Për 47 banesa sociale në Dibër, janë dorëzuar 85 kërkesa
- Në shpalljen e publikuar të Ministrisë së Transportit për ndarjen e 47 banesave sociale në Dibër, deri në afatin e caktuar më 30 mars, janë dorëzuar 85 kërkesa.
- Post By Fami Bajrami
- 14:58, 1 prill, 2026
Dibër, 1 prill 2026 (MIA) - Në shpalljen e publikuar të Ministrisë së Transportit për ndarjen e 47 banesave sociale në Dibër, deri në afatin e caktuar më 30 mars, janë dorëzuar 85 kërkesa.
"Deri në afatin e fundit, në shërbimet e Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër janë dorëzuar 85 kërkesa. Bëhet fjalë për ndarjen e 47 banesave sociale me sipërfaqe prej 34 deri në 54 metra katrorë", tha për MIA-n, Arlinda Mulladauti-Telqiu, drejtoreshë e Qendrës.
Sipas saj kërkesat me dokumentacionin e nevojshëm sot janë dorëzuar në komisionin përkatës në Ministrinë e Transportit.
Shpërndarja e banesave, theksoi ajo, do të jetë në përputhje me metodologjinë për vlerësimin e kandidatëve dhe porositi se banesat do të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Shtoi se objekti që gjendet në rrugën "Normalja e Elbasanit", është ndërtuar në kuadër të Programit për ndërtim, shitje dhe mirëmbajtje të hapësirës së banimit në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në përputhje me Marrëveshjen kornizë të huasë të lidhur midis Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ajo shton se kërkesë për marrjen e një apartamenti social me qira mund të dorëzojë një person, shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vendbanim të përhershëm në komunë, si dhe një person që nuk ka banesë në pronësi personale, çift bashkëshortor dhe anëtarë të rritur të familjes së tij të përbashkët në territorin e vendit dhe që i përkasin kategorive të listuara në shpallje.

"Më konkretisht, përfitues të banesave sociale mund të jenë kategoritë e mëposhtme të qytetarëve që janë të pasigurt në strehim edhe atë fëmijë pa prindër ose kujdes prindëror - persona mbi 18 vjeç të cilët deri në tetëmbëdhjetë vjeç janë kujdesur në institucione dhe forma të tjera të kujdesit për fëmijë pa prindër, përfitues të së drejtës për ndihmë minimale të garantuar, persona të prekur nga fatkeqësitë natyrore pavarësisht nga statusi ligjor i banesave të tyre ekzistuese (primare)", thekson drejtoresha.
Aplikimet, siç tha ajo, mund të dorëzohen edhe nga persona me aftësi të kufizuara dhe familje me persona me aftësi të kufizuara, si dhe persona që i përkasin komunitetit rom.
Foto: MIA