Mickoski nga Munihu: Për Maqedoninë anëtarësimi nuk është mëshirë, por i merituar moti kohë
- Për Maqedoninë, anëtarësimi në kuadër të Bashkimit Evropian nuk është mëshirë, por diçka që moti e ka merituar, porositi sot kryeministri, Hristijan Mickoski.
- Post By Besnik Shuki
- 16:02, 15 shkurt, 2026
Shkup, 15 shkurt 2026 (MIA) - Për Maqedoninë, anëtarësimi në kuadër të Bashkimit Evropian nuk është mëshirë, por diçka që moti e ka merituar, porositi sot kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në intervistë për Radiotelevizionin e Maqedonisë (RTM) në margjinat e Konferencës së sigurisë në Munih, Mickoski tha se Qeveria po përpiqet të bëjë me dije padrejtësitë që vendi ka kaluar në procesin e integrimit evropian dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është mëshirë, por diçka që e ka merituar moti.
Duke u përqëndruar në takimet në Munih, Mickoski tha se Qeveria, kudo që shkon, "po përpiqet të tregojë versionin e saj të rrëfimit".
"Në përgjithësi, ne si Qeveri e Maqedonisë, kudo që shkojmë, luftojmë për atë në të cilën besojmë, e kjo është ta themi versionin tonë të rrëfimit, që sipas mendimit tonë është e vërteta. Le të flasim për të gjitha sfidat që ne si popull, si shtet, kemi kaluar në dekadat e fundit, kur bëhet fjalë për procesin e integrimit evropian", tha Mickoski.
Ai theksoi se "për Maqedoninë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është mëshirë, por diçka që e ka merituar prej kohësh".
"T'i themi të gjitha, do të thoja, parregullsitë, t'i themi të gjitha padrejtësitë që na janë shkaktuar, edhe si popull, edhe si shtet, por në të njëjtën kohë le të theksojmë se thelbi nuk është të shkatërrohet imazhi dhe kredibiliteti i vet Bashkimit Evropian. Ne kemi një ndjenjë dhe qytetarët tanë ndjejnë frustrim dhe kanë një ndjenjë se dikush nga vetë Bashkimi Evropian, jo nga jashtë, por nga brenda, duket se dëshiron ta shkatërrojë atë imazh dhe atë kredibilitet", tha Mickoski.
Sipas tij, rrëfimi i jonë është plot sfida, por, thotë ai, Maqedonia gjithmonë fiton.
"Kudo që shkojmë, luftojmë dhe e tregojmë historinë tonë. Është e pikëllueshme, është plot sfida, por gjithmonë ta dimë se Maqedonia fiton. Kështu do të jetë edhe në këtë rast. Pavarësisht se sa kohë duhet, ne do të luftojmë dhe do të jemi të durueshëm", tha Mickoski.
Duke komentuar konferencën e këtij viti, Mickoski vlerësoi se mesazhet nga pala amerikane këtë vit ishin më të buta krahasuar me vitin e kaluar, por, siç tha ai, thelbi është i njëjtë. Përfundimi, sipas tij, është se Evropa dhe Amerika janë partnerë dhe miq, por "duhet të dihet se kush çfarë përgjegjësish ka në atë partneritet dhe miqësi".
"Vitin e kaluar, mesazhet mund të kenë qenë më të drejtpërdrejta, këtë vit ato ishin në një formë më të ndërlikuar, kur flasim për mesazhet që vijnë nga SHBA-ja, por thelbi është i njëjtë. Esenca është e njëjtë, nevojitet të dihet se kush çfarë përgjegjësie ka dhe vizavi përgjegjësisë, kush kontrollon përfitimet nga ajo përgjegjësi", tha Mickoski.
Duke folur për deklaratën e përbashkët të Maqedonisë dhe SHBA-së për tregti, Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për tarifa tregtare, e jo për dogana.
"Këto nuk janë dogana, kjo është shumë me rëndësi të thuhet për qytetarët tanë, këto janë tarifa tregtare. Këto tarifa tregtare përfshijnë disa, 'inflou' siç i quajnë ata, disa mund të jenë detyrime doganore, disa janë taksa, disa janë lloje të tjera detyrimesh, por ata e formësojnë si tarifë tregtare", tha Mickoski.
Ai shtoi se Maqedonia mori të njëjtat kushte si vendet e Bashkimit Evropian, respektivisht tarifë prej 15 për qind dhe është i vetmi vend në Evropë jashtë BE-së që negocion në bazë bilaterale një marrëveshje të tillë me SHBA-në.
"Maqedonia mori të njëjtat kushte, kur bëhet fjalë për nivelin e tarifës, siç ka vetë Bashkimi Evropian - 15 për qind dhe është i vetmi vend në Evropë, jashtë Bashkimit Evropian, që po negocion një marrëveshje të tillë me SHBA-në në bazë bilaterale, e cila ende duhet të harmonizohet në hollësira. Tani është harmonizuar vetëm deklarata e përbashkët, e cila praktikisht përcaktoi kornizën brenda së cilës do të funksionojë marrëveshja", shpjegoi Mickoski.
Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 62-të të sigurisë në Munih, Mickoski mori pjesë në tryezë të rrumbullakët "Derë e hapur apo fund i hapur? - Përmbushja e premtimeve për zgjerim të BE-së" dhe realizoi takim me kryeministrin holandez, Dik Shof, kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta, presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski, Riçard Grenel, të dërguarin e posaçëm të presidentit të SHBA-së Donald Tramp për misione speciale, kryetarin për çështjet globale dhe bashkëudhëheqësin e Institutit global Goldman Saks, Xhared Koen dhe me Ted Dojç nga Komiteti amerikano-hebraik. bsh/
Foto: Printskrin