• e mërkurë, 22 janar 2025

NATO dakordoi masat për të kundërshtuar aktivitetet armiqësore dhe kibernetike të Rusisë

NATO dakordoi masat për të kundërshtuar aktivitetet armiqësore dhe kibernetike të Rusisë

Bruksel, 4 dhjetor 2024 (MIA) - Vendet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për një sërë masash proaktive për t'iu kundërvënë aktiviteteve armiqësore dhe kibernetike të Rusisë, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rute në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Paktit të Brukselit.

"Këto masa përfshijnë këmbimin e zgjeruar të inteligjencës, më shumë ushtrime, mbrojtje më të mirë të infrastrukturës kritike, mbrojtje të përmirësuar kibernetike dhe veprime më të ashpra kundër flotës ruse të maskuar si anije eksportuese të naftës", tha Rute.

Ai thekson se jemi dëshmitarë të një qëndrimi gjithnjë e më agresiv të Rusisë dhe përshkallëzimit të fushatës së saj të veprimeve armiqësore në vendet e NATO-s.

“Kemi parë një rritje të menjëhershme të këtyre sulmeve dhe duhet t'i kërkojmë përgjegjësi autorët. Si Rusia ashtu edhe Kina janë përpjekur të destabilizojnë vendet tona dhe të ndajnë shoqëritë tona me akte sabotimi, sulmesh kibernetike dhe shantazhe energjetike”, theksoi Rute.

Sipas tij, shtrirja në rritje midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit nënvizon natyrën globale të kërcënimeve me të cilat përballet NATO, krahas "rreziqeve në rritje të luftës së vazhdueshme në Ukrainë".

“Kështu pra, lufta ilegale e Rusisë në Ukrainë përbën një kërcënim për të gjithë ne. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku, Evropa dhe Amerika e Veriut, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të mbajtur të sigurt një miliard njerëzit tanë”, tha Rute.

I pari i NATO-s thekson se Irani luan një rol destabilizues në fqinjësinë e tij të afërt, duke mbështetur grupet militante në rajonin e Lindjes së Mesme dhe gjithashtu mbështet luftën ilegale të Rusisë në Evropë, duke ofruar dronet vdekjeprurëse Shahed për forcat ruse. Përveç kësaj, siç thotë Rute, në këmbim të trupave dhe armëve, Rusia po i jep Koresë së Veriut mbështetje për programet e saj raketore dhe bërthamore, të cilat mund të destabilizojnë Gadishullin Korean dhe madje të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara.

Ai theksoi se përveç aktiviteteve dashakeqe të Rusisë në territorin e NATO-s dhe situatës në Lindjen e Mesme, në takimin ministror u diskutua edhe për mundësitë për mbështetje më të madhe për Ukrainën gjatë dimrit të ardhshëm.

“Ukraina përballet me bombardime të pamëshirshme që synojnë zonat civile dhe infrastrukturën kritike, dhe Rusia po përparon në vijat e frontit, megjithëse me një kosto të lartë. Ky mund të jetë dimri më i vështirë për Ukrainën që nga viti 2022”, tha Rute.

Sipas tij, ministrat diskutuan se çfarë mund të bëjnë më shumë aleatët për të siguruar municion dhe mbrojtje ajrore për Ukrainën, pasi Rusia po shton sulmet e saj dhe po e zgjeron luftën me ndihmën e trupave dhe armëve të Koresë së Veriut.

Ai theksoi se anëtarët e Aleancës po punojnë për të përmbushur premtimin për mbështetje ushtarake për Kievin në vitin 2024 në një vlerë prej 40 miliardë eurosh dhe se komanda e re e NATO-s për asistencën dhe trajnimin e sigurisë të Urkainës, në Uiesbaden, duhet të bëhet plotësisht funksionale në fund të këtij viti.

“Por ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht ta përkrahim Ukrainën në luftë. Ne duhet të ofrojmë mbështetje të mjaftueshme për të ndryshuar trajektoren e këtij konflikti një herë e përgjithmonë”, tha Rute.

I pyetur se çfarë nënkupton me "ndryshimin e trajektores së konfliktit", Rute tha se kjo do të thoshte t'i jepte Ukrainës mbështetje të mjaftueshme për të ndaluar përparimet ruse në terren dhe për të forcuar pozicionin e saj, gjë që një ditë do t'i lejonte qeverisë ukrainase të fillonte bisedimet me Rusinë se si t'i jepnin fund konfliktit. 

“Ndryshimi i trajektores do të thotë të parandalosh lëvizjen e vijës së frontit drejt perëndimit dhe të sigurohesh që Ukraina të jetë në një pozicion më të fortë për të qenë në gjendje të marrë atë që dëshiron gjatë negociatave”, tha Rute.

Në përgjigje të pyetjes nëse pas këtij takimi ministror Ukraina është më afër anëtarësimit në NATO, Rute tha se e ardhmja e vendit duhet të jetë në Aleancë dhe se gjithçka që po bëhet tani me mbështetjen e vendit është ndërtimi i urave për të lidhur dy palët, por që aktualisht prioriteti kryesor është forcimi i forcave ukrainase në mënyrë që ato të "ndryshojnë trajektoren".

Rute përkujtoi gjithashtu se në takimin e djeshëm të krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s ka marrë pjesë edhe përfaqësuesja e re e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pasi siç tha, Unioni është një partner thelbësor i Aleancës.

"Ne bashkëpunojmë për një sërë çështjesh - nga mbështetja jonë për Ukrainën, deri tek lëvizshmëria ushtarake dhe përforcimi i prodhimit të mbrojtjes", shtoi Rute. 

Foto: Arkivi I MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR