Osmani: Çdo kërcënim për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të përballet me kundërshtimin dhe unitetin e shqiptarëve nga tërë Ballkani
- Presidentja e Kosovës, deklaroi se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut vendosës në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit në Kosovë, Osmani porositi se çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqipëtarëve në Maqedoninë e Veriut do të përballet me kundërshtim të vendosur nga shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
- Post By Fami Bajrami
- 15:07, 21 nëntor, 2024
Prishtinë, 21 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, deklaroi se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut vendosës në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit në Kosovë, Osmani porositi se çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqipëtarëve në Maqedoninë e Veriut do të përballet me kundërshtim të vendosur nga shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Kosovës porositi se do të ndërmarrë gjithçka, që të mos bëhet asnjë hap prapa në lidhje me të drejtat e shqiptarëve të fituara me Marrëveshjen e Ohrit.
"Shohim shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sa i përket të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit dhe dua t’i siguroj të gjithë se do të bëjmë çmos që mos të bëhet asnjë hap prapa, por vetëm hapa përpara. Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut vendosës në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej Ballkanit Perëndimor", tha Osmani.
Presidentja e Kosovës theksoi se nevojitet koordinim i vazhdueshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, por mbi të gjitha për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
"Në këtë drejtim, koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, e mbi të gjitha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në tërë rajonin, e kudo që jetojnë ata, është vendimtar për suksesin tonë dhe për ecjen përpara drejt familjes euroatlantike, aty ku e kemi vendin dhe e meritojmë”, ka thënë Osmani.
Fjalimi vjetor i Osmanit në Kuvendin e Kosovës, edhe këtë vit, si vitin e kaluar, po bojkotohet nga partia më e madhe opozitare parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, si dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa vetëm deputetët nga partia e tretë opozitare shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, janë të pranishëm në sallën e Kuvendit. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s