• e enjte, 12 dhjetor 2024
MIA Flesh

12:00/10 dhjetor/2024

Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) respekton vendimin e Departamentit amerikan të shtetit. Kështu thuhet në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga BDI, ndërsa theksohet se “mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”. “Bashkimi Demokratik për Integrim respekton vendimin e Departamentit amerikan të shtetit. Si parti, mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në komunikatën e BDI-së. Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi mbrëmë është deklaruar në rrjetet sociale pasi emri i tij është parë të jetë përfshirë në Listën e zezë amerikane. Grubi ka thënë se ky informacion të cilin e mori nga mediat e prek drejtpërdrejt dhe personalisht.

Shkup - Ziadin Sela, lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, i cili është në koalicion me BDI-në, e përshëndeti vendimin e Departamentit të Shtetit për vendosjen e ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti në listën e zezë të SHBA-së, ju bëri thirrje që të tërhiqen nga jeta institucionale dhe politike, dhe të përballen me akuzat.

Shkup – Ministria e Punëve të Brendshme sot paradite konfirmoi se po vijon aksion policor në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.  Sipas informacioneve jozyrtare, dhjetëra persona janë arrestuar në aksionin e sotëm të MPB-së, lidhur me punën në KME Manastir, TEC Osllomej dhe TEC Negotinë, “Vijon aksion policor në koordinim me PTHP NKOK. Pas përfundimit të të njëjtit do ta informojmë publikun në mënyrë adekuate”, njoftojnë nga MPB.

Shkup - Në periudhën prej 1-10 dhjetor të vitit 2024, Eko-patrulla e NP “Higjiena Komunale” - Shkup ka përgatitur gjithsej 25 procesverbale edukative - informative për qytetarët dhe personat juridikë që kanë shkelur Ligjin për pastërtinë publike, gjegjësisht janë kapur gjatë hedhjes së mbetjes në mënyrë të paligjshme në sipërfaqet publike dhe të trafikut në komunat e Shkupit: Qendër, Karposh, Gazi Babë, Çair, Aerodrom dhe Kisella Vodë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve të Eko-patrullës është zhvilluar në komunën Çair, ku janë shpërndarë 11 procesverbale edukative - informative.

Shkup - Uji në Shkup është cilësor dhe i sigurt për pije, tregojnë rezultatet e analizave të kryera nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi"-Shkup. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën nga data 2 dhjetor deri më 6 dhjetor 2024 ka marrë 204 mostra për analizë fiziko-kimike dhe 204 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit për pije nga 50 stacione matëse në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të fituara të hulumtimit të gjitha mostrat përputhen me Rregulloren e kërkesave për siguri dhe cilësi të ujit për pije (Gazeta zyrtare e RMV-së, nr. 183/18)", thuhet në kumtesën e NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi"-Shkup.

Shkup - SPB Shkup njofton se për shkak të mbajtjes së protestave, sot me fillim nga ora 14.00, Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor në SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit në udhëkryqin ndërmjet bulevardit "Nikolla Karev" dhe rr."Prohor Pçinjski" në Shkup. Gjithashtu, me fillim nga ora 16:00, për shkak të mbajtjes së marshit protestues, Njësiti për siguri në trafikun rrugor në SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit.

Shkup - Në Kodër të Diellit mëngjesin e sotëm janë matur -3 gradë Celsius dhe 47 centimetra borë, ndërsa në Demir Kapi dhe Strumicë janë matur 7 gradë. Në Llazaropole janë matur -1 gradë, 1 në Hanet e Mavrovës dhe Krushevë, 2 në Tetovë dhe Manastir, 3 Berovë dhe Pretor, 4 në Ohër, Kriva Pallankë dhe Prilep, 5 gradë në Gjevgjeli, Kavadar, Dibër dhe Shkup-Zajçev Rid dhe 6 gradë në Shtip, Vinicë dhe Veles.

Tiranë - Njeriu i parë i prokurorisë së posaçme shqiptare kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, Altin Dumani është shpallur për kampion në luftën kundër korrupsionit për vitin 2024 nga Departamenti amerikan i Shtetit. "Në solemnitetin e mbajtur në Departamentin e Shtetit, në prani të sekretarit amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, njeriu i parë i SPAK-ut u gjet mes 10 emrave për kampionë botërorë në luftën kundër korrupsionit", njoftuan mediumet shqiptare.

Beograd - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se ai nuk është Asadi dhe se nuk do të ikë askund. "Edhe nëse mendoni se unë jam Asadi, kështu që nuk do të ik diku – NUK JAM", deklaroi Vuçiq mbrëmë vonë."Jam gjallë, gjithë jetën kam jetuar këtu në Serbi, i jam falënderues Serbisë sime, do të qëndroj këtu, ky është vendi im ku do të përfundoj. Do të luftoj për Serbinë dhe do t'i shërbej popullit serb dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Serbisë, asnjëherë të huajve, asnjëherë atyre që duan ta mposhtin, poshtërojnë dhe shkatërrojnë Serbinë", shkroi Vuçiqi në profilin e tij në Instagram.

Beograd - Gjithsej 33 fakultete në Serbi janë të bllokuara, raportojnë mediat serbe. Në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Kragujevc janë bllokuar gjithsej 33 fakultete, ndërsa protestat e studentëve po përhapen si një ortek dhe po bëhen gjithnjë e më të mëdha, raporton TV Nova. Studentët nëpër fakultete në mbarë Serbinë po protestojnë gjatë gjithë kohës duke kërkuar përgjegjësi për viktimat e tragjedisë në Novi Sad dhe publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor.

Bruksel - Takimi i radhës i kryenegociatorëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 17 dhjetor, ka konfirmuar zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hiper."Palët kanë konfirmuar praninë e tyre dhe do të diskutojnë për disa çështje, duke përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit", tha zëdhënësja.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski sot shprehu "mirënjohjen e tij të thellë" për Donald Trampin "për vendosmërinë e tij për t'i dhënë fund luftës me Rusinë", pas takimit me presidentin e sapozgjedhur amerikan në Paris. Presidenti francez Emanuel Makron ishte nikoqir në bisedimet Zelenski-Tramp të shtunën në Pallatin e Eliseut.

Londër - Ish presidenti i Sirisë, Bashar al Asad është në Moskë dhe ka marrë azil në Rusi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov deklaroi se presidenti rus Vlladimir Putin personalisht i dha azil Asadit. "Kuptohet që vendime të tilla nuk mund të merren pa shefin e shtetit. Ai është vendimi i tij", tha Peskovi, por nuk iu përgjigj pyetjes se ku ndodhet më saktë Asadi. Në lidhje me mundësinë e kontakteve mes Putinit dhe ish presidentit të Sirisë, sipas Peskovit, "takime të tillë në orarin zyrtar të presidentit nuk ka".

Leverkuzen - Mesfushori i Real Madridit, Arda Gjyler mund ta vazhdojë karrierën në Gjermani, publikoi gazetari Florian Pletenberg. Sipas Pletenbergut, Baer Leverkuzeni është i interesuar për turkun 19-vjeçar. Klubi gjerman e ka ndjekur lojtarin kur ai është shpërngulur nga Fenerbahçe në Real Madrid. Nga ana tjetër, klubi madrilen nuk ka për qëllim të ndahet me Gjylerin në afatin kalimtar të dimrit, por mund të mendojë për transfer në verë.

Londër - Qendra ndërkombëtare londineze për zgjidhjen e kontesteve e ka përfunduar marrjen në pyetje për rastin me 115 shkeljet financiare të Mançester Sitit, njofton "Dejli mejl". Aktgjykimi duhet të shqiptohet gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, siç njofton burimi, palët me siguri do të parashtrojnë ankesë në cilëndo nga vendimet e mundshme, pra procedura mund të vazhdojë deri nga fundi i sezonit të ardhshëm.

 

QËNDRONI TË LIDHUR