MIA Flesh
- – Kuvendi sot do ta mbajë mbledhjen e 18-të, në rend dite të të cilës janë pyetjet e deputetëve, të cilat do të jenë të parat në përbërjen e re parlamentare pas konstituimit më 28 maj të këtij viti. Sipas Rregullores, pyetje për kryeministrin dhe ministrat të parët do të parashtrojnë deputetët e opozitës. Zakonisht, seancat për pyetje të deputetëve mbahen të enjten e fundit të muajit.
- Post By Fitore Curri
- 08:45, 31 tetor, 2024
9:00/ 31 tetor/ 2024
Shkup – Kuvendi sot do ta mbajë mbledhjen e 18-të, në rend dite të të cilës janë pyetjet e deputetëve, të cilat do të jenë të parat në përbërjen e re parlamentare pas konstituimit më 28 maj të këtij viti. Sipas Rregullores, pyetje për kryeministrin dhe ministrat të parët do të parashtrojnë deputetët e opozitës. Zakonisht, seancat për pyetje të deputetëve mbahen të enjten e fundit të muajit.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot do të marrë pjesë në Konferencën ministrore për dimensionin human të Formulës për paqe në Ukrainë e cila po mbahet në Montreal, Kanada. Konferenca është organizuar në partneritet nga Ministritë e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Norvegjisë dhe Ukrainës. Në konferencë, siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, ministrat pritet të shkëmbejnë mendime dhe qëndrime në lidhje me kthimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve të ndaluar ilegalisht si rezultat i luftës ruso-ukrainase, si dhe gjetjen e mekanizmave më të përshtatshëm për kthimin e popullit të zhvendosur ilegalisht dhe fëmijëve ukrainas të dëbuar me forcë nga ana e Federatës ruse.
Shkup - Përfundon masa për kufizimin e marzhit të fitimit të një pjese të produkteve ushqimore bazë që u përfshinë me shportën konsumatore të vjeshtës. Vendimi është marrë nga Qeveria në gjysmën e dytë të shtatorit, ndërsa me të janë përfshirë 73 produkte ushqimore bazë, marzhi bruto i fitimit i të cilave u kufizua në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Qeveria paralajmëron se do të kundërshtojë ashpër nëse çmimet rriten sërish. Pas ministrit të Ekonomisë, edhe kryeministri Hristijan Mickoski pardje paralajmëroi se do t'i përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të mbrojtur standarin e qytetarëve.
Shkup - Në organizim të Organizatës humanitare gjermane Arbeiter-Samariter-Bund (ASB) dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot në Shkup do të mbahet Konferencë rajonale në kuadër të projektit "Të bashkuar kundër dhunës në familje në Ballkanin Perëndimor - Bashkëpunimi rajonal dhe mbështetje për strehimoret për viktimat e dhunës në familje". Projekti është i financuar nga Qeveria gjermane dhe zbatuar nga ASB-ja dhe autoritetet lokale dhe organizatat joqeveritare nga 11 komuna në Ballkanin Perëndimor.
Shkup - Përfundoi konferenca e projektit "Përmirësimi i cilësisë në arsim" financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa shfrytëzues i fundit është Ministria për Arsim dhe Shkencë që do të mbahet sot në Shkup. "Kjo ngjarje do t'i theksojë rezultatet kyçe, leksionet e mësuara dhe hapat e ardhshëm për të përmirësuar cilësinë në arsim. Gjithashtu, do të sigurohen mundësi të shkëlqyera për rrjetëzimin dhe diskutimin midis ekspertëve, edukatorëve dhe kreatorëve të politikës", theksohet në kumtesë.
Shkup - Ambasadori turk në shtet, Fatih Ulusoj sot do ta vizitojë Kuvendin. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, Ullusoj do të realizojë takim me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme dhe me grupin parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë.
Shkup – Në mëngjes nëpër disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës ose vranësira të ulëta. Gjatë ditës mot me diell me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa në disa vende përgjatë Vardarit erë e fuqishme e përkohshme nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 0 deri 9, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 17 deri 23 gradë. Në Shkup në mëngjes në disa pjesë të luginave do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së dobët, ndërsa gjatë ditës mot me diell me vranësira të vogla. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri në 6, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 23 gradë.
Shkup - Rruga rajonale Zërnovc - Ponikvë më saktë në vendin e quajtur "Udhëkryqi Bellska", edhe sot është pjesërisht e bllokuar për shkak të protestës së qytetarëve. Komunikacioni zhvillohet në një korsi rrugore drejt Ponikvës dhe fshatit Beli. Komunikacioni në rrugët e tjera shtetërore zhvillohet pa ndërprerje, kryesisht nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shtip - Është normalizuar gjendja me shpërndarjen e energjisë elektrike në Spitalin Klinik-Shtip. Drejtori i spitalit, Vladko Zahariev, për MIA-n informoi se pas prishjes së një kablloje dje rreth orës 15:00, ekipet e EVN-së që kanë punuar gjatë natës e kanë zgjidhur problemin rreth orës 1 pas mesnate. Ai theksoi mëngjesin e sotëm se gjendja me rrymën është normalizuar dhe spitali po funksionon normalisht. Ndryshe, MIA mbrëmë informoi se spitali është furnizuar me rrymë nga një agregat, për shkak se gjatë aktiviteteve ndërtimore është prishur një kabllo.
Prishtinë - Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit të bllokut, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar si dhe të të gjitha marrëveshjeve të kaluara, pa prolongime apo parakushte të mëtejshme. “Nga Kosova pritet të fillojë procesi që çon në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian të paraqitur më 21 tetor 2023. Ndërkaq nga Serbia, pritet të përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshja njëkohësisht duke filluar procesin e njohjes së dokumenteve të Kosovës, simboleve dhe institucioneve të saj”, thuhet në raport, transmeton Zëri i Amerikës.
Kiev - Të paktën dy persona kanë vdekur, ndërsa 34 janë plagosur në një sulm rus me bombë ajrore në një ndërtesë shumëkatëshe në Harkov, kumtoi sot kreu i rajonit Harkov, Oleg Sinegubov. "Në këtë moment të plagosur janë 34 persona. Një fëmijë ka vdekur", tha ai. Siç transmetojnë mediat ukrainase, për shkak të sulmit rus vonë të mërkurën, plotësisht është shkatërruar hyrja e kësaj ndërtese.
Uashington – Nënpresidentja e SHBA-së dhe kandidate demokrate në zgjedhjet presidenciale, Kamalla Haris, ka përparësi të vogël para kundërkandidatit republikan Donald Tramp në Miçigen dhe Uiskonsin, përderisa dy kandidatët janë barazuar në Pensilvani, tregon anketa e re e Si-En-En, e publikuar mbrëmë. Më pak se një javë para zgjedhjeve më 5 nëntor, demokratja Haris prin me 48 përkundër 43 për qind në mesin e votuesve të mundshëm në Miçigen dhe me 51 përkundër 45 për qind në Uiskonsin – dy nga tre shtetet e papërcaktuara të cilat e morën pseudonimin “muri i kaltër” për shkak të rolit të tyre kyç në fitoren e presidentit Xho Bajden mbi Trampin në vitin 2020.
Nju Jork - Këshilli i sigurisë së KB-së të mërkurën i kërkoi Izraelit ta anulojë vendimin për ndalimin e një agjencie të Kombeve të Bashkuara e cila ofron shërbime "jetike" për refugjatët palestinezë për dekada të tëra. "Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë në Lindjen e Mesme (UNRVA) është shtylla e përgjigjes humanitare në Gazë", bëri të ditur Këshilli i sigurisë duke paralajmëruar se "miliona njerëz mund të preken seriozisht" nëse operacionet e tij do të ishin pamundësuar. “Agjencia ofron ndihmë humanitare për shpëtimin e jetëve, si dhe shërbime arsimore, shëndetësore dhe sociale në territorin e pushtuar palestinez dhe në Jordani, Liban dhe Siri”, shton Këshilli i Sigurisë në komunikatë.
Uashington - Funksionarë të lartë amerikanë duke përfshirë edhe drejtorin e CIA-s, Uilliam Bërns dhe deputetët Bret Mekgurk dhe Amos Hohshtajn sot do të vizitojnë Egjiptin dhe Izraelin, kumtoi Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan-Pjer, deklaroi se komandanti i komandës qendrore të SHBA-së, gjenerali Majkll Erik Kurila është gjithashtu në rajon dhe do ta vizitojë Izraelin si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të diskutuar për Iranin, Libanin dhe lirimin e pengjeve të cilët mbahen nga grupi militant palestinez Hamas. Shtytja e fundit diplomatike vjen gjatë përpjekjeve për t'i dhënë fund armiqësive midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah.
Bejrut - Të paktën 19 persona mes të cilëve tetë gra, janë vrarë në sulmet izraelite në qytetin libanez Balbek dhe rrethinën e saj, kumtoi Ministria e Shëndetësisë në vend. Sulmi i djeshëm ka ndodhur pasi dhjetëra mijëra banorë u larguan nga qyteti verior libanez si përgjigje e urdhrave të evakuimit të lëshuar nga armata izraelite. Kryebashkiaku Mustafa al-Shel deklaroi për Bi-Bi-Si-së se janë regjistruar më shumë se 20 sulme në zonën në Balbek, prej të cilave pesë në vetë qytetin dhe një kompleks tempujsh të lashtë romakë që janë në listën e UNESKO-s në trashëgiminë kulturore të mbrojtur.
Floridë – Kundër një ithtari 18-vjeçar të Donald Trampit është ngritur akuzë për kërcënim me hanxhar prej 60 centimetrave të dy grave, ithtare të Kamalla Harisit, në Neptun Biç, Floridë, derisa ata zhvillonin fushatë para vendvotimit, konfirmoi policia. Keljeb Xhejms Uiliams akuzohet për vepër penale sulm ndaj një personi mbi 65 vjet dhe për shkelje se ka nxjerrë armë të rrezikshme. Shefi i policisë Majkëll Kej Junior deklaroi se Uiliams, bashkë me shtatë persona 16 dhe 17-vjeçarë, të martën pasdite kishin ardhur në afërsi të bibliotekës së qytetit me qëllim të “protestojnë dhe antagonizojnë kundër partisë politike rivale”.
Pensilvani - Një gjykatës në Filadelfia ka urdhëruar miliarderin Ilon Mask që të paraqitet në gjykatë për një seancë dëgjimore në lidhje me ndarjen e një milion eurove për votuesit e regjistruar në të ashtuquajturat shtete të lëkundura të SHBA-së. Prokurorët e Filadelfias kundërshtuan nismën e Mask për të dhënë miliona përmes lotarisë, pas së cilës u ngrit padi. Zyra e prokurorit të qytetit ndarjen e mjeteve të komitetit të veprimit politik të themeluar nga Mask një "llotari të paligjshme" që i mashtroi banorët e Pensilvanisë të ndajnë informacione personale.
Meksiko Siti - Dy gazetarë nga Meksika janë vrarë për më pak se 24 orë në shtetet perëndimore të Meksikës, njoftuan mediat britanike. Në shtetin perëndimor Kolima, dje pasdite u vra gazetarja e njohur Patrisha Ramirez e njohur edhe me pseudonimin e saj Peti Banberi. Më herët, në qytetin Uruapan, në shtetin perëndimor Miçoakan i cili është përfshirë në dhunë u vra gazetari Mauricio Kruz i cili punonte për një kanal lokal të lajmeve.