• e enjte, 12 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 11 dhjetor/ 2024

Shkup - Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit. BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.

Shkup – Lëvizja Evropiane e Maqedonisë së Veriut sot në Kuvend e organizojnë Konferencën e shtatë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE – MK) dhe Konferencën e dytë plenare në kuadër të projektit “Le të sundojë drejtësia me rajonin”.  Siç informojnë nga Lëvizja Evropiane, bëhet fjalë për ngjarje e cila i bashkon nismat qytetare rajonale në sferën e sundimit të drejtësisë. Theksojnë se ideja që të organizohen ngjarje të përbashkëta rajonale dukshëm u përforcua me nismat e reja të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Planit të rritjes. Kjo nismë qytetare, siç thonë, do të mundësojë ndarjen e praktikave rajonale për çështje jetike nga Klasteri 1 dhe përmes transmetimit të tyre në mjediset kombëtare do të ndikohet në përmirësimin e ambientit anëtarësues, duke potencuar rëndësinë e proceseve të reformave. 

Shkup – Në Shkup sot do të shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe Dita Evropiane e Drejtësisë.  Ngjarja organizohet me mbështetjen e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit “Për sistem të konsoliduar dhe më efikas për ndihmë juridike falas (NJF) në Maqedoninë e Veriut” i cili është pjesë e programit “Instrument horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqia III”, projekt i përbashkët i BE-së/Këshillit të Evropës të cilin e zbaton Këshilli i Evropës.   Siç informojnë nga Zyra Programore e Këshillit të Evropës në Shkup, në ngjarje do të flasin ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, Lilja Gretasdotir, udhëheqësja e Departamentit për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut, Drejtësisë dhe Standardeve për Bashkëpunim Juridik në Këshillin e Evropës dhe zëvendësambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Ben Nupnau. 

Shkup - Në Kuvend sot seanca do të mbajnë tre komisione - Komisioni për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave, Komisioni për financim dhe buxhet dhe Komisioni për arsim, shkencë dhe sport.

Shkup - Ulje të dukshmërisë deri në 50 m. për shkak të mjegullës ka në vendkalimet malore Gjavatë dhe Stracin. Qarkullimi në rrugët e tjera shtetërore zhvillohet normalisht në kushte dimërore, në disa vende me lagështi. Intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nuk ka vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi, thonë nga LAMM. Nga data 15.11.2024, filloi obligimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore për automjetet, pavarësisht kushteve momentale të motit dhe do të zgjasë deri më 15.03.2025.

Shkup - Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët me periudha me diell, ndërsa paradite do të ketë paraqitje të mjegullës dhe vranësira të ulëta në disa lugina. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej -2 deri në 4, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 6 deri në 14 gradë Celsius. Në Shkup në mëngjes do të ketë paraqitje të mjegullës dhe vranësira të ulëta, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot pjesërisht me vranësira dhe e qetë. Temperatura minimale do të ulet në 3, ndërsa ajo maksimale deri në 10 gradë.

Prishtinë - Pjesëtarët e KFOR-it vazhdojnë me patrullimet rutinë në Kosovë, ndërsa gjatë ditës së djeshme nga ky mision i NATO-s kanë raportuar për patrullime në zonën e komunës së Istokut, raportojnë mediat kosovare. Misionet ditore të KFOR-it garantojnë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së nga viti 1999 – për të kontribuar për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në kumtesën e KFOR-it.

Uashington – Presidenti amerikan në largim Xho Bajden i cilësoi planet ekonomike të trashëgimtarit të tij Donald Tramp si “katastrofë” në një fjalim në të cilin foli për sukseset e administratës së tij. Sipas Bajdenit, planet e presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp që të vendosë dogana të mëdha dhe t’i ulë tatimet, janë hap i cili do ta dobësojë ekonominë amerikane.  “I lutem Zotit që presidenti i porsazgjedhur ta hedhë poshtë Projektin 2025. Mendoj se kjo do të jetë katastrofë ekonomike për ne dhe për rajonin”, tha Bajdeni në Institutin Brukings në Uashington. Bajdeni paralajmëroi se planet e Trampit në masë të madhe do t’i shërbejnë të pasurve dhe do ta ndryshojnë “progresin” e arritur në katër vitet e kaluara drejt fuqizimit të klasës punëtore. 

Seul - Ish ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Kim Jong-hjun i akuzuar për rolin e tij të pasuksesshëm të vendosjes së gjendjes së luftës në vend më 3 dhjetor tentoi të vetëvritet në qendrën e paraburgimit ku po mbahet, deklaroi përfaqësuesi i lartë i Ministrisë së Drejtësisë para Parlamentit. "Përpjekja e tij për vetëvrasje ishte e pasuksesshme dhe ai tani është në një gjendje stabile", deklaroi sot para deputetëve komisari i përgjithshëm i Shërbimit të zbatimit të sanksioneve të burgut, Kim Jong-he.

Nju-Jork - Rusia e ka transferuar Bashar al Asadin në "mënyrën më të sigurt", deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme të atij vendi, Sergej Rjabkov, në një intervistë të transmetuar për En-Bi-Si. Kremlini të hënën publikoi se presidenti Vlladimir Putin kishte vendosur t'i jepte azil Asadit në Rusi. “Ai është i sigurt dhe kjo tregon se Rusia po sillet siç duhet në një situatë të jashtëzakonshme", deklaroi Rjabkov për mediat amerikane. Ai shtoi se nuk do të elaborojë "se çfarë ndodhi dhe se si u zgjidh e gjithë kjo". I pyetur nëse Rusia do ta dorëzonte Asadin për gjykim, Rjabkov tha se Rusia nuk është palë e konventës me të cilën është themeluar Gjykata ndërkombëtare penale.

Uashington - Presidenti i sapozgjedhur Donald Tramp e ka zgjedhur Kimberli Gillfolj, ish modertarore në Foks-Njuz dhe e fejuara e djalit të tij, Donald Tramp më i riu, për ambasadore të re amerikane në Greqi. Gillfolj është e fejuara e Trampit më të riut nga dhjetori i vitit 2020, ndërsa Trampi në rrjetet sociale publikoi se është mike dhe aleate shumë e afërt dhe se "është në mënyrë perfekte e kualifikuar" që t'i përmirësojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Greqisë, me fokus te ato sfera, siç janë bashkëpunimi në mbrojtje, tregti dhe inovacione ekonomike. Gillfojl nuk është funksionarja e vetme e emëruar në pozitë, që ka lidhje familjare me Trampin.

Damask - Kryeministri i ri i Sirisë, Mohamed al Bashir i cili do ta udhëheq vendin në periudhën e tranzicionit, në një intervistë për "Al Xhezira" premtoi stabilitet dhe qetësi për popullin sirian, të lodhur nga lufta që zgjati më shumë se 13 vite. "Koha është që njerëzit t'i gëzohen stabilitetit dhe qetësisë, të kujdesen për veten e tyre dhe të dinë se çfarë bën qeveria, t'u ofrojë atyre shërbimet që u nevojiten", tha Bashir i emëruar në këtë funksion nga rebelët islamikë pas rënies së presidentit Bashar Asad.

Los Anxhelos - Një zjarr i madh ka përfshirë malin Malibu në Kaliforninë jugore apo zonën e quajtur "Zjarri i Frenklinit" duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar mijëra persona të evakuojnë një nga zonat më të njohura në SHBA, njoftojnë mediat amerikane. Pronat multimilionëshe, disa në pronësi të yjeve të Hollivudit, janë në trajektoren e zjarrit që shpejt u përhap gjatë natës për shkak të erës dhe vegjetacionit të thatë. Sherifi i qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, tha se ka rreth 18.000 persona dhe më shumë se 8.000 prona në zonën e rrezikuar.

Bergamo– Mesfushori i Real Madridit, Xhud Belingem e ka konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishme fitoren ndaj Atalantës (3:2) mbrëmë në ndeshjen e xhiros së gjashtë të Ligës së kampionëve. "Ndjehem i lehtësuar pas kësaj fitore. Ishte shumë e rëndësishme që të marrim pikët. Ndeshja ishte shumë e vështirë. Në pjesën e dytë duhej të mbronim epërsinë, por bëmë një punë të shkëlqyer", ka thënë Belingemi. Real Madridi tani ka nëntë pikë dhe është ngjitur në vendin e 17-të të renditjes. Atalanta është në vendin e 8-të me 11 pikë.

QËNDRONI TË LIDHUR