Numri i viktimave nga përmbytjet në Spanjë arriti 158, kërkimi pas të mbijetuarve vazhdon
- Të paktën 158 persona e kanë humbur jetën në përmbytjet katastrofike në Spanjë, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha më 28 tetor.
- Post By Besnik Shuki
- 13:38, 1 nëntor, 2024
Madrid, 1 nëntor 2024 (MIA) – Të paktën 158 persona e kanë humbur jetën në përmbytjet katastrofike në Spanjë, të shkaktuara nga të reshurat e mëdha më 28 tetor.
“Numri i viktimave është 158, ndërsa duhet të shtohen edhe dhjetëra persona të zhdukur”, deklaroi në konferencë për shtyp Anhel Viktor Tores, ministri i ngarkuar për bashkëpunim me rajonet spanjolle.
Pritet që numri i viktimave të rritet, pasi ekipet e shpëtimit edhe më tej janë në kërmim pas të zhdukurve.
Ushtria është ftuar të ndihmojë në rajonet nga përmbytjet në Valencia prej sot në mëngjes, sipas guvernatorit rajonal.
“Sapo kërkova përfshirjen e armatës dhe forcave tokësore, detare dhe ajrore për përforcimin e ndihmës logjistike dhe shpërndarjen e ndihmës deri te popullata”, tha ai përmes publikimit në Iks.
Më shumë se 1.000 ushtarë nga njësitë spanjolle të shpëtimit për raste emergjente tanimë u janë bashkangjitur shpëtimtarëve rajonalë dhe lokalë për raste urgjente në kërkim pas trupave të pajetë dhe të mbijetuarve. Ministri i Mbrojtjes tha se vetëm ushtarët deri dje kanë nxjerrë 22 trupa të pajetë dhe kanë shpëtuar 110 persona.
Sipas raporteve, më 29 tetor në disa pjesë të Valencias për tetë orë ka rënë aq sasi e shiut, që është e njëjtë me sasinë mesatare vjetore për atë rajon.
Pjesa më e madhe nga numri i përgjithshëm – 155 janë nga Valencia, ndërsa dy persona kanë humbur jetën në Kastilja-La Mança në perëndim të krahinës, dhe një person, shtetas britanik, ka humbur jetën në Andaluzia, njoftoi Bi-Bi-Si.
Dje, ekipet e shpëtimit, edhe krahas të reshurave të fuqishme, i kanë gjetur trupat e tetë personave, mes të cilëve edhe një polic lokal, të cilët janë ngujuar në një garazhë në periferinë e qytetit Valencia, deklaroi prefektja Marija Hoze Katala. bsh/