Moska nuk do të marrë pjesë në bisedimet midis SHBA-së, Ukrainës dhe Turqisë
- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, theksoi se Moska nuk do të përfaqësohet në bisedimet midis të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stiv Uitkof, presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski dhe përfaqësuesve turq, të cilat janë paralajmëruar për nesër në Stamboll.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:35, 18 nëntor, 2025
Moskë, 18 nëntor 2025 (MIA) - Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, theksoi se Moska nuk do të përfaqësohet në bisedimet midis të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stiv Uitkof, presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski dhe përfaqësuesve turq, të cilat janë paralajmëruar për nesër në Stamboll.
Ai shtoi se Kremlini ende nuk ka marrë kurrfarë informacionesh nga Ukraina në lidhje me rifillimin e dialogut.
Në të njëjtën kohë, Moska është e hapur për bisedime për një zgjidhje, një fakt që është i njohur mirë në Uashington, Stamboll dhe Kiev, raportoi RIA novosti.
Peskovi sqaroi se presidenti rus Vladimir Putini, për momentin nuk ka plane të kontaktojë Uitkofin ose përfaqësuesit turq.
Ai theksoi se Putini do të ishte i hapur për bisedime nëse ndonjëri prej tyre e konsideron të nevojshme ta informojë Rusinë për bisedimet e tyre me Zelenskin. "Tani për tani këto kontakte po zhvillohen pa pjesëmarrjen ruse", tha Peskov në një konferencë për shtyp, duke vënë në dukje se Kremlini ende nuk ka informacione në lidhje me gatishmërinë e Kievit për dialog.
Uitkofi planifikon nesër ta vizitojë Turqinë dhe të marrë pjesë në bisedime me Zelenskin, bëri të ditur një burim turk.
Turqia ka për qëllim t'i vazhdojë negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, por ende nuk ka detaje konkrete, ka thënë një burim diplomatik turk për RIA novosti.
Peskovi gjithashtu tha se Rusia nuk ka marrë kurrfarë informacionesh nga Kievi në lidhje me qëllimin e tyre për të vazhduar negociatat.
"Ende nuk kemi marrë kurrfarë informacionesh nga Kievi. Duket se Zelenski ka menduar në kontaktet që do të mbahen nesër në Stamboll. Këto janë kontaktet e tij me miqtë tanë turq, të cilëve ndoshta do t'u bashkohet edhe z. Uitkof. Do t'i presim rezultatet e këtyre bisedimeve", tha Peskovi.
Paraprakisht, ministri turk i Punëve të Jashtme Hakan Fidan, deklaroi se konflikti ruso-ukrainas është afruar në një ngërç dhe nuk e përjashtoi mundësinë e një raundi të ri negociatash.
"Rusia dhe Ukraina kanë mbajtur tre raunde negociatash të drejtpërdrejta në Stamboll. Rezultati ishte një shkëmbim i të burgosurve. Përveç kësaj, Rusia ia dorëzoi trupat e ushtarëve të vdekur ukrainas autoriteteve në Kiev. Palët shkëmbyen gjithashtu projekt-memorandume për zgjidhjen e konfliktit", tha Fidani.
Kremlini paraprakisht ka shprehur shqetësim në lidhje me financimin e Ukrainës, duke thënë se skandalet korruptive mund të çojnë në përvetësim të mjeteve dhe destabilizim. "Nëse paratë dërgohen në Kiev, është apriori i qartë se një pjesë e këtyre parave, ndoshta të parëndësishme, thjesht do të përvetësohen. Prandaj, pasojat e këtij skandali janë tashmë të dukshme. Dhe se si do të zhvillohet më tej, do ta shohim të gjithë së bashku", tha Peskovi.
Foto: EPA