• e martë, 01 tetor 2024
MIA Flesh

30 shtator/15.00/2024

Shkup- Deri më tani asnjë shtetas i Maqedonisë nuk ka aplikuar për ndihmë apo evakuim nga Libani, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme për MIA-n. "Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Liban, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut në disa raste u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që ndodhen në këtë vend që në rastin e parë të mundshëm të largohen prej atje dhe të shtyhen të gjitha udhëtimet në këtë vend, të cilat nuk janë të domosdoshme", theksojnë nga Ministria.

Shkup- Ish kryeministrit Nikolla Gruevski më 4 tetor të këtij viti i vjetërsohet dënimi me burg prej dy viteve për rastin “Tanku”, i cili ka të bëjë me blerjen e “mercedesit” luksoz. Gruevski ishte dënuar më 4 tetor 2018, kështu që më 4 tetor të këtij viti kalojnë gjashtë vjet, që është afati i paraparë ligjor për vjetërsimin e vuajtjes së dënimit. 

Shkup- Në vitin 2022 në takimin e fundit në Tiranë arritëm hapa kyç, ndër të cilët është bashkëpunimi ynë i frytshëm rreth programit “Erasmus Plus”, si dhe strategjitë për specializim të zgjuar. Ne kemi bashkuar të gjitha përpjekjet për Agjendën e BE-së për Ballkanin Perëndimor për inovacion, kërkim, kulturë, rini dhe sport dhe së bashku sigurojmë që brezat e rinj të mund të nxjerrin përfitime të plota nga ky proces, tha Iliana Ivanova, Komisionere Evropiane për inovacion, kërkim, kulturë, arsim dhe rini. 

Shkup- Sezoni i ngrohjes në Shkup për të gjithë shfytëzuesit në rrjetin e ngrohjes qendrore do të fillojë më 15 tetor 2024, me kushte të njëjta si edhe më parë, gjegjësisht me temperaturë të garantuar prej 21 gradë Celsius dhe ngrohje në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 22:00. Siç informon sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Menaxhim me Mbeturina Komunale (KRRE), në rast se temperatura e jashtme e parashikuar për ditën në vijim është e barabartë ose më e ulët se 12 ºС, atëherë sezoni i ngrohjes mund të fillojë më herët, respektivisht jo më parë se data 1 tetor dhe të mbarojë jo më vonë se më datën 30 prill.

Shkup- Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, me një fjalim përshëndetës e hapi sot punëtorinë me temë: “Forcimi i mëtejmë i kapaciteteve për zbatimin efektiv të acquis-it në fushën e ndotjes industriale”. “Industria është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por për fat të keq ajo lë pasoja të rënda në mjedis. Ndotja nga instalimet e mëdha industriale ndikon në ajrin që thithim, ujin që pimë dhe tokën që na ushqen. Prandaj, është detyra jonë t'i kontrollojmë këto ndikime dhe të promovojmë praktika më të pastra dhe më të qëndrueshme”, theksoi Mexhiti.

Shkup- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është e gatshme t'u përgjigjet të gjitha sfidave në të ardhmen. Sfidat të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Maqedonisë, nëse në realitet ka si të tilla, do t'u përgjigjemi ashpër, deklaroi numri një i policisë, Pançe Toshkovski. Në deklaratën për media pas hapjes së Qendrës rajonale K9 në Qendrën policore Gjorçe Petrov, Toshkovski potencoi se shërbimet janë duke përcjellë informacionin e duhur tek autoritetet.

Shkup- Ministria e Administratës Publike dha udhëzime për veprimet e institucioneve nga sektori publik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e mjetit “balancues” gjatë punësimit në  administratën publike. "Në lidhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut U.Nr. 90/24, të datës 18 shtator 2024, Ministria e Administratës Publike dha udhëzime për veprimet e institucioneve të sektorit publik, të parashikuara në pikën 1 të këtij Vendimi, kumtuan sot nga Ministria.

Shkup- Ministri i Çështjeve Evropiane,  Orhan Murtezani, sot u takua me ambasadoren e Kroacisë në Maqedoninë e Veriut, Nives Tiganj. Në takim, siç informon Ministria e Çështjeve Evropoiane, ata riafirmuan miqësinë e gjatë dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, poashtu shqyrtuan mundësitë e ardhshme për bashkëpunim dy palësh.

Shkup- Gjatë javës së kaluar, nëpunës doganor kanë zbuluar disa tentime për kontrabandë, pas çka përkohësisht janë konfiskuar orë të dorës, celularë, valuta, barna, prodhime kozmetike, cigare dhe sende të tjera, informojnë nga Drejtoria doganore. Janë sekuestruar pesë telefona celularë "ajfon 16" në Aeroportin ndërkombëtar – Shkup, krejt kjo gjatë kontrollit të bagazhit të një shtetasi të Maqedonisë i cili ka arritur me fluturim nga Stambolli. I pyetur nga doganierët nëse ka pasur diçka për të deklaruar për kontroll, udhëtari i cili u paraqit për hyrje në vend në terminalin VIP u përgjigj se posedon vetëm ëmbëlsira për fëmijët. Megjithatë është bërë kontroll në valixhen e tij të udhëtimit, pas çka i janë gjetur celularët.

Kiev- Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andrij Jermak deklaroi se plani i fitores së Ukrainës të cilin presidenti i atij vendi Volodimir Zelenski ia prezantoi presidentit amerikan Xho Bajden javën e kaluar, do t'u prezantohet ukrainasve, por vetëm pjesërisht sepse ka pjesë të cilët janë të besueshme. "Ky është plan i presidentit (Zelenski) dhe sigurisht siç premtoi, pas prezantimit para presidentit të SHBA-së dhe partnerëve, mendoj se plani do t'u prezantohet ukrainasve", tha Jermak.

Gjenevë- Numri i rasteve me Mpoks vazhdon të rritet në disa vende afrikane, ndërsa virusi, më herët i njohur si lija e majmunit, gjithashtu përhapet në rajone të reja, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në raportin e tij të fundit për situatën, OBSH tha se vendi i Afrikës Perëndimore Guinea ka regjistruar rastin e parë. Më e goditur është Republika Demokratike e Kongos në Afrikën Qendrore. 

Jerusalem- Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) dhe shërbimi inteligjent izraelit Shin Bet në një deklaratë të përbashkët kumtuan se komandanti i grupit militant palestinez Hamas në Liban, Fateh Sherif el Amin u vra në një sulm ajror izraelit. Në kumtesë thuhet se Sherif është "shef i degës libaneze të organizatës terroriste Hamas", shkruan "Tajms of Izrael".

Madrid- Real Madridi ka konfirmuar se portieri i parë Tibo Kurtoa ka marrë lëndim në këmbën e majtë. Belgu u lëndua në ndeshjen e mbrëmshme me Atletiko Madridin (1:1) në kuadër të xhiros së 8-të të La ligës. Ai nuk do të kthehet në fushë deri në pushimin e reprezentacionit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR