashtëzakonshëm të madh”, Rama përmendi rëndësinë e mbrojtjes që populli shqiptar u ka ofruar hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur asnjë pjesëtar i bashkësisë hebre nuk u lejua të merrej nga nazistët dhe njoftoi se vendi i tij ishte në proces të ndërtimit të dy qendrave kulturore hebraike.
Rama në konferencën e përbashkët për media me Hercog, theksoi se Shqipëria e mbështet zgjidhjen me dy shtete, por se nuk ka zgjidhje me pjesëtarët e Hamasit, duke i quajtur nazistë të shekullit të ri.
“Siç e kam thënë edhe më parë, dua ta përsëris tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por nga këndvështrimi im dhe nga këndvështrimi ynë, nuk ka zgjidhje me Hamasin dhe ndryshe nga sa janë përpjekur të thonë të tjerët, Hamasi nuk është një lëvizje rezistence. Anëtarët e Hamasit janë nazistët e shekullit të ri”, theksoi Rama.
Sipas tij historia na ka mësuar se “nuk ka paqe me nazistët, nuk ka kompromis me nazistët”.
“Uroj më të mirën për ju, për popullin e Izraelit, për të gjithë rajonin dhe mezi pres të shoh paqen mes hebrenjve dhe arabëve, mbetem sinqerisht mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt se nuk e meritoj si person, por jam i sigurt se të gjithë shqiptarët që bënë diçka për hebrenjtë e merituan këtë moment”, theksoi Rama.
Hercog, duke e quajtur Ramën mik të popullit hebre dhe Izraelit, theksoi se dekorata më e lartë civile në Izrael i ndahet për lidership të jashtëzakonshëm dhe vlera demokratike.
“Jam i bindur se miqësia mes kombeve tona do të mbetet një fener vullneti i mirë në këto kohë sfiduese dhe të vështira. Le të na kujtojë se zërat e dinjitetit dhe të guximit janë gjithmonë të pranishëm dhe se një e ardhme e gjallë, e sigurt dhe paqësore është e mundur për popujt e rajonit tonë dhe të gjithë botës, theksoi Hercog. fc/