Zelenski propozon armëpushim derisa nuk takohet me Putinin
- Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski propozoi armëpushim derisa mbahet takimi mes tij dhe presidentit rus, Vlladimir Putin.
- Post By Besnik Shuki
- 16:26, 4 qershor, 2025
Kiev, 4 qershor 2025 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski propozoi armëpushim derisa mbahet takimi mes tij dhe presidentit rus, Vlladimir Putin.
"Ideja ime, të cilën besoj se partnerët tanë mund ta përkrahin, është t'u propozojmë rusëve armëpushim deri në takimin e liderëve", tha Zelenski në konferencë për shtyp në Kiev.
Ai shtoi se kushtet për paqe që i vendos Moska janë ultimatume.
Deklarata e Zelenskit ka të bëjë me kushtet e përmbajtura në memorandumin që Rusia ia dorëzoi Ukrainës në fillim të javës, i cili parashikon tërheqje të ushtrisë ukrainase nga katër rajone, për të cilat Moska thotë se i ka anektuar.
"Ky është ultimatum, të cilin pala ruse po na e imponon. Për këtë shkak, sipas meje, ata nuk e publikuan dokumentin para negociatave, pasi e dinë se nëse publikohet, Ukraina do të kishte të drejtë të plotë të mos vijë në takimin në Stamboll", tha presidenti ukrainas.
Ai shtoi se nuk ka kuptim të vazhdohen negociatat në Stamboll me delegacionet aktuale, pasi pas dy rretheve, ato nuk dhanë rezultate.
"Mendoj se Rusia është e gatshme të vazhdojë me këmbim të të burgosurve, por delegacioni aktual rus, i udhëhequr nga një këshilltar i rendit të dytë në Kabinetin e presidentit, nuk është në nivel të diskutojë për armëpushim", tha Zelenski. Sipas tij, vazhdimi i takimeve diplomatike në atë nivel nuk ka kuptim. bsh/
Foto: EPA