• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, është çështje kohe se kur

Osmani: Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, është çështje kohe se kur

Prishtina, 17 maj 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u fut sot në rend dite në Komitetin e ministrave, deklaroi se "Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës", dhe se ajo është thjesht çështje kohe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Osmani në faqen e saj zyrtare në "X" tha se në rrugën e saj drej KE-së, Kosova nuk do të bëjë kompromis me vlerat që përbëjnë themelin e shtetit.

"Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë mënyrë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e Kosovës ka falënderuar vendet që e kanë mbështetur deri më tani vendin e saj në rrugën e anëtarësimit në KE.

“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”, theksoi Osmani.

Kosova tashmë ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në organizatën evropiane, ndërsa Komiteti i ministrave është ai që vendos nëse një vend do të pranohet apo jo në Këshill.

Më 16 prill, u votua rekomandimi për pranimin e Kosovës në  Asamblenë parlamentare të KE-së, disa shtete e kanë vënë kusht që Kosova të formojë Asociacion të komunave me shumicë serbe (AKS) nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me bazë në Strasburg.

Dje, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, Kosova ka njoftuar se premton që deri në fund të majit të përgatisë draft-statutin e AKS-së dhe ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë premtim, Kosova tha se përmbushi kushtin e vendosur nga disa anëtarë të KE-së dhe kërkoi që të pranohet në organizatën evropiane për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, Gjermania, njëra nga vendet që vendosi kushte për Kosovën në KE, tha se beson në "hapa konkrete" vetëm kur Kosova do të dorëzojë draft-statutin për AKS-në në Gjykatën Kushtetuese. qa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR