Cikloni "Vajanu" shkakton dëme të mëdha në Ishullin Verior të Zelandës së Re
- Cikloni "Vajanu" ka shkaktuar dëme të rënda në Ishullin Verior të Zelandës së Re, duke lënë mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe duke detyruar qindra banorë të evakuohen, kumtuan autoritetet lokale.
Vellington, 12 prill 2026 (MIA) – Cikloni "Vajanu" ka shkaktuar dëme të rënda në Ishullin Verior të Zelandës së Re, duke lënë mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe duke detyruar qindra banorë të evakuohen, kumtuan autoritetet lokale.
Stuhia u shoqërua me erëra me shpejtësi mbi 130 km/orë, shira të rrëmbyeshëm dhe valë të larta edhe para se të arrinte në tokë, sipas të dhënave të shërbimit kombëtar meteorologjik.
Në një numër rajonesh është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe janë lëshuar paralajmërime për nivelin më të lartë "të kuq".
Ministri i Menaxhimit të Emergjencave, Mark Miçell, deklaroi se cikloni është zhvendosur më në lindje sesa ishte parashikuar fillimisht, duke e shpëtuar qytetin më të madh Oklend nga dëmet më të rënda. Megjithatë, autoritetet presin që kushtet e motit të përkeqësohen në orët në vijim.
Sipas autoriteteve, rreth 5.000 amvisëri mbetën pa energji elektrike, ndërsa në operacionet e evakuimit po marrin pjesë edhe forcat e armatosura me pajisje të rënda. Në qytetin Uangarej janë regjistruar më shumë se 100 mm reshje në 24 orë.
Cikloni "Vajanu" kujton ciklonin shkatërrues "Gabriel" të vitit 2023, kur 11 persona vdiqën dhe mijëra të tjerë mbetën të pastrehë. ls/
Foto: Printskrin Jutjub