• e mërkurë, 11 dhjetor 2024
MIA FLESH

12:00 / 11 dhjetor / 2024

Shkup – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot vendosi të mbajë seancë përgatitore për debatin për nismat për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjykatësja raportuese Elizabeta Dukovska propozoi që të mbahet seancë përgatitore, që mori mbështetjen nga më shumë gjykatës, duke përfshirë edhe Ana Pavllova Daneva, Tatjana Vasiç Bojaxhieva, Jadranka Daboviq dhe Darko Kostadinovski. Gjykatësja Dobrilla Kacarska nuk u pajtua me propozimin, duke vlerësuar se tashmë ka përgatitje të mjaftueshme. 

Shkup - Ne nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit amerikan të shtetit, zoti Grubi e ka të drejtën e ankimimit, do bëjë procesin në drejtim të fakteve, sepse kjo e drejtë i njihet zotit Grubi në vendimin e Departamentit të Shtetit dhe zoti Grubi sigurisht që nuk do të dëmtojë subjektin e vet, familjen e vet, Bashkimin Demokratik për Integrim deri në momentin që ky proces të ketë një epilog, deklaroi sot lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Në pyetjen e gazetarëve nëse i vërtetohet fajësia Grubit, a do të largohet nga partia, Ahmeti tha se Grubi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm dhe se nuk ka nevojë ta largojë partia, ai sigurisht do të tërhiqet vet nga të gjitha funksionet e partisë.

Shkup - Maqedonia është më e fortë atëherë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e vet - në të gjitha gjuhët, theksoi Fatmir Bytyqi - deputet në Kuvend nga radhët e LSDM-së dhe ish zëvendëskryeministër i Çështjeve Ekonomike në njoftimin në Fejsbuk në lidhje me seancën e Gjykatës Kushtetuese në të cilën njëra nga pikët e debatit është nisma për Ligjin e përdorimit të gjuhëve. "Në këtë moment, në orën 9:30, në sallën e Gjykatës Kushtetuese fillon një bisedë e pazakontë e shoqërisë sonë me vetveten, me dallimet, e cila mund të jetë dialog si proces gjithëpërfshirës ose monolog si akt përjashtues. Ky është një çast kur diskutohet për kohezionin e shoqërisë, për themelet e saj të përbashkëta. Në këto momente, kur salla e gjykatës bëhet arenë e përplasjes mes historisë dhe vizionit për të ardhmen, jemi të vetëdijshëm se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin apo Kushtetutën, por edhe për atë se çfarë shteti dëshirojmë të jemi", theksoi Bytyqi. 

Shkup - Temperatura më e ulët mëngjesin e sotëm është matur në Kodrën e Diellit - 4 gradë Celsius, më ngrohtë 7 gradë ka qenë në Veles, ndërsa më së shumti shi në 24 orët e fundit deri në orën 07:00 ka rënë në Hanet e Mavrovës dhe Pretor 2 litra për metër katror. Në Lazaropole është matur -1 gradë, 0 në Hanet e Mavrovës, Krushevë dhe Pretor, 1 në Manastir dhe Berovë, 2 gradë në Ohër, Kriva Pallankë dhe Strumicë, 3 në Kumanovë dhe Prilep, 4 në Tetovë, Gjevgjeli, 5 gradë në Vinicë dhe Dibër, 6 gradë në Shkup-Zajçev Rid, Shkup-Petrovec, Kavadar, Shtip dhe Demir Kapi. Në 24 orët e fundit deri në orën 07:00 ka reshje të sasisë së ujit 1 litër për metër katror në Strumicë, Prilep, Dibër, Kavadar, Demir Kapi, Lazaropolë, Krushevë dhe Topolçan dhe më pak se 1 në Kriva Pallankë, Ohër dhe Gjevgjeli.

Shkup - Nëpunës policorë të Njësitit të policisë intervenuese dhe Njësitit për tregti të paligjshme pranë SPB Shkup, mbrëmë në orën 21:35 pas urdhrit të pranuar më parë nga Gjykata Themelore Penale Shkup kanë kryer bastisje në banesën e D.A (27) nga Shkupi, në rajonin e Draçevës. Siç bën të ditur MPB, gjatë kontrollit u gjetën më shumë se katër kilogramë marihuanë, 18 pako me lëndë pluhur (amfetaminë) dhe një materie tjetër të bardhë. D.A. është privuar nga liria dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal nga neni 215 i Kodit penal me procedurë të shpejtë.

Shkup - NP Higjiena Komunale - Shkup gjatë mbrëmjes së djeshme, filloi aktivitetet për largimin e deponisë së madhe të egër në rrugën Tophanë në komunën Çair të Shkupit. Deri më tani janë ngritur dhe transportuar përafërsisht 50 metra kub mbetje komunale kryesisht të përziera, ndërsa ekipet e Ndërmarrjes edhe sot do t’i vazhdojnë aktivitetet në këtë lokacion. Njëkohësisht, në komunën  Çair janë ngritur rreth 10 metra kub mbetje të vëllimshme të hedhura në mënyrë të paligjshme në rrugën Xhon Kenedi.

Shkup - Gjykata Kushtetuese sot mban seancën e 32-të ku ndër pikat e rendit të ditës janë iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, Ligjit në tërësi, si dhe 25 neneve veçmas të ligjit. Në seancë nuk marrin pjesë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari. Menjëherë para votimit të rendit të ditës të propozuar për këtë seancë, gjyqtari Fatmir Skender propozoi që pika me iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve të shtyhet për shkak të mungesës së dy gjykatësve.

Shtip - Gjykatësit e Apelit në Shtip sot votojnë për anëtarin e ri të Këshillit gjyqësor. Vendvotimet në Gjykatat Themelore në Gjykatën e Apelit në Shtip janë hapur në orën 8, ndërsa votohet për pesë kandidatë. Në fletëvotim janë emrat e gjykatësve Aco Tasev nga Gjykata Themelore-Shtip, Meri Giçeva nga Gjykata Themelore-Shtip, Nevena Perica nga Gjykata Themelore-Shtip, Danka Ristova nga Gjykata e Apelit-Shtip dhe Toni Delev nga Gjykata e Apelit-Shtip.

Prishtinë - Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë pranuar armatim të blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit, shtator, tetor dhe fillimit në nëntorit, njoftojnë mediat e Kosovës. “Në vazhdimësi nga ShBA-ja kemi marrë armatim dhe jemi duke marrë. Blerja e fundit ka qenë në tetor, para kësaj e kemi pasur një kontingjent që ka ardhur gjatë muajit shtator. Kemi pasu aeroplanë amerikanë të ushtrisë amerikane që kanë ateruar në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës nga ku janë shkarkuar armë dhe janë ngarkuar në kamionët  e FSK-së. Normalisht që këto nuk janë bërë publike nga ne për shkak të ndjeshmërisë”, ka thënë Maqedonci.

Vjenë - KB publikoi një raport ku thuhet se trafikimi me njerëz është në rritje për shkak të konflikteve në botë, ndryshimeve klimatike dhe krizave globale. Sipas raportit më të ri të Komisionit global për trafikimin e njerëzve, që përfshin vitin 2022, numri i viktimave të trafikimit të njerëzve në mbarë botën është rritur me 25 për qind në krahasim me nivelin e vitit 2019, përpara pandemisë Kovid-19. "Kriminelët po përdorin gjithnjë e më shumë njerëzit për punë të detyrueshme, ndërsa gratë dhe vajzat janë shpesh viktima të shfrytëzimit seksual dhe dhunës", thuhet në raport.

Paris – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski i ka thënë presidentit të porsazgjedhur amerikan Donald Tramp në takimin e fundit në Paris se kërkon garanci të sigurisë që t’i jepet fund luftës me Rusinë, informuan mediat franceze duke iu referuar burimeve të njoftuara me përmbajtjen e takimit. Zelenski u takua me Trampin në kryeqytetin francez të shtunën, më 7 dhjetor, për herë të parë pasi Trampi u rizgjodh president i SHBA-së.

Paris - Presidenti francez, Emanuel Makron nesër do të vizitojë Poloninë për të diskutuar mbështetjen evropiane për Ukrainën pas takimeve me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së Donald Tramp dhe homologun ukrainas, Vollodimir Zelenski, kumtoi Pallati i Eliesut. Makron do të takohet me kryeministrin polak, Donald Tusk për të diskutuar ndihmën evropiane për Ukrainën në kontekstin e ri transatlantik dhe në prag të presidencës së Polonisë me Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2025.

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një publikim në X pas një bisede telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan publikoi se planifikon të vizitojë Turqinë për të diskutuar situatën në Siri. "Do të takohemi në fillim të javës së ardhshme në Turqi për të diskutuar se çfarë nënkuptojnë këto zhvillime në Siri për rajonin dhe më gjerë", shkroi Fon der Lajen në rrjetin social.

Bruksel - I dërguari special i BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak sot njoftoi se e ka informuar Këshillin Veriatlantik për ngjarjet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer mes BE-së dhe NATO-s për stabilitet rajonal. Lajçaku në rrjetin social X deklaroi se ka pasur bisedime të frytshme me zëvendëssekretaren e përgjithshme të NATO-s, Radmilla Shekerinska dhe me të gjithë ambasadorët. 

Bruksel - Politiko publikoi listë të njerëzve më të fuqishëm në Evropë, ku ka 28 emra, ndërsa personalitetin më të fuqishëm në Evropë e shpalli kryeministren italiane, Xhorxha Meloni. "Për më pak se një dekadë, Meloni nga një lidere ultranacionaliste është zgjedhur për kryeministre e Italisë dhe u etablua si personalitet, me të cilin Brukseli, e tani edhe Uashingtoni mund të punojnë", njofton mediumi.

Ankara – Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken të premten do ta vizitojë Ankaranë në bisedime me ministrin turk të punëve të jashtme, Hakan Fidan, informuan mediat turke. Që të dy pritet të bisedojnë për situatën në Siri pasi Bashar al Asad ishte mposhtur nga funksioni presidencial në një ofensivë të grupeve kryengritëse. “SHBA-ja plotësisht e mbështet tranzicionin politik në Siri dhe duan që ai të sjellë qeveri kredibile dhe gjithëpërfshirëse i cili nuk bazohet në bashkësi fetare dhe do t’i përmbushë standardet ndërkombëtare për transparencë dhe përgjegjësi”, deklaroi dje Blinkeni

Uashington – Donald Trampi tha se zgjidhja e krizës ukrainase do të jetë prioritet i tij i ri kryesor pasi do ta marrë funksionin muajin e ardhshëm, duke e përshkruar Lindjen e Mesme si “situatë më pak të vështirë”. “Mendoj se duhet ta zgjidhim problemin me Ukrainën me Rusinë”, deklaroi presidenti i porsazgjedhur amerikan për magazinën franceze Paris Match në një intervistë të realizuar të shtunën dhe të publikuar sot.

Leverkuzen - Trajneri i Interit, Simone Inzagi ka folur për humbjen e skuadrës së tij në ndeshjen e xhiros së 6-të të Ligës së kampionëve me Baerin (0:1). "Nuk ishim mjaftueshëm të mirë në sulm. Nuk luajtëm aq mirë sa për të mundur një kundërshtar të këtij niveli. Por qëllimi ynë mbetet i njëjtë - të shkojmë direkt në plejof, gjegjësisht të përfundojmë në top 8. Dhe është ende plotësisht e realizueshme. Baeri luajti mirë. Natyrisht, në një ndeshje me një kundërshtar të tillë është e pamundur të shmangësh momente të rrezikshme pranë portës. Por, gjithsesi, është turp që pranuam një gol në fund", deklaroi Inzagi.

QËNDRONI TË LIDHUR