18:00/13 shkurt/2026
Shkup - Kuvendi, në seancën plenare të caktuar për të mërkurën, 18 shkurt, pritet t’i konstatojë dorëheqjet e kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, dhe të anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska. Menjëherë pas kësaj, siç thonë nga Kuvendi për MIA-n, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e një kryetari të ri të KRRE-së dhe të një anëtari të KSHPK-së. Procedurën për zgjedhjen e tyre do ta udhëheqë Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Shkup - Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, përmes një postimi në Facebook njoftoi se është dakorduar deklarata e përbashkët dhe korniza për Marrëveshjen për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkup - Bullgaria e ratifikoi Marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8, njoftoi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski në faqen e tij të Fejsbukut. "Sot, Kuvendi Popullor i Republikës së Bullgarisë ratifikoi Marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8. Kjo Marrëveshje në dhjetor u ratifikua edhe në Kuvendin e Maqedonisë. Me këtë janë përmbushur të gjitha kushtet për përfundimin e lidhjes hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes, si dhe Burgasit. Jam krenar që kjo Marrëveshje të cilën e kemi nënshkruar më 6 nëntor me zëvendëskryeministrin e Bullgarisë, Grozdan Karaxhov do të thotë lidhje më të afërta ekonomike mes dy vendeve dhe dy popujve, por tregon edhe vetëdije të fortë të Maqedonisë në realizimin e Korridorit 8 i cili është një korridor sigurie jashtëzakonisht i rëndësishëm me interes të lartë për NATO-n dhe partnerët tanë strategjikë", ka shkruar Nikolloski.
Shkup - Krahas funksionimit si institucione arsimore për arsimin e mesëm të detyrueshëm, nga sot do të mund të validojnë edhe njohuritë dhe aftësitë e popullsisë më të rritur, të fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjevski, njoftuan sot fillimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës “Ferid Murati”, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në komunë. "Projekti përfshin asfaltim të plotë të rrugës, dy korsi të rregulluara për qarkullim në të dy drejtimet, trotuare të standardizuara për këmbësorë, korsi biçikletash në të dy anët, parkim të organizuar për rreth 200 vetura, si dhe sistem të ri të ndriçimit publik. Realizimi i këtij projekti bëhet në bashkëpunim mes Komunës së Çairit, Bankës Botërore dhe Ministrisë së Transportit. Rruga 'Ferid Murati' ka rëndësi të veçantë për Çairin, pasi lidh lagje të rëndësishme, lehtëson lëvizjen e përditshme dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin lokal", njoftojnë nga Komuna e Çairit.
Shtip – Përfundoi seanca gjyqësore me prezantimin e dëshmive dhe dhënien e deklaratave të dëshmitarëve të katër shtetasve turq, të cilët janë të akuzuar se vitin e kaluar në maj i kanë ndihmuar shtetasit turk Kadir Kara, i cili në një kafene në qendër të Shtipit vrau bashkëkombësin e tij.
Munih - Kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merc në hapjen e Konferencës së sigurisë në Munih theksoi se për momentin po shembet rendi botëror i bazuar në rregulla. "Së bashku, kemi hyrë në një epokë, e cila përsëri është shumë hapur e shënuar nga fuqia dhe politika e fuqive të mëdha. Para së gjithash, shohim revizionizmin e dhunshëm të Rusisë, luftën e saj brutale kundër Ukrainës, kundër rendit tonë politik me krime të përditshme mizore lufte. Domethënë, kjo është thjesht shprehja më e thellë që shohim çdo ditë. Po shohim edhe ngjarje të tjera në botë të cilat ndryshojnë nga ato që kemi diskutuar shpesh në këtë hapësirë", theksoi Merc.
Munih - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, sot deklaroi se rendit ndërkombëtar i mungon përgjegjsia. "Të gjithë janë nënshkrues të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Principet janë aty. Por, çfarë ndodh nëse dikush i shkel këto principe? Përgjegjësia dukshëm nuk funksionon", theksoi Kallas në panelin "Pikë kthese: Rendi ndërkombëtar mes reformës dhe shkatërrimit" në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Uashington - Forcat amerikane kanë përfunduar misionin e tyre për të transferuar anëtarët e burgosur të Shtetit Islamik nga Siria në Irak, kumtoi sot Komanda qendrore e SHBA-së (CENTKOM). "Misioni 23-ditor i transferimit filloi më 21 janar dhe rezultoi në transferimin e suksesshëm të më shumë se 5.700 luftëtarëve të rritur të SHI nga qendrat e paraburgimit në Siri në paraburgimin irakian", theksohet në kumtesën e CENTKOM-it