• e hënë, 01 korrik 2024

Protestë para bashkisë së Tiranës, kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Veliaj

Protestë para bashkisë së Tiranës, kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Veliaj

Tiranë, 5 prill 2024 (MIA) - Para Bashkisë së Tiranës sot u mbajt protestë nën organizimin e Aleancës për mbrojtjen e teatrit, ndërsa janë përfshirë edhe partitë opozitare dhe një numër i madh qytetarësh.

Kërkesa kryesore, sipas organizatorit është dorëheqja e menjëhershme e kryebashkiakut Erion Veliaj, për shkak të "përfshirjes në korrupsion", shembjen e teatrit të vjetër dhe synimi që në vend të një teatri të ri siç ishte premtuar më parë të ndërtohet godinë shumëkatëshe.

Protesta është thirrur pas arrestimeve, me urdhër të Prokurorisë Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit SPAK të ish drejtorit të kësaj bashkie për keqpërdorim të tenderëve dhe miliona fitime me kompaninë “5D”. Gjithashtu kryebashkiaku i Tiranës përmendet edhe për aksione në një hotel në Durrës, por Veliaj e ka mohuar këtë. 

Pjesëmarrësit në protestë po mundohen që me forcë të hyjnë në ndërtesë, duke shtyrë kordonin e policisë dhe duke hedhur vezë dhe mollë në drejtim të ndërtesës.

Në protestë përveç deputetëve dhe zyrtarëve të partisë më të madhe Partisë Demokratike, “Ripërtëritja e PD”-së të Sali Berishës i është bashkuar protestës edhe Argita Maltezi vajza e Berishës e cila u shpreh para mediave se “Veliaj është kopje e zbehtë e Ramës”.

Protesta mori mbështetje edhe nga Partia e Lirisë së Ilir Metës, sekretari i përgjithshëm i së cilës Tedi Blushi i kërkoi drejtorit të policisë së Tiranës Tonin Vocaj i cili drejtonte një forcë të madhe policie, arrestimin e menjëhershëm të Veliajt.

Më pas turmës iu bashkua edhe Meta i cili akuzoi se “Veliaj po vazhdon politikën kriminale të Ramës”.

"Siç e dini ju të gjithë, Erion Veliaj në vazhdim të politikës kriminale të Edi Ramës ka kaluar çdo limit, ka dhënë 10 milionë metër katrorë leje ndërtimi në Tiranë vetëm për qëllim pastrim të parave në funksion të atyre që kontrollojnë narkotrafikun dhe gjithë aktivitetet kriminale dhe të pastrimit të parave të inceneratorëve dhe gjithë PPP. Ndërkohë në Tiranë 55 mijë apartamente janë bosh...," tha mes tjerash Meta.

Në përfundim të protestës, Adriana Kalaja nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit kombëtar tha se deri te SPAK-u do të iniciojnë kallëzim kundër Veliajt. qa/

Foto: Blushi FB

QËNDRONI TË LIDHUR