• e premte, 05 dhjetor 2025

Fon der Lajen: BE-ja është gati të vendos sanksione kundër Rusisë në të njëjtën kohë me SHBA-në

Fon der Lajen: BE-ja është gati të vendos sanksione kundër Rusisë në të njëjtën kohë me SHBA-në

Berlin, 4 qershor 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, deklaroi se Bashkimi Evropian është gati të vendosë sanksione kundër presidentit rus Vlladimir Putin në të njëjtën kohë me SHBA-në, me qëllim që të ushtrojë presion mbi të në negociatat paqesore.

"Diskutuam si mund të zbatojmë njëkohësisht sanksione evropiane dhe amerikane kundër Putinit nëse ai nuk ulet në tryezën e negociatave", tha ajo, transmeton Politiko.

BE-ja në këtë moment po përgatit pakon e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa sipas Fon der Lajen, fokusi është në sektorin e energjisë ruse dhe ndërprerjen e burimeve të financimit rus. Sanksionet pritet të përfshijnë masa kundër kompanive të lidhura me dy tubacionet e gazit "Rrjedhja veriore" midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Pas takimit me senatorin republikan amerikan, Lindzi Gream, kryetarja e KE-së deklaroi se ishte e kënaqur me planet e tij për të ushtruar presion ndaj Rusisë.

Sipas ligjit të sanksioneve, bashkautor i të cilit është Gream, do të vendosen tarifa prej 500 për qind për mallrat e importuara nga vendet që ende blejnë lëndë djegëse fosile ruse dhe produkte tjera. Kjo do të thotë se, nëse amerikanët marrin vendim për vendosjen e sanksioneve, atëherë ato tarifa prej 500 për qind do të përfshihen në pakon e tyre", theksoi një përfaqësues i KE-së.

Zëdhënësja e kryetares së KE-së, Paula Pinjo, deklaroi se sanksionet amerikane dhe evropiane nuk mund të jenë identike, por ideja është që ato të zbatohen në koordinim sa më të madh. rq/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR