15:00/11 dhjetor/2024
Shkup - Lidhur me kushtëzimin nga Bullgaria, Parlamenti është i gatshëm në çdo kohë të fillojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, që vendin po e mbajnë në bllokadë. Megjithatë, nevojitet konsensus dhe vullnet politik që procesi të ecë përpara në përputhje me standardet e BE-së dhe të mos pengohet nga çështjet dypalëshe, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në Konferencën e Shtatë Plenare të KKBE-MK-së. Ai vlerëson se si vend kemi mungesë të kohës dhe se duhet të jemi shumë të aftë për të gjetur formulën e duhur se si të veprojmë.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot ka udhëtuar për vizitë pune në Vjenë të Austrisë, ku do të merr pjesë dhe do të ketë paraqitje në Këshillin e 22-të Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili do të mbahet më 12 dhjetor. Në këtë takim vjetor, ku Mexhiti merr pjesë së bashku me ministren e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, do të diskutohet për temat që kanë të bëjnë me vendosjen e ardhshme të obligimeve shtesë legjislative në fushën e menaxhimit të ujërave, habitateve dhe shpendëve të egër (amendamentet e vitit 2009 në direktivën e BE-së), si dhe një diskutim për përmirësimin e Udhërrëfyesit për dekarbonizimin.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot ka takuar ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker. Në takim, kumtuan sot nga Ministria, janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunim i suksesshëm, i bazuar në mbështetjen dhe respektin e ndërsjellë, për çfarë, ndër të tjera, janë konfirmim edhe nga takimet e nivelit të lartë në periudhën e kaluar. "Bashkëbiseduesit u përqëndruan edhe situatat aktuale, si në të dy vendet, ashtu edhe në rajon, me fokus të veçantë në procesin integrues të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ministri Mucunski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të hapur të deritanishme të Republikës së Sllovenisë në këtë proces, duke përcjellë pritjet se do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme", thuhet në kumtesë.
Shkup – Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski deklaroi sot se ish drejtori i KME Manastir, Vasko Kovaçevski, i dyshuar në aksionin “Aditivët”, nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes, por se ata do të bëjnë gjithçka që është në kompetencën e tyre ligjore që të veprojnë me qëllim që të kapet dhe të nxiret para organeve të drejtësisë. Aditivi i blerë ishte paguar trefish më shtrenjtë, ndërsa sipas dëshmive të cilat i tregoi Toshkovski, gati as nuk është shfrytëzuar, ndërsa ajo që ishte shfrytëzuar ka shkaktuar dëme në blloqet në KME “Manastir”. Në aksion deri më tani janë konfiskuar 220 mijë euro.
Shkup - Në thelbin e vetë projektit evropian qëndron angazhimi për nxitjen e bashkëpunimit, ndërtimin e urave dhe prishjen e barrierave që krijojnë kufij. Kjo është gjithashtu detyra themelore e politikës së kohezionit, si një shtyllë mbështetëse e integrimit evropian dhe si një shtytës i ndryshimit, e cila është veçanërisht e rëndësishme për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërkufitar, ku vlerat evropiane njihen dhe zbatohen së bashku me të gjithë aktorët në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal në Bashkimin Evropian, por edhe më gjerë. Këtë e theksoi sot ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në konferencën përmbyllëse të projektit "Mbështetje nga BE-ja për zbatimin e Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian në Maqedoninë e Veriut", në organizim të Ministrisë për Çështje Evropiane.
Shkup – Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani ka shprehur mospajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të mbajë seancë përgatitore për nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në deklaratë për mediat pas seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin nuk ishin të pranishëm gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, ndërsa gjykatësi Fatmir Skender vendosi të mos merr pjesë në debatin për këtë pikë, Osmani theksoi se është e palejueshme që në një shtet multietnik organi më i lartë të mbajë mbledhje me përbërje monoetnike, veçanërisht në tema të ndjeshme.
Shkup - Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh shqetësim serioz në lidhje me publikimin aktual të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për vendosjen e gjyqtarit në "listën e zezë". "Theksojmë angazhimin tonë për të trajtuar çdo formë korrupsioni në sistemin e drejtësisë në përputhje me ligjin dhe standardet etike. Në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor tashmë po ndërmerr masa në përputhje me kompetencat e tij të përcaktuara në Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut", theksohet në kumtesën e Këshillit Gjyqësor.
Shkup - Prokurori publik republikan Lupço Kocevski ka formuar lëndë për sigurimin e provave për përgjegjësi të mundshme penale për personat e vendosur në listën e zezë të SHBA-së. Lënda, siç ka bërë të ditur sot i është dorëzuar për veprim prokurorisë kompetente e cila do të japë urdhra përkatës tek institucionet për zbulimin e veprave penale. "Duke marrë parasysh seriozitetin e pretendimeve për të cilat personat e apostrofuar gjenden në listë, kam shfrytëzuar kompetencat e mia dhe që dje kam formuar lëndë me qëllim për të siguruar prova me të cilat do të kontrollojmë përgjegjësinë eventuale penale të personave që lidhen me veprimet e ryshfetit dhe tregtisë me ndikim", theksoi Kocevski në konferencën për media.
Shkup - Në kuadër të aktiviteteve të rregullta vjetore të AP-së së NATO-s, në Forumin Vjetor të 24-t Parlamentar Transatlantik, i organizuar bashkërisht nga AP-ja e NATO-s, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së dhe Këshilli Atlantik u mbajt më 9 dhe 10 dhjetor 2024 në Uashington, SHBA, mori pjesë Delegacioni i Kuvendit në AP të NATO-s, i përbërë nga: z. Dragan Kovaçki, shef i Delegacionit, z. Bekim Sali dhe znj. Sllavjanka Petrovska, anëtarë të Delegacionit. Në Forum morën pjesë një numër i madh parlamentarësh nga vendet anëtare të NATO-s dhe morën fjalë kongresmenë, përfaqësuesit më të lartë të Këshillit Atlantik, analistë të etabluar të politikës ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes dhe profesorë të shquar nga universitetet amerikane dhe evropiane dhe fondacionet ndërkombëtare që punojnë për çështjet e sigurisë.
Shkup - Në përputhje me strategjitë e qëndrueshmërisë dhe përkushtimin ndaj cilësisë së jetës së konsumatorëve, EVN Maqedoni në partneritet me TAV Maqedoni, së bashku prezantojnë shërbim të ri: stacione të mbushjes së makinave elektrike në aeroportet në Shkup dhe Ohër. Nga sot, pasagjerët, klientët, mysafirët dhe stafi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportit "Shën Apostoll Pavle" në Ohër do të kenë në dispozicion një shërbim dhe komoditet shtesë - katër stacione për mbushjen e makinave elektrike. Kjo përparësi e re, e cila e pasuron edhe më tej ofertën e aeroporteve TAV, është mundësuar nga EVN Maqedoni dhe është në përputhje me strategjitë për qëndrueshmëri dhe përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve të klientëve të të dy kompanive.
Shkup - Anëtarësimi në BE është alternativa më e mirë, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për rajonin në këtë moment të një konteksti të ri gjeopolitik, theksoi Mirosllav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështjet rajonale të Ballkanit Perëndimor, në Konferencën e Shtatë Plenare të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut, e cila mbahet në Kuvend. "Gjeopolitika krijoi mundësi të reja për zgjerimin e BE-së, por këto dritare nuk mbeten përgjithmonë të hapura, këshilla ime është të mos përsërisni gabimet e së kaluarës, këshilla ime është të shfrytëzoni momentin dhe të vendosni interesin e përbashkët para interesave partiake", tha Lajçak.
Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov është mirënjohës për ndihmën nga aleatët në zbulimin e rasteve të korrupsionit, por konsideron se paraprin që institucionet kompetente në periudhën në vijim, ta çojnë deri në fund punën e vet. "Unë jam mirënjohës ndaj partnerëve tanë që na ndihmojnë në procese, por disa gjëra do të duhet t'i çojmë vetë deri në fund. Në periudhën që pason, të shohim se çka do të ndodhë, të mos shpejtojmë me konkludime", tha Fillkov i pyetur përse nga institucionet kompetente të vendit nuk ka hetime për korrupsion për Grubin dhe gjykatësin Bexheti se kanë kryer korrupsion, ndërsa në SHBA tashmë kanë vlerësuar se ka.
Shkup - Hetimi për rastin Onkologjia përfundon, ndërsa ekspertiza e zbatuar në Serbi konfirmoi dyshimet për trajtim joadekuat të pacientëve, informon Prokuroria. Siç ishte thënë në brifing me gazetarët, në vijim janë edhe ekspertiza në Slloveni të cilat duhet të jenë gati deri në fund të janarit. "Duke pasur parasysh se nuk kemi një onkolog ekspert, kemi lëshuar urdhra për ekspertizë në Serbi dhe Slloveni. Në Serbi kemi dërguar 16 histori dhe ajo ekspertizë ka përfunduar, na është dorëzuar, ndërsa tjetra në Slloveni, ku kemi dërguar 51 histori, sipas raportit preliminar, duhet të përfundojë deri në fund të janarit. Për momentin mund të konfirmoj se dyshimet tona për trajtim joadekuat janë vërtetuar nga ekspertiza në Serbi. Shpresojmë që hetimi të zgjasë deri më 31 janar, kur do të mbyllet", tha prokurorja kompetente. Sipas saj, nuk janë siguruar dëshmi për shitjen e citostatikëve në Kosovë.
Tetovë - Propozim vendimi për mbulimin e shpenzimeve financiare dhe humbjeve të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) "Tetovë" ka qenë arsyeja për mosmarrëveshje politike në Këshillin e Komunës së Tetovës që ka rezultuar me ndërprerjen e seancës së sotme të grupit të këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Vërejtja e tyre ishte se në materialet e seancës nuk ka shpjegime të mjaftueshme për hap të tillë. "Çdo vit premtoni se do të mbulohen humbjet e ndërmarrjeve komunale, asnjëherë nuk e keni mbajtur fjalën dhe keni marrë miliona euro", tha këshilltari Liridon Disha.
Prishtinë - Instituti i Kosovës për Siguri dhe Rezistencë – PREVENT publikoi raport me titull “Siguria në veri të Kosovës pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc: Cilat janë hapat e ardhshëm?", njofton RTK-ja. Në raport theksohet se më shumë se një vit pas sulmit terrorist serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, udhëheqësi i këtij grupi, Milan Radoiçiq, mbetet i padënuar dhe i mbrojtur në Serbi. Pas sulmit në Banjskë, pjesa veriore e vendit ishte cak i një sulmi tjetër terrorist në kanalin ujësjellës Ibër-Lepenc.
Prishtinë - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti publikoi se do ta luftojë dhunën kundër familjes "si kurrë më parë", duke shfrytëzuar mbikëqyrje elektronike, njoftojnë mediat e Kosovës. Kështu ai deklaroi pas mbledhjes së mbrëmshme të organizuar nga policia e Kosovës, ku është prezantuar se si do të funksionojnë lidhjet elektronike për monitorimin e autorëve të dhunës, gjegjësisht të dyshuarve. Mbikëqyrja elektronike, e cila do të hyjë në fuqi menjëherë, do të zbatohet për secilin individ, thonë autoritetet pas vendimit të gjykatës për urdhrin për mbrojtje.
Tiranë - Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të lidhen me një pikë të re kufitare e cila do të krijohet nga ndërtimi i Korridorit 8, puna e të cilit vijon njëkohësisht nga të dyja anët, publikoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, Belinda Balluku. "Ndërkohë që ne ndërtojmë në drejtim të Maqedonisë së Veriut, edhe Maqedonia e Veriut ndërton në drejtim të Shqipërisë për t’u bashkuar në pikën e urës së Bushtricës që do të jetë edhe pika e re kufitare e cila do të bëhet përmes një tuneli", theksoi Balluku.
Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc pritet sot të paraqesë kërkesë për votëbesim në parlament, që është e nevojshme për shpalljen e zgjedhjeve të reja pas rënies së koalicionit muajin e kaluar. Koalicioni mes SPD-së, të Gjelbërve dhe Partisë Demokratike të Lirë është shpërbë, duke shkaktuar bllokadë të punës në parlament. Mediat gjermane raportojnë se pritshmëria është që Sholc të humba votimin, pas së cilës do të kërkohet shpërndarja e parlamentit dhe zgjedhje të reja të cilat janë dakorduar për 23 shkurt të vitit 2025.
Bruksel - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas deklaroi se Rusia ka mësuar se si të ndikojë në zgjedhje duke shfrytëzuar teknologji të reja. "Shoh shembuj nga Rumania dhe vende të tjera, ku rusët me të vërtetë kanë gjetur një mënyrë për të ndikuar ndaj zgjedhjeve", tha Kallas në një ngjarje të organizuar nga "Politiko". Duke iu përgjigjur pyetjes për ndikimin e teknologjive të reja në demokraci, ajo shprehu shqetësim: Demokracia bazohet në besim, ndërsa nëse nuk mund t'i besosh zgjedhjeve, si mund t'i besosh rezultatit? Kallas theksoi se metodat aktuale për vlerësimin e zgjedhjeve fer janë të vjetruara dhe nuk marrin parasysh teknologjitë e reja të përdorura për manipulim.
Damask - Kryeministri i ri i përkohshëm i Sirisë, Mohamed al-Bashir u bën thirrje refugjatëve sirianë në mbarë botën që të kthehen në atdheun e tyre pas përmbysjes së regjimit të Bashar al Asadit. "U bëj thirrje të gjithë sirianëve jashtë vendit: Siria është tani një vend i lirë që ka rifituar krenarinë dhe dinjitetin e saj. Kthehuni!, tha Bashir në një intervistë të publikuar sot për gazetën italiane "Koriere della sera". "Me përfundimin e dekadave të sundimit nga familja Asad, tani duhet të rinovohet siguria dhe stabiliteti në të gjitha qytetet siriane, në mënyrë që njerëzit të mund të kthehen në jetën normale", shtoi Bashir.
Tel Aviv - Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se ka shkatërruar më shumë se 350 objektiva ushtarake mbarë Sirinë, përfshirë edhe depot me armë strategjike, në 48 orët e fundit. Sipas njoftimit të IDF-së në Telegram, forcat izraelite kanë bombarduar lokacione si portet detare, Al Bajda dhe Latakia, ku janë ankoruar 15 anije siriane. Në mesin e objektivave ishin edhe bateritë kundërajrore, aeroporte dhe fabrika pë armatim në Damask, Homs, Tartus, Latakia dhe Palmira.
Uashington - Ushtria amerikane do të qëndrojë në Siri edhe pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, ndërsa si pjesë e misionit për luftën kundër terrorizmit me qëllim që të shkatërrohen mbetjet e fundit nga "Shteti islamik", deklaroi zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë. "Këto trupa janë aty me shumë qëllime konkrete dhe të rëndësishme dhe jo si një lloj subjekt ndryshimi", tha Xhon Fajner, zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit të SHBA-së në intervistën gjatë konferencës mbrëmë në Nju Jork. Sipas tij, ushtria amerikane "është aty për gati një dekadë ose më shumë për të luftuar SHI-në... dhe ne mbetemi të përkushtuar ndaj këtij misioni”.