• e martë, 06 gusht 2024

Mickoski do ta presë kryeministrin e Kosovës Kurti

Mickoski do ta presë kryeministrin e Kosovës Kurti

Shkup, 5 gusht 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Hristian Mickoski sot do ta presë dhe do të jetë nikoqir i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Siç bënë të ditur nga shërbimi për informim i Qeverisë, në kuadër të vizitës është paraparë takim tet-a-tet mes kryeministrave Mickoski dhe Kurti, pas çka do të vijojë takim dypalësh në të cilin përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe delegacione qeveritare nga të dyja palët. 

Është paraparë që Mickoski dhe Kurti sot të mbajnë konferencë të përbashkët për media në qendrën e mediave të Qeverisë. 

Pritet që të diskutohet edhe për incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës shprehu shqetësim për shkak të incidentit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, duke e quajtur "jo dinjitoze" sjelljen e sigurimit të aeroportit ndaj Osmanit, dhe ka kërkuar sqarime zyrtare lidhur me incidentin nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga MPJ e Maqedonisë së Veriut. 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut me rastin e notës së protestës nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, doli me qëndrim në të cilin kërkohet sqarim i plotë lidhur me ngjarjen në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Osmani. Ministria theksoi se ka kërkuar informacione nga institucionet kompetente dhe pas analizës së të dhënave të grumbulluara do të ndërmarrë masa, me qëllim, siç bëhet e ditur, që në të ardhmen të shmangen situata të tilla. 

MPB e Maqedonisë njoftoi të enjten në mbrëmje se sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi ka kërcënuar punonjësit e TAV-it të cilët kanë kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që ta lërë telefonin e saj për të kaluar në kontrollin në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup. Siç ka bërë të ditur MPB-ja, derisa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që të kalonte telefonin e saj në skaner, një nga sigurimi i saj e tërhoqi të punësuarin në TAV, me qëllim që ajo të kalojë pa e skanuar telefonin dhe bagazhin e dorës. Por më pas, megjithatë, bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri.

Nga TAV Maqedoni njoftuan se departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni ka vepruar në kuadër të kompetencave të veta dhe ka bërë kontroll standard të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu dhe bagazhit të saj në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP gjë që nuk e ka rrezikuar sigurinë e aviacionit dhe sigurinë e udhëtarëve. Nga aty kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se punonjësi i tyre nga departamenti i sigurisë ka tentuar t'ia marrë telefonin presidentes së Kosovës gjatë kontrollit në sallonin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, të enjten përmes një kumtese mohoi çfarëdo lloj përfshirje të anëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin në aeroportin e Shkupit, për të cilin, thonë, transmetojnë disa media. Gashi, në deklaratën për mediat tha se "ka intervenuar që të qetësohet situata, që të mos ketë incident diplomatik, dhe mendoj se gjithçka përfundoi siç duhet". Thotë se nëse dikush i ka tejkaluar autorizimet e tij, gjithsesi do të duhet të përgjigjet. fc/

Fotografia: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR