• e premte, 22 nëntor 2024

Në një shpërthim në Pakistan humbën jetën gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe fëmijë

Në një shpërthim në Pakistan humbën jetën gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe fëmijë

Islamabad, 1 nëntor 2024 (MIA) – Të paktën katër nxënës dhe dy persona humbën jetën gjatë shpërthimit të një bombe të vendosur përgjatë rrugës, e cila ishte drejtuar drejt automjetit të policisë në provincën e paqëndrueshme jugperëndimore pakistaneze Baluçistan, njoftuan sot persona zyrtarë, informon DPA. 

Sulmi ka ndodhur në qytetin Mastung, në afërsi të kryeqytetit provincial Keta, herët në mëngjes, përderisa fërgona të shkollave dërgonin fëmijë në mësim, deklaroi për DPA përfaqësuesi lokal i policisë Ali Ahmed. 

Të paktën 16 persona, prej të cilëve shumica fëmijë, janë plagosur nga bomba, e cila ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar në afërsi të një shkolle për vajza, tha Ahmed. 

Qëllimi kryesor ishte një automjet i policisë, por shpërthimi ka goditur edhe transportin shkollor, deklaroi zëdhënësi i qeverisë provinciale, Shahid Rind. 

Në mesin e të vdekurve janë edhe një nëpunës i policisë dhe një civil, shtoi Ahmed. 

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif e dënoi sulmin dhe urdhëroi arrestimin e terroristëve që qëndrojnë pas tij, njoftoi kabineti i tij. 

Mastung, qytet i qetë malor në afërsi të Ketës, është i njohur si qendër për militantët nga grupe të ndryshme sunite, duke përfshirë Shtetin Islamik dhe talebanët pakistanezë. 

Baluçistan, provinca më e madhe, por më e paqëndrueshme në Pakistan, kufizohet me Afganistanin dhe Iranin. Gjatë muajve të fundit, aty vërehet rritje e dhunës nga ana e kryengritësve islamikë dhe separatistëve lokalë. 

Një pjesë e madhe e dhunës ka të bëjë me ndikimin e rritur ekonomik të Kinës, aleatin politik të Islamabadit, e cila në rajon ndërton port me ujë të thellë që ta lidhë provincën e saj Ksinxhianjg me Detin Arab përmes Pakistanit. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR